I njoftuan vdekjen, Maradona kërkon kokën e “fajtorëve”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2018 | 9:53

I njoftuan vdekjen, Maradona kërkon kokën e “fajtorëve”

Dy klipe-audio të dy mediave në gjuhën spanjolle kishin raportuar se Diego Armando Maradona, legjenda e futbollit argjentinas, kishte pësuar atak në zemër, do paditen nga avokati i tij: përfaqësuesi ligjor i ish-“Pibe de Oro” ka ofruar 300.000 pesos (rreth 10.600 dollarë) si shpërblim për të gjetur dy autorët e këtij lajmi (sipas tij të rremë) që njoftonin se legjenda argjentinase kishte ndërruar jetë…

Maradona_2

NDIHMA MJEKËSORE

Maradona aktualisht ndodhet në Rusi për të ndjekur Botërorin dhe ka qenë në tribunë në të gjitha ndeshjet e “Seleccion”-it të Sampaolit, duke festuar si i çmendur fitoren dramatike të vendit të tij kundër Nigerisë, që bëri të mundur kalimin në fazën e 1/8-ve të Mesit me shokë.

Fituesi i Botërorit “Meksikë ’86” është parë teksa merrte ndihmën mjekësorë pas ndeshjes, deri në atë pikë sa ka pasur shumë frikë për shëndetin e tij, por dy mediat spanjolle kishin shkuar përtej kësaj, duke thënë që ish-numri 10 i bardhekaltërve ka pësuar shqetësim me pasoja fatale në zemër.

FJALËT E AVOKATIT

“Kam bërë një vendim publik dhe do të shpërblej më 300.000 pesos këdo që është në gjendje të japë informata të sakta lidhur me këtë lajm-audio. Gjithmonë në këto raste shumë pak mund të bëhet.

Por, punëtorët e studios sime më kanë thënë se janë konsultuar me ekspertë të teknologjisë dhe do ta gjejnë gazetarin që e shpërndau këtë lajm të rremë”, ka thënë avokati i Maradonës, Matias Morla, për “Infobae”. “Motra, vëllai, mbesa: të gjithë më telefonuan për të mësuar nëse isha mirë, – shtoi vetë Diego. – “Lajmet e këqija qarkullojnë më shpejt se të mira…”.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"