Lekbello jep dorëheqjen, Alban Tafaj trajner i Tiranës…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2012 | 19:57

Lekbello jep dorëheqjen, Alban Tafaj trajner i Tiranës…

Artur Lekbello nuk do të jetë më trajneri i Tiranës. Aventura e ish-futbollistit të njohur bardheblu në krye të 24 herë kampionëve të vendit ka mbaruar pas disfatës së radhës në kampionat, ndaj Skënderbeut, por ajo që i hodhi në erë tërë pritshmëritë e tij në këtë eksperiencë të re ishte humbja shokuese 4-0 për Kupën e Shqipërisë, mesjavën e kaluar, në Kukës. Duke qenë se ky rezultat e bën thuajse të eliminuar Tiranën nga ky kompeticion që në turin e dytë (edhe pse mbetet të luhet ndeshja e kthimit në kryeqytet me debutuesit në Superiore), ndërsa distancimi prej 7 pikësh me kreun e largon ndjeshëm edhe objektivin titull, bordi drejtues i bardhebluve kishte paralajmëruar për masa drastike. Të cilat, në rastet kur nuk ecën puna në një ekip futbolli, zakonisht zbrazen të gjitha mbi trajnerin. Kështu ka ndodhur edhe me Artur Lekbellon, që ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme, duke parë se rezultatet nuk po vinin dhe skuadra, sipas të gjitha gjasave, nuk po e ndiqte nga pas. Në vendin e tij, bordi drejtues i klubit 24 herë kampion të Shqipërisë ka caktuar si trajner deri në janar drejtorin teknik, Alban Tafaj, atë që e drejtoi Tiranën edhe pas largimit të Hulian Rubios drejt Flamurtarit.
Artur Lekbello u emërua në krye të stolit bardheblu më 17 shtator të këtij viti, teksa e drejtoi ekipin e zemrës për 42 ditë. Gjatë kësaj periudhe luajti 9 ndeshje, 6 për kampionat dhe 3 për Kupën e Shqipërisë, në të cilat pati një bilanc jo fort pozitiv dhe që s’i shkonte për shtat një emri si Tirana: 1 fitore, 4 barazime dhe 1 humbje në kampionat; 2 fitore dhe 1 humbje në Kupën e Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe të shkurtër në krye të Tiranës ra në sy drejtimi me dorë të hekurt i Lekbellos, si në stërvitje, edhe gjatë ndeshjeve. Përplasjet publike që pati me Mucollarin dhe së fundi me Klodian Duron duket se ishin maja e ajsbergut i një situate të nderë në aksin trajner-lojtarë, cka u tentua të superohej me kalimin e javëve, por nuk qe e mundur. Përkundrazi, kulmoi me atë disfatë turpëruese në Kukës, e shoqëruar edhe me humbjen ndaj Skënderbeut, që i lë bardheblutë plot 7 pikë larg kreut.
Lekbello ka luajtur futboll që i ri në kategorinë e parë me Tiranën. Si futbollist me bardheblutë ka fituar titullin e parë në vitin 1985, më pas edhe dy herë të tjera në vitin 1988 dhe 1899. Në moshën 25 vjeçare ikën në Greqi, ku firmos për Aris të Selanikut. Me klubin grek është aktivizuar për 7 vjet, në vitet 1991-1998. Më pas ka punuar në akademinë e moshave të Arisit. 46-vjeçari Lekbello, një “gjak i vjetër bardheblu”, e nisi aventurën e tij si trajner i Tiranës në ndeshjen e javës së katërt, kur triumfoi minimalisht në Gjirokastër, ndaj Luftëtarit të një ish-lideri bardheblu, Nevil Dedes (edhe ky i fundit i dorëhqeur këtë fundjavë dhe i zëvendësuar nga shkodrani Edi Martini), ndërsa u dorëhoq pas disfatës përballë një tjetër ish-ikone bardheblu, Mirel Josa, tashmë në krye të Skënderbeut. Lekbello kishte firmosur një kontratë njëvjeçare, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër. Ai do të përfitonte 40 mijë euro në sezon, ose e ndarë në muajt e punës, nga 4 mijë euro. Për të ishte hera e parë që drejtonte një skuadër në Shqipëri, ndërsa për pasuesin e vet, Alban Tafajin, që ka marrë “timonin” e bardhebluve, është e disata herë. Duke u shndërruar kësisoji në një “trajner emergjence”, si rrugëdalje pozitive e situatave të tilla të vështira, si kjo aktualja, ku gjenden kryeqytetasit.

Çfarë tha Lekebllo pas ndeshjes me Skënderbeun
Artur Lekbello ndodhet në Selanik për të takuar familjen e tij. Ai pritet të vijë vetëm sot në kryeqytet dhe të rinisë nga puna. Të paktën këtë deklaroi vetë trajneri fill pas humbjes me Skënderbeun. “Unë sot do të nisem drejt Selanikut për të parë familjen time, sepse kam tri javë që nuk e takoj. Duke qenë se Korça është shumë afër, atëherë mendova se është më mirë kështu. Të hënën do kthehem në stërvitje për të vazhduar punën në krye të skuadrës së Tiranës. Unë nuk kam në plan të dorëhiqem, sepse me këtë ekip mund të bëjmë shumë gjëra. Vetëm se kam nevojë për mbështetje. Ne mbetemi gjithnjë pretendentë për titullin, edhe pas kësaj humbjeje”.

Dushku: Ne fajtorët, por klubi dhe bordi të zgjidhë problemet
Për Tiranën kthesa duket e pamundur. Problemet sa vijnë e shtohen dhe lojtarët po kalojnë një shok psikologjik. Turpi mbizotëron tek ata. Të gjithë janë të vetëdijshëm se me këto rezultate e kanë zhgënjyer ambientin bardheblu. Erjon Dushku, një nga lojtarët që ka luftuar më tepër në dy takimet e fundit, të cilët kanë krijuar një gjendje të jashtëzakonshme, merr përsipër të dalë hapur dhe të flasë me këtë ecuri. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi analizon Tiranën dhe problemet e shumta. Për të fajtor nuk është vetëm trajneri, por lojtarët që zbresin në fushë.
Një tjetër humbje e Tiranës, Erjon çfarë po ndodh me këtë ekip?
Kjo është një Tiranë e problemeve, që nuk po gjen qetësinë e duhur, çka reflektohet edhe në rezultat. Lojtarët janë në gjumë, dhe unë mendoj se futbolli nuk luhet vetëm individualisht, por në grup.
Nga rrjedh kjo mungesë qetësie?
Situata është e pakuptueshme. As vetë s’e marrim vesh se nga vjen. Përpos halleve, ekipi nuk po di të reagojë. Një Tiranë që u kënaqet barazimeve, për mua nuk mund të quhet kështu. Dhe ky është një hall i madh, pasi t’i kënaqesh një rezultati 0-0 është fatkeqësi. Kur kërkon fitore, duhet më shumë agresivitet, madje edhe prapavija duhet të hidhet në sulm dhe ekipi të jetë më i lidhur.
Mos ndoshta ekziston problemi mes trajnerit dhe lojtarëve?
Këtë pjesë dua ta theksoj, dhe me të madhe. Kjo krizë nuk ka lidhje mes palëve trajner-lojtar. Kjo është çështje personale e futbollistëve në fushë, problemi mendoj se qëndron tek individë të veçantë.
Keni kërkuar ndonjë mbledhje për ta sqaruar këtë pjesë?
Jo, por mendoj se është më shumë se e domosdoshme. Lojtarët që kanë halle dhe kanë ndonjë gjë në vetvete, duhet të dalin hapur dhe të gjejmë një zgjidhje. Ndaj mendoj se një mbledhje klub-staf e teknik duhet të ndodhë sa më shpejt.
A mund të besohet akoma te titulli?
Për momentin jemi jashtë, por nëse duam mund të rikthehemi. Vetëm se duke parë ecurinë, ne jemi kthyer në një ekip me probleme të mëdha dhe që mezi shënon një gol. Të pretendosh titullin, duhet të realizosh më shumë.
Ju ka dëmtuar largimi i Balës?
Shumë. Ishte një lojtar që humbiste, por shënonte gjithnjë dhe të nxirrte nga situata. Për këtë kemi nevojë. Këtë edicion e kemi të vështirë të gjejmë portën.
Cilët janë fajtorët e kësaj krize që po kaloni?
E thashë edhe më lart, ne dhe trajneri, pra familja e Tiranës. Nuk jemi të qetë, te Tirana ka shumë fjalë.
Nga vijnë këto fjalë?
Me fjalë u referohem halleve që dalin sa nga një cep në një tjetër. Mendoj se kthesa mund të vijë vetëm pasi klubi dhe bordi të zgjidhin problemet mes tyre. Të bëhet tjetër menaxhim dhe të përzgjidhen lojtarë që luajnë me shpirt.
Mendoni se është gabuar edhe merkatoja?
Një ekip që ka tetë javë pa sulmues, këtu diçka nuk shkon.
Po lojtarët janë në shok psikologjik?
Po, morali është mjaft i ulët dhe kemi shumë luhatje. Ne jemi kalimtarë te Tirana. Mirëpo kush e vesh këtë fanellë, duhet t’ia dijë vlerën. Kjo bluzë kërkon shpirt dhe gjak.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"