Izmir Smajlaj spektakolar, fluturon 8.11 metra dhe vendos rekord te ri kombëtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2019 | 11:06

Izmir Smajlaj spektakolar, fluturon 8.11 metra dhe vendos rekord te ri kombëtar

Ka nisur dje në Shkodër Kampionati Kombëtar i 81-të i Atletikës, që do të vijojë edhe ditëm e sotme, me garat që po zhvillohen në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”. Dita e parë rezervoi 16 gara në total në disiplina të ndryshme, ndërsa në ditën e parë Vllaznia dhe Tirana janë skuadrat që dominuan pothuajse të gjitha disiplinat.

izmir-smajlaj

Në ditën e parë, kampioni i Europës në kërcim së gjati, shkodrani Izmir Smajlaj që mbron ngjyrat e Tiranës, theu rekordin kombëtar që mbahej nga ai vetë. Nga 8.03 metra që e kishte thyer në “Elbasan Arena”, Smajlaj në qytetin e tij, i mbështetur edhe nga tifozët, kërceu 8.11 metra, duke vendosur kështu një tjetër rekord kombëtar. Pas këtij rezultati, shkodrani u shpreh i emocionuar: “Kam emocione sepse rekordin e arrita në qytetin tim dhe i falënderoj tifozët që më mbështetën.

Kemi punuar shumë dhe them se po kaloj një formë shumë të mirë fizike. Më ka ndihmuar trajneri im Gjergj Ruli dhe tashmë shpresoj që të arrij rezultate të larta në garat ndërkombëtare. Përgatitja ime do vijojë pa ndërprerje, ndërsa një falënderim kam për Bashkinë e Tiranës, e cila më ka mbështetur në çdo aspekt, duke më ndihmuar në këto arritje. Shpresoj të përmirësohem në vazhdimësi”, tha Smajlaj.

Trajneri i tij, Gjergj Ruli, deklaroi se objektivi që ka me Smajlajn është që ai të arrijë të kërcejë 8.40, duke qenë se i ka mundësitë dhe është një sportist që po rritet, duke shpresuar në arritjen e rezultateve të larta në arenën ndërkombëtare. Afër rekordit shkuan edhe Luiza Gega në 1500 metra për femra, shumë afër ishte Franko Burraj i Vllaznisë në garën e vrapimit 400 metra për meshkuj, por nuk ia arritën. Dita e parë rezervoi emocione për të pranishmit, duke qenëse kampionati kombëtar kishte disa vite që nuk zhvillohej në qytetin e Shkodrës. Në fund, Federata Shqiptare e Atletikës dha certifikata mirënjohjeje për dy trajnerët e Vllaznisë, Fatjon Serhatin dhe Dorjan Tafën. Në ditën e dytë janë të parashikuara në total 17 gara.

Smalaj kërcimi on Vidnews.

Senad Nikshiqi-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"