Garancia e portierit të Bylisit, Beqja: Takim delikat, nuk pësojmë as në derbi me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 17:15

Garancia e portierit të Bylisit, Beqja: Takim delikat, nuk pësojmë as në derbi me Apoloninë

Të shtunën në Ballsh luhet derbi tradicional me Apoloninë. Bylisi është i karikuar për të vijuar ecurinë pozitive dhe për të mos lëshuar vendin e parë. Skuadra vjen e plotë në këtë duel. Grupit do t’i mungojë Fabian Përndreca, që është grumbulluar me kuqezinjtë e U-19. 

portieri renato beqja i bylisit

Trajneri Arian Bellai po e mban grupin në tonus, por po punohet shumë në aspektin fizik dhe atletik me të ardhurit gjatë merkatos së fundit. Madje shumë prej tyre pritet që të marrin edhe minuta sot në sfidën e U-21, që Bylisi luan në transfertë me skuadrën e Vorës. Renato Beqaj vazhdon që të paraqitet shumë mirë edhe në startin e pjesës së dytë të garës. Beqaj që ka qenë një nga lojtarët stabël dhe më shumë të aktivizuar në skuadrën e Arian Bellait, duket se synon të vazhdojë me këtë paraqitje.

Për “Panorama Sport” portieri i Bylisit u shpreh: “Nuk pësojmë gol prej 180 minutave edhe pse kemi luajtur me dy skuadra mjaft të forta, si Vora e Lushnja. Kjo tregon që Bylisi ka shfaqur stabilitet, sidomos mbrojtja, pasi kemi kualitet dhe lojtarë me eksperiencë. Unë dua të vazhdoj të mbaj portën e paprekur edhe këtë fundjavë, sepse luajmë në shtëpinë tonë.

Me Apoloninë është takim mjaft delikat. Kam synime dhe dua që t’i realizoj sikurse është rikthimi në elitë, por veçanërisht grumbullimin në vijim me ekipin Kombëtar U-21. Bylisi i pjesës së dytë të sezonit do të jetë një skuadër shumë më e fortë, me kualitet dhe cilësi brenda vetes. Po ashtu, do të kërkojmë që të mos e lëshojnë kreun edhe pse gara do të jetë më e vështirë”.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"