Ish-trajneri “skanon” fierakët, Demiraj: Skema nuk e favorizon Apoloninë në fazën “play off”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 21:51

Ish-trajneri “skanon” fierakët, Demiraj: Skema nuk e favorizon Apoloninë në fazën “play off”

Ish-trajneri Elidon Demiraj fut në “skaner” Apoloninë. Ecuria e deritanishme, defektet që kanë shfaqur në 28 javë dhe “play off”-i si mundësia e dytë për t’u ngjitur në Superiore, kalojnë në “lupën” e ish-trajnerit.

Elidon-Demiraj-1.jpg-11-1

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai “zbërthen” edhe trajnerin Artan Mërgjyshin, të cilin e vlerëson.

Demiraj, a ju ka pëlqyer Apolonia deri më tani dhe si e vlerësoni?

Për të qenë sa më i drejtë dhe realist, duke parë edhe investimet në këtë edicion, Apolonia është brenda pritshmërive të fillimit. Është çështje tjetër pritshmëria që kam unë dhe cilido prej dashamirësve të kësaj fanelle se ku meriton realisht të jetë Apolonia. Jemi shumë, po shumë larg asaj që dëshirojmë dhe presim të gjithë në Fier.

Çfarë nuk ju bind te kjo skuadër?

Nuk më bind organizimi i klubit, ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve dhe rezultatet me luhatje. Në një fazë skuadra është “top”, në një tjetër lë shumë, po shumë për të dëshiruar. Një skuadër me dy fytyra.

Megjithatë, Apolonia e ka nisur fazën e tretë në mënyrën më të mirë të mundshme. Çfarë mendoni se ka ndodhur në këto ndeshje të fundit?

Rezultatet e fundit kanë ardhur falë punës së përditshme të trajnerit, Artan Mërgjyshi, i cili ka pasur kohën në favor. Ka punuar fort dhe e kam theksuar edhe më parë se Mërgjyshi do të dijë t’i marrë maksimumin grupit. E njeh shumë mirë ambientin dhe mentalitetin, si dhe falë eksperiencës së tij të gjatë në këtë kategori. Nëse grupi i lojtarëve nuk futet në presionin e vazhdueshëm të pikëve dhe rezultateve, Apolonia bëhet ekip i fortë për këdo, sepse i ka cilësitë brenda.

E vlerësoni grupin aktual të lojtarëve?

Patjetër, më bindin disa lojtarë që janë premtues për të ardhmen. Kjo është padyshim një vlerë e shtuar e skuadrës, por ajo që nuk pëlqej fare është që këta elemente të rinj dhe me perspektivë s’kanë një ekip që t’i mbështesë, zhvillojë dhe përmirësojë vit pas viti. Më saktë, t’i bëjë lojtarë për treg. Për të bërë këtë duhet një ekip konkurrues.

Nisur nga rezultatet e fundit, a është e mundur katërshja e parë?

Katërshja apo gjashtëshja e parë nuk kanë shumë rëndësi për mua. Nuk duhet të jenë në presion të vazhdueshëm për rezultate, sepse nuk e mbajnë dot. Dua që të luajnë të qetë në fushë dhe të bëjnë më të mirën për veten e tyre dhe për ekipin. Vetëm kështu mund t’i marrësh maksimumin këtij grupi që nuk ka eksperiencën e duhur, por ka vrullin, dëshirën dhe egon e lojtarëve të rinj që duan thjesht të promovohen.

Apolonia, a është gati për “play off”-in?

E shikoj gati, por ekipi duhet të marrë maksimumin në 5 javët e fundit e të fitojë më shumë eksperiencë dhe të mësojë. Sa i aftë je të mësosh dhe përmirësohesh nga ndeshja në ndeshje, si në humbje dhe në fitore.

Përballjen me vendin e 8-të të Superiores, e shikoni të kalueshme?

Përballjen me ekipin e Superiores e shikoj pak larg. Apolonia t’i marrë sfidat një e nga një. Për mendimin tim, kushdo që do të dalë fitues në “play off” dhe do të përballet me të tetën e Superiores, nuk e kalon dot. Jo se janë super ekipe, por favorizohen nga skema.

Fierakët udhëtojnë drejt Elbasanit. Si e shikoni sfidën e nesërme?

Apolonia duhet të shkojë në Elbasan për të treguar potencialin, vlerat dhe cilësitë që zotëron. Elbasani është ekip me investime të mëdha dhe jo më kot është në vend të parë. Megjithatë, nuk ka vend më të mirë për të treguar forcën dhe potencialin që ke si ekip. Mendoj se Apolonia i ka mundësitë në Elbasan dhe në çdo fushë tjetër për fitore.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"