Gvozdenoviç: Skënderbeu luan pa frikë, Laçi nuk e gjen “shtruar” si në kryeqytet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2023 | 17:00

Gvozdenoviç: Skënderbeu luan pa frikë, Laçi nuk e gjen “shtruar” si në kryeqytet

Pas fitores me Partizanin, atmosfera në kampin bardhekuq është mjaft pozitive dhe i gjithë përqendrimi tashmë ka shkuar te ndeshja e fundjavës përballë Laçit.

Një ndeshje që shihet si tepër delikate edhe për shkak të formës së mirë që kurbinasit po kalojnë në këtë moment. Për trajnerin Ivan Ivan Gvozdenovic, kjo betejë është e vështirë, por jo e pakalueshme për Skënderbeun, që shkon në këtë përballje për të mos dalë pa pikë. Me rikthimin e Randit pas pezullimit, trajneri është më i qetë për sa i përket treshes së mbrojtjes, por do të duhet të bëjë pa Shaqen, që është i pezulluar.

Ivan, pas fitores me Partizanin, është më i motivuar Skënderbeu?

Po patjetër, sidomos pasi fiton një ndeshje të tillë. Të gjithë në këto kushte jemi të lumtur. Atmosfera është e mirë dhe situata në klub është mjaft optimale. Jemi në një moment të mirë dhe mendojmë se do ta shfrytëzojmë në maksimum për ndeshjen e radhës ndaj Laçit.

Si vjen Skënderbeu në këtë transfertë?

Jemi në një formë të mirë dhe këtu nuk ka asgjë për të fshehur. Na rikthehet Randi pas pezullimit, por na mungon Shaqe, po për shkak kartonësh. Pjesa tjetër e ekipit është e plotë dhe gati për këtë takim.

Në mungesë të Shaqes, do të kërkoni zëvendësuesin e tij apo do të ndryshojë vendosje ekipi?

Ekipi po funksionon dhe nuk mendoj se ka diçka për të ndryshuar. Për të gjetur zëvendësuesin mendoj se kemi ende kohë. Kemi edhe një seancë të fundit për të parë alternativat. Ky grup i ka alternativat për zëvendësime. Kemi Zenullarin dhe Gerçon të gatshëm për këtë pozicion, por do të shohim deri në momentin e fundit se kush do ta nisë si titullar.

Në 7 javë Skënderbeu fiton me ekipe të forta, por humbet me të tjerat…

Është e drejtë. Kemi fituar me Egnatian dhe Partizanin, por kemi humbur me Kukësin. Ndoshta kjo vjen nga cilësia e kampionatit, që ekipet nuk kanë shumë diferenca mes tyre. Por ka edhe pjesë përqendrimi, që ndikon në ndeshje të veçanta.

Është Laçi një nga ato ekipe që ju motivon?

Ne jemi Skënderbeu dhe djemve u kam thënë që askujt nuk duhet t’i trembemi dhe ndaj askujt nuk duhet të kemi mendjemadhësi. Laçi është një ekip i vështirë dhe ka treguar cilësi. Ne do të mundohemi të bëjmë mirë dhe të japim maksimumin tonë.

Edhe pse luhet në transfertë dhe jo në shtëpi?

Nuk ka asnjë ndryshim për ne kjo. Kemi fituar në transfertë edhe me Egnatian dhe Erzenin. Kështu që jemi gati të luftojmë për një fitore.

Laçi vjen nga një fitore me Tiranën…

E kemi parë ndeshjen dhe urime për Laçin! Por këto dy ndeshje nuk janë të njëjta, ndryshojnë shumë. Ka qenë një fitore jashtë fushe, por tani vjen Skënderbeu dhe situata ndryshon. Ata janë një ekip i mirë, por ne nuk jemi një ekip që duhet nënvlerësuar. Të shohim se çfarë do të prodhojë ky takim.

Si është të përballeni me Mirel Josën?

Profesor Mireli është një trajner shumë i mirë dhe unë kam një respekt maksimal. Me të kam kaluar periudhën më të mirë këtu në Shqipëri dhe te Skënderbeu kemi fituar gjithçka. Por tani jemi në kushte të ndryshme, unë jam trajner i Skënderbeut dhe Mireli trajner i Laçit. Secili do të mundohet të fitojë për të mirën e ekipit të tij.

Kënaqet Skënderbeu edhe me një pikë në Laç?

Skënderbeu shkon kudo për të marrë maksimumin. Ne do të hyjmë në fushë të bindur për forcat tona dhe në kërkim të më të mirës. Më pas do të shohim se si do të dalim, në varësi të asaj që prodhojmë në fushë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"