Flamurtari humbet miqësoren e parë, vjen një gjigant serb për mbrojtjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2015 | 13:20

Flamurtari humbet miqësoren e parë, vjen një gjigant serb për mbrojtjen

vloraFlamurtari ka humbur miqësoren e parë në tokën turke me rezultatin e pastër 0-2. Vlonjatët pritej të luanin dje kundër azerbajxhanasve të FC Baku, por në momentin e fundit është ndryshuar axhenda dhe kuqezinjtë janë përballur me FC Ordabasy, skuadër që militon në Superligën kazakistanase dhe aktualisht mban vendin e katërt. Pjesa e parë ka qenë më e mirë për kuqezinjtë, në një kohë që trajneri Ernestino Ramela kishte hedhur në fushë një formacion të rinovuar. Për shkaqe dëmtimi munguan Polizoi Arbri, Franc Veliu e Bruno Telushi, ndërsa nga minuta e parë luajtën edhe afrimet më të fundit: Avni Pepa në qendër të mbrojtjes dhe Albin Hodza në krahun e majtë të mesfushës. Pjesa e parë përfundoi pa gola, por me një lojë më të mirë të vlonjatëve. Në 45 minutat e dyta Ramela bëri shumë zëvendësime, teksa u aktivizua edhe malazezi Baco Nikoliç. Italiani i pankinës u dha mundësi lojtarëve të rinj, madje që nga minuta e parë në krahun e djathtë mbrojtjes e nisi Duda. Për shkak të dy gabimeve, që nisën në mesfush- ën kuqezi, erdhën edhe golat e kazakistanasve. Gjithçka u mbyll në shifrat 0-2.

Vukashin Tomiç – Një gjigant serb për mbrojtjen e Flamurtarit. Quhet Vukashin Tomiç dhe është 1.98 metra i gjatë, teksa dje në mbrëmje i është bashkuar skuadrës vlonjate në rezidencën e përkohshme në Turqi. Burime të “Panorama Sport” pranë klubit kuqezi treguan se 27- vjeçari ka firmosur një kontratë 1.5-vjeçare. Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës me shumë eksperiencë, që së fundmi është aktivizuar me Napredak Krusevac në Superligën serbe. Gjatë vitit të kaluar ka luajtur për 6 muaj edhe në Rumani me Universitatea Krajova. Në karrierën e tij ka edhe një eksperiencë në Kazakistan me klubin Taraz, ndërsa ka shkëlqyer në vitet 2011-2013 si pjesë e skuadrës së njohur serbe, Jagodina. Lorik Maxhuni – Mesfushori kosovar, Lorik Maxhuni, i cili së fundmi është aktivizuar për Drenicën, ka nisur dje provën te Flamurtari. Trajneri Ramela e ka aktivizuar lojtarin gjatë pjesës së dytë në miqësoren e djeshme. Maxhuni luan në të dyja krahët e mesfushës, ndërsa mund të përshtatet edhe në mbrojtje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"