Hapi siparin e fitores ndaj Tomorit, Flamur Ruçi: Bylisi realizon misionin, analizën ua kemi lënë rivalëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 13:13

Hapi siparin e fitores ndaj Tomorit, Flamur Ruçi: Bylisi realizon misionin, analizën ua kemi lënë rivalëve

 

Bylisi ka pasur një kalendar të ngjeshur në javët e fundit, ndaj në ditën e parë të javës është lënë pushim. Sot, ballshiotët me grup të plotë u rikthehen përgatitjeve në prag të sfidës delikate, që ata do të luajnë me skuadrën e Luzit në transfertë.

MULI

Trajneri Arian Bellai do ta ketë grupin e plotë. Një nga autorët e golave dhe protagonist në sfidën ndaj Tomorit është beratasi Flamur Ruçi. Ai po luan sezonin e tij të katërt, duke provuar të kontribuojë dy sezone në Superiore dhe dy në Kategorinë e Parë. Ruçi ndaj skuadrës së vendlindjes shënoi golin e parë të sfidës, ndërsa për “Panorama Sport” deklaroi: “Jam i lumtur që shënova dhe u riktheva te goli, ndonëse ndodhi ndaj ish-skuadrës së qytetit tim. Futbolli profesionist kështu e ka, ndaj përpiqem të bëj mirë punën time.

Prej katër viteve jam pjesë e Bylisit dhe dua që të bëj më të mirën për këtë klub. E nisëm edhe fazën e tretë me 3 pikë dhe jemi në rrugë të mbarë, sepse synimi ynë është që të ruajmë vendin e parë, si dhe të ngjitemi në Superiore. Duhet që të ruajmë këtë ritëm dhe të punojmë shumë. Tashmë do të mendojmë për një tjetër duel mjaft të fortë dhe ndeshjen e radhës e kemi në transfertë. Do t’ia bëjmë hyzmetin çdo ndeshje duke marrë pikët maksimale”.

I pyetur për rivalët dhe ecurinë e tyre, mesfushori beratas shtoi: “Ne si klub nuk merremi me rivalët, madje i respektojmë për atë që po bëjnë në garë. Dua të them, është një kampionat i fortë dhe më mirë le të na analizojnë ne rivalët. Me punën që po bëhet nga të gjitha hallkat në Ballsh kam besim se do t’ia dalim në fund të realizimin e misionit tonë”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"