Ish-presidenti Artur Çobani i quan të papranueshme gabimet si me Korabin: Lushnja kërkon përkrahje, duhet fituar derbi me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2024 | 13:59

Ish-presidenti Artur Çobani i quan të papranueshme gabimet si me Korabin: Lushnja kërkon përkrahje, duhet fituar derbi me Apoloninë

Dy humbjet radhazi me Korabin e kanë vështirësuar pozicionin e Lushnjës në renditje, duke krijuar një distancë gjashtë pikëshe me zonën “play-off”. Të shtunën verdhejeshilët do të luajnë derbin me Apoloninë, që ka tetë pikë më shumë se Lushnja.

artur cobani

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, ish-presidenti Artur Çobani tha se ekipi duhet inkurajuar për të fituar derbin me Apoloninë. “Mundësia e Lushnjës ishte që të dilte me pikë nga të dyja ndeshjet me Korabin. Në sfidën e dytë me dibranët, për nga mënyra se si po shkonte loja, nuk e prisja kurrë që Korabi të shënonte golin e dytë. Shpresoja te goli i dytë i Lushnjës, por karton i kuq e ndërlikoi situatën. Nuk duhet të kishte ndodhur. Janë disa pakujdesi.

Lojtarët duhet të dinë se nuk janë të pranueshme këto pakujdesi. Një karton i kuq që na ndëshkon me golin e dytë, do të thotë 6 pikë distancë në klasifikim, kur mund të ishin tre të tilla. Ndeshja e radhës me Apoloninë duhet fituar patjetër, nuk ka rrugë tjetër. Lushnja duhet të fitojë, ndonëse se derbi ka karakteristikën e vet. Duhen vazhduar përpjekjet për të kapur ‘play off’-in. Nuk duhet të dorëzohen, por të vazhdojnë deri në fund që të arrijnë të paktën vendin e gjashtë. Ndeshjet nuk duhen humbur kaq lehtë, pasi e dyta me Korabin u humb shumë lehtë.

U takon lojtarëve që të kthejnë edhe njëherë besimin te tifozët, duke fituar takimin me Apoloninë. Burreli fitoi në Vlorë. Pse mos të fitojë edhe Lushnja në Vlorë? Çfarë i mungon Lushnjës sot? I mungon besimi. Ekipi duhet inkurajuar nga të gjithë, edhe nga tifozët. Shikoj rrjetet sociale, nuk më pëlqejnë ironitë që përdoren.

Të gjithë duhet ta përkrahim Lushnjën derisa ta shikojmë më lart. Me shpresën se ndonjë sponsor do të afrohet shumë shpejt dhe do të ndikojë pozitivisht për përforcimin e skuadrës. Ndaj Bylisit dhe Vorës kishte njerëz në stadium, sepse duan ta shikojnë skuadrën sa më mirë. Ta përkrahim Lushnjën në derbin me Apoloninë. Duhet ta fitojmë patjetër”, deklaroi ish-presidenti i Lushnjës, Artur Çobani.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"