Italiani Xhekobs mbush xhepat, 5 milionë dollarë për 9.8 sekonda

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2021 | 15:13

Italiani Xhekobs mbush xhepat, 5 milionë dollarë për 9.8 sekonda

Që prej 23 korrikut e gjithë vëmendja e botës është fokusuar tek evenimenti më i madh sportiv, Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të cilat ishin llogaritur të mbaheshin verën e kaluar, por që u shtynë me një vit për shkak të pandemisë. Atletika sigurisht është një prej sporteve me audiencën më të lartë, ndërsa gara e 100 metrave mbetet nga më të preferuarat për publikun.

Italiani

Puna, djersa dhe mundi i 5 viteve “shkarkohet” në më pak se 10 sekonda në pistën e tartanit, ndërsa triumfi të ndryshon përgjithmonë jetën. Një medalje ari në këtë garë konsiderohet si nga më fitimprurëset për atletët. Kjo pritet t’i ndodhë edhe italianit Marsel Xhekobs, i cili befasoi të gjithë botën, teksa e ndali kronometrin në 9″80 duke ngritur peshë të gjithë “Axurrët”.

Sipas një përllogaritjeje të bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky sukses pritet t’i sjellë atletit italian rreth 5 milionë dollarë fitime, teksa efektet financiare do të ndihen menjëherë për atletin. Fillimisht Xhekobs do të përfitojë shpërblimin që i takon me ligj nga shteti italian, me medaljen e artë që vlerësohet 180 mijë euro.

Por kjo nuk është asgjë, nëse e llogarisim me fitimet që pritet t’i sjellin sponsorët dhe marketingu. Në vetëm pak kohë popullariteti i italianit u rrit në mënyrë të jashtëzakonshme, teksa kaloi nga 144 mijë ndjekës në rrjetet sociale në mbi 1 milion. Në drejtim të tij pritet të vërshojnë sponsorët, si dhe mendohet të jetë në qendër të shumë fushatave publicitare, duke u shndërruar në një markë të vërtetë.

Tani emri i tij do të jetë nga më të kërkuarit në eventet botërore të atletikës, aty ku për një pjesëmarrje rekordmeni Usain Bolt përfitonte rreth 300 mijë dollarë nga sponsori. Ndërsa kontratat me sponsorët personalë mund të shkojnë deri në 3 milionë euro në vit. Kështu, sipas studiuesve amerikanë të marketingut, suksesi në garën e 100 metrave mund t’i japë rreth 5 milionë dollarë fitime të menjëhershme italianit të momentit, Marsel Xhekobs.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"