Gvozdenoviç e konsideroi turp humbjen e thellë ndaj Vllaznisë, te Skënderbeu bëjnë gati masat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2023 | 12:25

Gvozdenoviç e konsideroi turp humbjen e thellë ndaj Vllaznisë, te Skënderbeu bëjnë gati masat

Humbja e thellë 5-0 me Vllazninë ishte një goditje e rëndë për Skënderbeun, që për herë të parë këtë sezon, shpërfytyrohet në fushë. Në kushte të tilla, trajneri Ivan Gvozdenoviç merr të gjitha përgjegjësitë, duke theksuar se pas kësaj humbjeje, ekipi ka nevojë për një autokritikë të thellë.

gvozdenovic

Numri një i pankinës korçare ka kërkuar që të marrë kohë për të analizuar me kujdes të gjitha golat e pësuar dhe për të nxjerrë gabimet e shumta që skuadra ka bërë në këtë ndeshje. Gvozdenoviç e ka cilësuar turp këtë humbje dhe duket se pasojat do të bien të gjitha mbi ekipin.

I ngacmuar nga “Panorama Sport” pas ndeshjes në Shkodër, trajneri serb i Skënderbeut u shpreh: “Kjo ndeshje ishte një turp për ne dhe gjithkush duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, duke filluar nga unë i pari. Është e pa tolerueshme të bëjmë një paraqitje të tillë dhe për më tepër, të humbim me rezultatin 5-0. Vllaznia meritoi gjithçka, faji është i joni, pasi nga pesë golat e pësuar, katër erdhën për gabime amatore në mbrojtje. Janë të gjitha për t’u analizuar dhe për të dalë në një konkluzion. Unë jam i mendimit që kjo humbje kërkon një analizë të thellë dhe mbi të gjitha një autokritikë të menjëhershme. Do të bëjmë disa ditë pushim dhe më pas, do të ulemi të bëjmë analizën e përgjithshme me ekipin. Është një turp dhe nuk mund të kalohet lehtë”.

URDHRI – Trajneri i Skënderbeut nuk e ka përjashtuar mundësinë edhe të ndëshkimeve për individë të caktuar, që kanë qenë jashtë çdo pritshmërie në ndeshjen e luajtur në Shkodër. Pas konsultimit me presidentin Ardjan Takaj, Gvozdenoviç i ka lënë detyrë çdo lojtari, që veç programit stërvitor, të merret edhe me analizimin me detaje të ndeshjes së humbur thellë ndaj Vllaznisë. Burime në klub treguan për gazetën se pritet të ketë masa dhe ndryshime sa i përket formacionit, që ka pësuar një lëkundje nga ai i javëve më parë, kur titullarët ishin të paprekshëm. Serbi ka arritur deri aty sa të kthejë kokën nga pankina për të parë elementët e gatshëm dhe për të aplikuar masën ndëshkimore për titullarët që nuk ju përgjigjën si duhet trajnerit në fushë. Sipas tij, të justifikohesh me gabime arbitrash dhe të humbësh 5-0 është diçka e rëndë, ndaj edhe ndëshkimet pritet të jenë të tilla. Megjithatë, duke parë edhe shpërndarjen e skuadrës prej festave të fundvitit, nuk ka pasur komunikime konkrete nga klubi, por gjasat janë që në ditët e para të janarit të analizohet çdo gjë me detaje.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"