Ish-kapiteni parashikon kthimin e lavdisë në klub. Gentian Bylykbashi: Elbasani jeton me futbollin, ekipi ka të ardhme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 13:51

Ish-kapiteni parashikon kthimin e lavdisë në klub. Gentian Bylykbashi: Elbasani jeton me futbollin, ekipi ka të ardhme

Rikthimi i mundshëm i Elbasanit në Kategorinë Superiore ka ringjallur edhe njëherë shpresën dhe dëshirën për futbollin në këtë qytet. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i viteve 2000 me verdheblutë, Gentian Bylykbashi, pohon se skuadra ndodhet në rrugën e duhur, me një projekt që duket se shkon përtej këtij sezoni.

gent bylykbashi

Ish-mesfushori energjik i elbasanasve dhe kapiten i saj, ka besim te fitorja në Ballsh të hënën e 26 shkurtit, edhe pse i cilëson mallakastriotët si një skuadër eksperte. Për 46-vjeçarin, në futbollin e sotëm është sfidë të afrosh tifozë në stadium, me Elbasanin që duket se e ka fituar tashmë këtë “betejë”.

Gentian, si e keni parë Elbasanin këtë sezon? 

Kam parë një skuadër që nuk ndodhet rastësisht në atë pozicion dhe që në njëfarë mënyre thuajse e ka zgjidhur çështjen e Superiores shumë javë para se të mbyllet kampionati. Kanë bërë investime të mëdha dhe rezultatet tregojnë se po përligjen. Për mua është brenda synimeve, por normalisht asnjëherë nuk duhet të kënaqet me veten.

Ekipi fiton me të “dobëtit”, por me rivalët ka çaluar disi, pse ndodh kjo? 

Nuk besoj se vetëm Elbasani ka çaluar me rivalët, por edhe ato përballë nesh. Me Bylisin kanë dalë barazim, ndërsa të tjerat i ka mundur, përveç Flamurtarit që e mundi në një ndeshje. Pra, nuk e shikoj si një problem shumë të madh këtë fakt. Normalisht, të fitosh me kundërshtarët direkt është tjetër kënaqësi, por për aq kohë sa ekipi ka marrë pikët më duket gjithçka normale.

Të hënën luajnë me Bylisin, si e prisni këtë përballje kreu? 

Realisht është një ndeshje e fortë. E them këtë, sepse Bylisi është në “habitatin” e vet dhe e njeh mirë këtë kategori, ku jo më kot sa herë ‘rrëzohet’ nga elita ia del të ngjitet sërish. Megjithatë, Elbasani ka të gjitha mundësitë për të fituar, nuk i mungon potenciali. Është një ndeshje deri–diku e barabartë, me Bylisin që ndoshta mund të ketë paksa në favor faktorin fushë. Di që Elbasani do të udhëtojë me tifozë dhe ky faktori fushë do të shuhet paksa.

Sa i kishte munguar qytetit atmosfera e futbollit? 

Shumë. U bënë vite që na kishte marrë malli për atmosferë të tillë me emocione. Nuk shihet vetëm te ndeshja 90 minutëshe në stadium, por gjatë gjithë kohës. Futbolli është kthyer në një kryefjalë në këtë qytet edhe në bisedat e zakonshme. Kjo tregon edhe fuqinë që ka ky sport në këtë qytet. Të mos harrojmë se në futbollin e sotëm është një sfidë më vete të afrosh sportëdashës në stadium. Në Elbasan tifozët kanë ardhur në stadium edhe kur skuadra ka bërë ndonjë gabim rrugës.

Megjithatë, si e sheh të ardhmen e këtij klubi? 

Populli thotë: Koha e mirë duket që në mëngjes. Jam i bindur se gjithë ai investim që është bërë këto vite, që ka kulmuar këtë sezon, nuk është thjesht vetëm për t’u ngjitur në Superiore. Bëhet fjalë për një projekt afatgjatë dhe të mirëmenduar nga bashkia së bashku me presidentin. Kam besim se ky projekt i nisur nuk e ka arritur ende kulmin. Tani të gjithë presin që Elbasani të bëjë histori në elitë dhe kjo kategori është thjeshtë kalimtare.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"