Iljadhi: Partizani i Beogradit mundet me agresivitet, Soue “i çan” serbët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2017 | 17:47

Iljadhi: Partizani i Beogradit mundet me agresivitet, Soue “i çan” serbët

Roland Iljadhi kujton me nostalgji golin e 30 viteve më parë, si dhe atmosferën e zjarrtë në stadiumin “Flamurtari”. Në një intervistë të dhënë dje për “Panorama Sport”, Iljadhi ka theksuar se Skënderbeu mund të përsërisë suksesin e Flamurtarit sot përballë Partizanit të Beogradit.

Iljadhi

Por, për të arritur këtu, sipas Iljadhit duhet karakter dhe luftë sportive në plot 90 minuta. Ish-lojtari i njohur vlonjat thotë se Soue mund të shënojë për Skënderbeun. Iljadhi mendon se sot Skënderbeu nuk duhet të pësojë gola, ndërsa rezultat pozitiv do të ishte edhe mbyllja e ndeshjes pa gola, 0-0.

Skënderbeu luan nesër (sot) me Partizanin e Beogradit. Vazhdoni ta kujtoni ende me nostalgji golin që u shënuat serbëve 30 vite më parë?

E kujtoj me nostalgji atë gol të shënuar kundër Partizanit të Beogradit, kundër atij ekipi me vlera në futbollin europian, ekip me lojtarë që ishin të kombëtares jugosllave. Goli nuk do të kujtohet me nostalgji vetëm nga unë, por edhe nga sportdashësit anembanë Shqipërisë.

Kur kujtoni dy ndeshjet me serbët, çfarë ju emocionon më shumë?

Më emocionon më shumë atmosfera shumë e ngrohtë që u krijua në stadiumin “Flamurtari”, në përgatitje të ndeshjes me Partizanin e Beogradit dhe ai futboll i bukur që ne zhvilluam kundër atij ekipi aq të madh. Por ne u treguam një ekip më i madh se ata në të dyja takimet. E pritëm me atmosferë të madhe. Vlora jetonte me atë atmosferë, që në momentin kur u hodh shorti. Ka qenë një ditë feste për Vlorën, një stadium i zjarrtë ku brohoritej: “Flamurtari!”.

Në qytet po bëheshin ndryshime, për ta pritur sa më mirë, duke pasur parasysh marrëdhëniet midis dy shteteve. Në fushë treguam karakterin tonë. Ata kishin ardhur të karikuar dhe me mendjen se do ta kishin të lehtë. Madje, të dërguarit e tyre në stadium dhe gazetarët që kishin sjellë me vete u bënin presion lojtarëve duke thënë “do të hani 4-5 gola”.

Por ne u përgjigjëm më së miri. Treguam se ishim ekip më i madh se ata. Ishim shumë mirë si nga loja dhe ana psikologjike. Ishte festë në Vlorë. U bë një lojë e pastër. Por menduam edhe për ndeshjen e kthimit, pasi me një rezultat 2-1 në Vlorë, shkonim në Beograd me një ndjenjë tjetër, me një mendim tjetër për lojën.

Por ata mund të bënin një lojë tjetër atje. Në Vlorë ata ishim pak të tërhequr në mbrojtje, madhe në dy-tri ndeshje ata kishin dërguar “spiunë” në Vlorë për të parë lojën tonë. Kishin dërguar në ndeshjen e parë të kampionatit. Dhe menduan se do të na godisnin. Ne i mbyllëm në zonën e tyre dhe ata nuk kishin mundësi të dilnin në gjysmëfushën e tyre.

Ndryshe ndodhi në Beograd. Ata na bën presing atje sepse donin kualifikimin. Stadiumi i tyre ishte i zjarrtë me 50 mijë spektatorë. E kishin çështje politike më tepër që po i mundte Flamurtari i vogël. Ne kishim Bubeqi, Ferko lojtarë të shpejtë, të ndihmuar nga Kushta. Pjesa e parë u mbyll 1-0 me një penallti të dyshimtë, por bindja ishte që do kualifikoheshim me gjakftohtësi. Dhe u arrit. Goli i Sokolit i shkëlqyer. Ne treguam vlerat tona.

A mund të bëjë Skënderbeu atë që bëri Flamurtari ndaj Partizanit Beogradit?

Do të ishte kënaqësi nëse Skënderbeu do të bënte atë që bëri Flamurtari me Partizanin e Beogradit. I ka të gjitha mundësitë, pasi Skënderbeu ka krijuar ekip solid, ekip që po njihet edhe në Europë dhe ka treguar veten. Atë që bëmë ne kundër Barcelonës apo Partizanit të Beogradit, mund ta bëjë edhe Skënderbeu. Do të uroja me zemër që atë që bëmë ne para 30 viteve, ta bëjë Skënderbeu nesër (sot), pse jo të merrte edhe kualifikimin.

Cilat janë ndryshimet mes Flamurtarit të kohës suaj dhe Skënderbeut të sotëm?

Koha ka ndryshuar. Flamurtari në kohën tonë ishte një ekip kompakt, një ekip solid dhe nga ana psikologjike ishte një ekip që mund të përballonte më së miri çdo ekip dhe ajo u vërtetua. Ndërsa Skënderbeu duhet që të tregohet pak më agresiv. Ne e kishim atë luftën sportive, lojtarët kishin karakterin, kishin zemrën, kishin shpirtin.

Ndërsa Skënderbeu në këto dy-tre takime e ka pasur, por jo në atë nivel që ta mbajë deri në 90- minutëshin e fundit. Ka neglizhuar momente të vogla, ndaj është ndëshkuar. Janë disa gjëra të vogla që Skënderbeu po të mundohet me qëllimin që i ka vënë vetes mund të arrijmë te rezultatet tona.

Kush mendoni se është më afër golit nga Skënderbeu. Na jepni një emër që mendoni se do të shënojë?

Mendoj se është qendërsulmuesi Soue, një lojtar i shpejtë, një lojtar i fuqishëm që mund të çajë mbrojtjen e Partizanit të Beogradit. Po t’i krijohen hapësira, ai është lojtar goli. Ka edhe lojtarë të tjerë, por te ky lojtar duhet të përqendrohen. Partizani ka lojtarë cilësorë dhe me vlera që kanë minuta ndërkombëtare në këmbët e tyre dhe që kanë luajtur në Champions Ligë.

Çfarë i këshilloni Skënderbeut?

Skënderbeu duhet të jetë i qetë, të zbatojë detyrat e trajnerit dhe të jetë i karikuar pasi do të ketë atmosferë. Është ndeshje pak me tension ajo me Partizanin, siç ka qenë në kohën tonë. Edhe nëse do ta ruajë 0-0 rezultatin është pozitive për të.

E rëndësishme është që të mos pësojë gol. Do të dëshiroja që Skënderbeu të arrijë atë sukses tonin. Do të jetë një festë e madhe për futbollin shqiptar.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"