I dhuroi 3 pikët Teutës ndaj Egnatias, Fili: Kemi cilësi, do të shënoj sërish

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2023 | 19:15

I dhuroi 3 pikët Teutës ndaj Egnatias, Fili: Kemi cilësi, do të shënoj sërish

Teuta mposht 1-0 Egnatian në transfertë, duke iu falur Realdo Filit. Sulmuesi 27-vjeçar tregon edhe njëherë aftësitë e tij duke u dhuruar bregdetarëve 3 pikë me shumë vlerë. Ish-sulmuesi i Partizanit, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, zbulon atmosferën te Teuta dhe ambiciet për këtë sezon me blutë.Fili

Fili, gol me aromë 3- pikëshi, sa i kënaqur jeni?

Jam shumë i lumtur që arrita të shënoj dhe të ndihmoj ekipin që të marrë 3 pikë. Skuadra kishte nevojë për këtë fitore dhe ne ia dolëm, edhe pse përballë kishim Egnatian, e cila kryeson klasifikimin.

Me Edi Martinin, 2 ndeshje 4 pikë, si ndiheni në taktikat e trajnerit shkodran?

Skuadra është kolauduar këto ditë dhe fakti që kemi marrë pikë e tregon këtë gjë. Ne do të përpiqemi të ndreqim gabimet që kemi bërë deri tani. Trajneri e njeh mjaft mirë ambientin dhe ne kemi besim që do të arrijmë objektivat sezonalë.

Cilat janë objektivat e Teutës këtë sezon?

Teuta është ndërtuar për t’u renditur në vendet e para në renditje. Skuadra ka futbollistë me cilësi dhe eksperiencë, por edhe talente të cilët kanë bërë mirë. Ne do t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe më pas do të vendosim bashkë me stafin.

Çfarë u premtoni tifozëve durrsakë?

Jam këtu për t’i bërë të lumtur ata, pasi mundohem të jap maksimumin në fushën e lojës. I garantoj që do të asistoj dhe shënoj për të arritur objektivat e skuadrës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"