Hoxha: Ja e vërteta e incidentit me dy të dehur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2016 | 9:15

Hoxha: Ja e vërteta e incidentit me dy të dehur

Alban Hoxha nuk e bën dramë incidentin e djeshëm në orët e para të mëngjesit, në aeroportin “Nënë Tereza”. Kapiteni i Partizanit thotë se ka qenë një debat i momentit me dy persona që ishin të dehur dhe se në fund ka ndërhyrë policia. Ai nuk njeh asnjërin prej tyre, edhe pse pohon për “Panorama Sport” se ka pasur përplasje me njërin për shkak se ai e kish ofenduar atë dhe shokët e skuadrës.

partizani hoxha

Alban, çfarë ndodhi në aeroport pas kthimit nga Rusia?

Ndodhi një incident i pakëndshëm me disa persona që nuk kishin ndoshta lidhje fare me sportin. Por nuk ishte ndonjë gjë për t’u bërë kaq e madhe. Thuhet se ka pasur shkëmbime grushtesh. Pati thjesht një përplasje, sepse disa njerëz nisën që të ofendonin shokët e skuadrës. U përpoqa t’u jepja përgjigjen e duhur dhe më pas ndërhyri policia. Mos besoni gjithçka që shkruhet në portale. Nuk ka ndodhur hataja…

Ju apo ndonjë nga pjesëtarët e stafit i njihnit këta persona?

Asnjë nga ne nuk i njihte. Thjesht ishin njerëz që nisën të ofendonin skuadrën pa lidhje. Më vonë mësuam se ishin të dehur. Unë isha duke dalë nga aeroporti dhe ata po vazhdonin të shanin me idenë se nuk po i dëgjonim. U thashë të mbyllnin gojën dhe të shihnin punën e tyre. Pati një debat dhe më pas erdhën forcat e rendit. Kaq ishte e gjitha.

Nuk ishin tifozët tuaj apo të ndonjë skuadre tjetër?

Jo, jo nuk m’u duk se ishin tifozë të ndonjë skuadre.

Të kalojmë pak te Krasnodari, ishte vërtet aq i fortë apo ndoshta edhe ju nuk ishit në ditën më të mirë?

Në fakt, ishin shumë të rrezikshëm. Kishin shumë potencial dhe njiheshin mirë me njëri-tjetrin. Unë edhe në Francë nuk kisha parë një skuadër që të dilte me aq shpejtësi dhe me aq saktësi në kundërsulm. Ju siguroj se bëmë sa mundëm, por aq mundësi patëm.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"