Gega i “shkel syrin” Ngosë: Tirana nuk po e shfrytëzon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2018 | 9:48

Gega i “shkel syrin” Ngosë: Tirana nuk po e shfrytëzon

Gjetja e një sulmuesi “pykë” shikohet si parësore për Partizanin në merkaton e dimrit. “Panorama Sport” para disa ditësh zbardhi dy piketa të “demave” për këtë proces, pikërisht Vasil Shkurtajn e Luftëtarit dhe Majkël Ngonë e Tiranës. Lajmet e fundit të ardhura nga Gjirokastra kanë lënë të kuptohet se sulmuesi mund të largohet në janar, por nëse të kuqtë duan ta bëjnë të tyrin, duhet të joshin kërkesat financiare të drejtuesve të Luftëtarit.

Gega

Por, edhe anglezi i bardhebluve pëlqehet nga “demat”, gjë të cilën e ka lënë të kuptohet edhe trajneri Skënder Gega për “Fair Play” të dielën në darkë. Gega i ka “shkelur syrin” Ngosë, që sipas tij, është një sulmues i mirë, por Tirana nuk po e shfrytëzon. I pyetur në studion e “Ora News” se a janë të interesuar për Ngonë, trajneri Gega u shpreh: “Unë e kam parë vetëm përballë nesh Ngonë. Kur e pashë në fushë, thashë me këtë gjatësi do të jetë shumë e vështirë për ta ndalur. Edhe me lojën me top ishte shumë i mirë. Te Tirana mendoj se nuk po dinë ta shfrytëzojnë”.

ngoo

SITUATA E TIRANËS

Trajneri i Partizanit ka komentuar më pas edhe situatën e bardhebluve dhe trajnerin Mema. “Me Tiranën jemi rivalë dhe në një sport mundohesh që rivalin ta lësh gjithmonë mbrapa. Gjithsesi, më vjen keq edhe pse jam trajner i Partizanit. Tirana mbetet një klub me histori të madhe Aty janë mbledhur shumë probleme dhe duhet kohë për t’i zgjidhur.

Trajneri Mema është miku im. Ai ka shkuar aty me dëshirë, pasi vjen nga një familje që ka kontribuar shumë për atë klub. Ndonjëherë je në vendin e gabuar në momentin e gabuar, por është futboll. Situata mund të ndryshojë dhe pretendimet duhet të ulen në bazë të pozicionit të renditje. Gjithsesi, pavarësisht pikëve ata mbeten një rival”, vijoi më tej trajneri i Partizanit.

gega

PËR PARTIZANIN- “Të them të drejtën nuk e kisha menduar se Partizani do të jetë në vend të parë. Por, ndeshje pas ndeshjeje, duke parë edhe stërvitjet me grupin, nisëm të besonim se mund të bënim mirë. Edhe presidenca më ka lënë hapësirën e duhur. Jam shumë i kënaqur, pasi në fillim nuk kisha të pritshmëri nga ekipi dhe ambienti, por tani më mbështesin dhe jam krenar për këtë skuadër”, tha Gega, i cili tani beson më shumë te titulli.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"