“GANEFO 1963”, kur Shqipëria merrte në Xhakarta medalje që s’iu njohën kurrë. Shqiptarët kërkuan ta takonin Raxh Kapurin, garën për femra e fitoi një… burrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2023 | 20:57

“GANEFO 1963”, kur Shqipëria merrte në Xhakarta medalje që s’iu njohën kurrë. Shqiptarët kërkuan ta takonin Raxh Kapurin, garën për femra e fitoi një… burrë

Nga UVIL ZAJMI
Të njohura si Lojërat Botërore të organizuara kundër imperializmit, kolonializmit dhe racizmit dhe si kundërvënie e atyre Olimpike “Tokio 1964”. GANEFO, “The Games of the Newë Emerging Force”, ishte manifestim me sportistë kryesisht të shteteve socialiste, së bashku me disa vende të botës së tretë. Si turneu i parë, ato u zhvilluan në Xhakarta, kryeqyteti i Indonezisë nga 10 – 22 nëntor 1963. Morën pjesë 51 vende dhe midis tyre edhe katër vende të NATO-s: Italia, Holanda, Belgjika, Franca, si dhe Bashkimi Sovjetik.

Vaso Shaka me flamurin kombëtar

Vaso Shaka me flamurin kombëtar

Por konkurrues vetëm në disiplina joolimpike dhe me sportistë jo të kualifikuar për në Tokio. Në program janë 22 disiplina sportive: Atletikë e lehtë, badminton, futboll, çiklizëm, gjimnastikë, hokej në bar, mundje, not, basketboll, vaterpolo, boks, skermë, peshëngritje, tenis, etj. Ganefo e parë u konsiderua një spektakël i madh mediatik, duke shpërndarë në të gjithë botën imazhe të atletëve aziatikë, rekordet botërore të vendosura nga koreania Sin Kim Dan në 400 metra (51.4) dhe në 800(1.59.10), si e para atlete femër nën 2 minuta.

Ato nuk u njohën nga CIO, i cili nuk njohu gjithashtu Kinën si fituese të 68 medaljeve ari, 58 argjendi dhe 45 bronzi. Gjithashtu disa federata ndërkombëtare, si ajo e atletikës, e notit, nuk i njohën rezultatet duke i përjashtuar, pezulluar sportistët nga garat e tyre. GANEFO e dytë u projektua në Kajro më 1967, por u pezullua dhe nuk u zhvillua. Ndërkohë që ajo vijuese u organizua në Pnom Pen më 1966, e njohur si “GANEFO aziatike”.

NË INDONEZI, PËR HERË TË PARË
Nga ai nëntor i largët kanë kaluar disa dekada. Çfarë ishte ajo olimpiadë e çuditshme, në të cilën mori pjesë edhe një delegacion i madh sportiv shqiptar ku u fituan 5 medalje? Nga përzgjedhja, grupi, përgatitja, debatet, në një rikthim tek ajo olimpiadë aziatike, “Panorama Sport” e sjell për herë të parë për lexuesit e saj, shoqëruar me detaje. Gjithçka rreth përfaqësimit shqiptar për herë të parë e të fundit në një turne të tillë. Nga i ftohti në Shqipëri, te vapa mbi 40 gradë në Xhakarta, nga udhëtimi i gjatë e i pafund, te këngët e Raxh Kapurit në aeroportin e Bombeit në Indi. Pastaj, ceremonia dhe garat. Si i kujton sot kampioni Ramazan Driza polemikat me drejtuesit pas hedhjes së diskut dhe analiza me kritika pas kthimit në Tiranë.

Boksierët, Martin Çeta, Hysen Shara, Rahmi Sadushi dhe një shoqërues

Boksierët, Martin Çeta, Hysen Shara, Rahmi Sadushi dhe një
shoqërues

Situata e tensionuar me sovjetikët, kërcënimet ndaj qitësit Ismail Rama dhe rrëfimi unik i boksierit Rami Sadiku, një tjetër protagonist në atë veprimtari. Bashkë me atleten rekordmene Lumturi Markolaj, as 15 vjeçe, në elitën e vrapueseve më të mira. Rekordi i jashtëzakonshëm i Vaso Shakës, shënuesi më i mirë i turneut, një zbulim pas një gjysmëshekulli i gazetarit italian Xhovani Armilota. Por cilat ishin rezultatet, arritjet e sportistëve shqiptarë, midis tyre dhe ata që morën medalje?

UDHËTIMI, NGA NJËRI AVION TE TJETRI
Për në Indonezi, delegacioni shqiptar do të ndahej në tri grupe: Në korrik do të niset për në RP të Kinës, RDP të Koresë, ekipi i basketbollit i Partizanit pjesëmarrës në kampionatin e ushtrive të vendeve mike. Ndërkohë që lojtarët janë edhe anëtarë të ekipit kombëtar, që do të luajë në Xhakarta: Muhamet Përmeti, Renato Radoja, Vaso Shaka, Niko Hercek, Astrit Greva, Nevruz Përmeti, Kosta Papa, Bajram Gjuriçi, Patriot Aliaj, Petrit Zotaj, Agim Fagu dhe Gaqo Demiri. Me ta do të bashkohen edhe basketbollistët e nisur nga Shqipëria, Bujar Shehu e Agim Lahi, trajner Naim Pilku, si dhe arbitri Pjerin Muzhani. Përgjegjës ekipi, kolonel Sami Kolaneci. Grupi i dytë, ai i zyrtarëve, do të niset me 3 nëntor dhe kryesohet nga Vasil Konomi, kryetar i Komitetit të Përgjithshëm të BFSSH-së. Ndërsa grupi i tretë, ai me sportistët konkurrues do të marrë rrugën vetëm pak ditë para fillimit të veprimtarisë. Të dërguarit specialë për shtypin janë Osman Palushi, gazetari Prokop Koreta dhe operatori Niko Theollosi.

ME KËNGËT E RAXH KAPURIT
Udhëtimi është i gjatë, me orë dhe ditë pafund. Tiranë-Pragë, një natë e një ditë qëndrim aty. Më pas fluturim mbi Tiranë dhe në Kajro, për të vijuar më pas për në Teheran – Bombei – Kalkuta – Birmani – Pnom Pen – Kamboxhia – Xhakarta. Avioni Tu 104 ishte i detyruar të ndalonte për furnizim çdo tri orë. Një ngjarje e këndshme, befasuese, do të regjistrohet në aeroportin e Bombeit (Indi), kur në atë qëndrim shumorësh aty, një grup i sportistëve, me në krye Hysen Sharrën, nisur nga filmat “Vagabondi”, “Zotnia 420”, që patën jehonë të madhe dhe ishin tejet të ndjekur edhe në Shqipëri në vitet ‘60-të me aktorin e njohur indian, Raxh Kapuri, historia e dashurisë së tij me Ritën, kanë nisur të këndojnë këngët e filmave, si “Avara un”. Gjithçka në sallën e pritjes tërhoqi vëmendjen e njerëzve të shumtë, forcave të policisë që u grumbulluan rreth tyre. Kulmi arrin kur i paharruari, Ali Kastrati, nisur nga dëshira për ta njohur nga afër, u kërkoi zyrtarëve të aeroportit mundësinë për të takuar Raxh Kapurin. Por, pasi ata u interesuan, njoftuan se Raxhi nuk ndodhej në Indi. “Ai ishte një artist i dashur jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe botën. Gjithë ditën e kalonim në kinematë e Tiranës. Futeshim në mëngjes dhe dilnim në mbrëmje, duke parë filmat e tij, kaq popullor ishte bërë ai”, kujton boksieri Rami Sadushi.

Ceremonia e hapjes

Ceremonia e hapjes

CEREMONIA – VASO SHAKA, MBAJTËS I FLAMURIT
Si asnjëherë, përfaqësimi në një veprimtari ndërkombëtare do të jetë me një grup kaq të madh, rreth 40 veta. E diel, 10 nëntor 1963, në stadiumin gjigant “Utama”, pjesë e kompleksit sportiv “Bung Karno”, me një kapacitet mbi 100 mijë spektatorë, nën flamurin e antiimperializmit dhe antikolonializmit, me presidentin e Indonezisë, Sukarno, që ndezi edhe flakën, do të fillojë ceremonia madhështore. Flamurmbajtësi i delegacionit shqiptar është basketbollisti Vaso Shaka. Në Lojërat e GANEFO-s, Shqipëria do të marrë pjesë në atletikë, me Ramazan Drizën e 17 Nëntorit, mjeshtër i hedhjeve, rekordmen në gjyle; atletin e Dinamos, Vincenc Kacagjeli në garën e 400 m; Lumturi Markolaj po e Dinamos, vrapuese e talentuar rekordmene e 800 metrave, si dhe Shaqe Nika e Vllaznisë, një tjetër atlete e spikatur për kohën në garat 100 dhe 200 metra. Në maratonë do të konkurrojë Njazi Dajçi i Dinamos. Trajner i atletëve është Zef Hila. Në shtangë, në peshën e lehtë, Besim Pulaj; në qitje mjeshtri Ismail Rama dhe Rexhep Rapushi dhe në boks, Ram Sadushi në peshën gjysmë të lehtë, Hysen Sharra e Martin Çeta në ato të rënda, që si trajner kanë Ali Kastratin.

MEDALISTËT
Në GANEFO u morën 5 medalje, nga të cilat 2 argjendi dhe 3 bronzi. Dy herë flamuri ynë kombëtar u ngrit në stadiumin “Utama”, kur Mjeshtri i Sportit, Ramazan Driza, fitoi dy medalje bronzi, në flakjen e diskut, 43.92 m dhe në shtytjen e gjyles 15.10 m. Dy medalje të tjera u përkasin boksierëve Rami Sadushi, që pasi mundi me nokaut Omar Muhamedin nga Arabia e Bashkuar, në turrin tjetër fitoi me pikë ndaj kamboxhianit Nu Pen, ndërsa në gjysmëfinale boksieri Sun Artur nga Algjeria u tërhoq. Finalja përfundoi 3-2 për koreanin Han Jong Ho, që mori të artën, ndërsa Sadushi medaljen e argjendtë. Po atë ditë boksieri Hysen Sharra, u mund me pikë nga Makun Keila i Guinesë, por fitoi medaljen e bronzit. Kjo, pasi rivali Juri Farid Selim (RAB) nuk u paraqit. Qitësi, mjeshtri Ismail Rama, zuri vendin e dytë duke siguruar medaljen e argjendtë në garën e pozicionit barkas me 60 fishekë. Ai grumbulloi 582 pikë nga 600 të mundshme.

Grupi i sportistëve në aeroportin e Bombeit (Indi)

Grupi i sportistëve në aeroportin e Bombeit (Indi)

NË GARAT E TJERA SPIKAT MARKOLAJ. VASO SHAKA, REKORD PIKËSH
I pari nga sportistët shqiptarë që u paraqit në garë ishte shtangisti Besim Pulaj në peshën e lehtë. Ai e përmirësoi rekordin kombëtar në shtytje nga 95 kg në 100 kg dhe rekordin kombëtar në Triathlon nga 258 në 260 kg. Ramazan Driza mori pjesë edhe në flakjen e çekiçit, ndonëse i paspecializuar në këtë lloj gare, u rendit i katërti midis 12 hedhësve me 43.62 m. Shaqe Nika konkurroi në 100 dhe 200 m dhe në kërcim së larti, përkatësisht me rezultatet 13.7, 28.0 dhe 1.40 m. Në garën e 400 m, Lumturi Markolaj i përshkoi mjaft mirë 150 m e para, por pastaj ritmi i vrapimit të saj u ngadalësua dhe koha ishte 1 minutë e 9.6 sek. Në 800 metra e renditur e dyta në eliminatore, ajo konkurroi në grupin finalist, duke zënë vendin e 5-të me 2. 23 sek. Njazi Dajçi në maratonë u tërhoq në km e 27-të, pasi kishte dhënë shenja lodhjeje. Vincenc Kacagjeli në 400 m, u rendit i pari në grupin e dytë eliminator me 51 sekonda dhe në gjysmëfinale, i dyti me 50.6 sekonda. Nga ai shpresohej për një rekord të ri kombëtar, por për arsye shëndetësore nuk mori pjesë në finale.

Qitësi tjetër Rexhep Rrapushi me 562 pikë u klasifikua i dhjeti. Martin Çeta u ndesh me Sadik Hysein të RAB, por u detyrua nga mjeku të tërhiqet në raundin e dytë për shkak të plagosjes në vetull. Në përfundim ekipi i boksit zuri vendin e 6-të midis 13 ekipeve. Turneu i basketbollit, që ishte i fundit në Xhakarta, pas rezultateve në Grupin B eliminator, ekipi përfaqësues do të luajë për vendin 5-10, duke u renditur i pesti. Në 7 takime, fitoi katër dhe humbi tri (Ndeshja me Algjerinë u fitua aforfe 2-0, për mosparaqitje të kundërshtarit). Por, befasia e asaj veprimtarie do të jetë basketbollisti shqiptar, Vaso Shaka, i cili do të realizonte 193 pikë, një shifër rekord, duke u shpallur shënuesi më i mirë i turneut dhe la pas Joseph Dieng të Guinesë me 147, Efendi Utomo të Indonezisë me 144 dhe Edison dos Santos të Brazilit me 121 pikë (ish-kampion bote më 1959). Në dy takime ai shënoi gjysmën e pikëve të ekipit kombëtar: Indonezi-Shqipëri 104-89 (45 pikë); ShqipëriFilipine 87-81 (42 pikë). Në takimet e tjera: 14 pikë në RDP Koresë-Shqipëri 78-56; 29 pikë në sfidën Shqipëri-Guine 70-52; 32 pikë në Filipine-Shqipëri 87-79 dhe 31 pikë në Shqipëri-Kamboxhia 82-81. Realizuesit e tjerë ishin: Renato Radoja 62, Muhamet Përmeti 45, Agim Lahi 25, Bajarm Gjyriçi 20, Agim Fagu 19 pikë, etj.

FILMI DOKUMENTAR “TAKIME NË XHAKARTA”
Një film dokumentar u shfaq në kinematë e kryeqytetit, “Takime në Xhakarta”, i cili u kushtohet Lojërave të para të Forcave të Reja “GANEFO”, që u zhvillua në Xhakarta. Operator është Niko Theollosi, montazhiere Xhanfize Keko, shkruesi i tekstit Osman Palushi dhe formuluesi i muzikës, Ismail Balla. Në këtë film dokumentar, ata paraqesin aspekte interesante nga ajo veprimtari e madhe sportive botërore. Spektatorit i jepet mundësia të shohë në ekran atletët Vincenc Kacagjeli, Njazi Dajçi, atleten Lumturi Markolaj, mjeshtërit Ramazan Driza, Ismail Rama, boksierët Rami Sadushi, Martin Çeta, Hysen Sharra, shtangistin Besim Pulaj që theu rekordin kombëtar, pamje nga ndeshjet e basketbollistëve tanë, të cilët zunë vendin e 5-të. Filmi jep edhe momente të takimeve të sportistëve shqiptarë me ata të RP Kinës, RPD të Koresë, etj. Në mbyllje, dokumentari shfaq uljen e Flamurit, për t’u ngritur sërish fitimtar në Kajro. “GANEFO ishte një triumf ndaj imperialistëve, armiqve të shumtë me në krye ata amerikanë, të përkrahur nga revizionistët modernë që iu vërsulën, e bënë çmos për dështimin e saj, por forcat e reja nuk u përkulën para asnjë kërcënimi dhe nën parullat “Përpara”, “Nuk tërhiqemi”, ata i kurorëzuan me sukses ato. Gjatë lojërave u thyhen 5 rekorde botërore – informon dokumentari.

Vijon nesër…

Markolaj: Si na e zuri vendin e parë një vajzë që doli… burrë

Nuk ishte as 15 vjeçe kur ka marrë pjesë, ka vrapuar në pistën e asaj olimpiade, duke qenë protagoniste në finalen e 800 metrave, e renditur në vendin e pestë, përkrah rekordmenes koreane Sin Kim Dan. E panjohur, pa eksperiencë, tërheq vëmendjen si atlete e talentuar, duke regjistruar një ndër surprizat e mëdha të atij aktiviteti, një rezultat kolosal për kohën dhe atletikën shqiptare. Për atë veprimtari ajo kujton: “Unë vija pas një përfaqësimi dinjitoz, me një rezultat të rëndësishëm të regjistruar në Sofje në Kampionatin Ballkanik, vetëm pak muaj më parë.

Atletja Lumturi Markolaj, koreania Sin Kim Dan pas garës

Atletja Lumturi Markolaj, koreania Sin Kim Dan pas garës

Në muajin tetor ndërmjet ne sportistëve, flitej nën zë se një grup me atletë nga Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat e GANEFO-s në Indonezi. Jashtë shtetit, deri vonë nuk mund të shkonte një femër e vetme, detyrimisht duhet të ishin dy sportiste femra. Dhe për këtë arsye caktuan edhe Shaqe Nikën. Nuk kishte grumbullim, bënim stërvitje te Liqeni Artificial, stadiumi “Dinamo”, me trajnerin tonë, Bert Koja. Por në Xhakarta ai nuk erdhi, pasi caktuan Zef Hilën. Unë dhe Agim Fagu ishim më të rinjtë në atë turne. Do të konkurroja në 800 m, fillimisht në eliminatore. U rendita e dyta. Më pas gara finale, tjetër standard. Shumë e lodhshme, 40 gradë, një sforcim i madh, mosha e re, pa eksperiencë, u rendita e 5-ta me 2’23″.

Sin Kim Dan, atletja që rezultoi se ishte... burrë

Sin Kim Dan, atletja që rezultoi se ishte… burrë

Në vendin e parë doli atletja koreane Sin Kim Dan, rekordmene botërore, që pas dy vjetësh u konstatua mashkull dhe ia hoqën të gjitha rekordet. Pastaj kthimi nga Xhakarta, përfaqësimi ishte dinjitoz. U morën medalje në disa disiplina, ka një pritje në Rinas. Në teknikum, nga Komiteti i Rinisë organizuan një pritje fantastike. Mbajta një fjalim si anëtare e rinisë dhe më dhanë një dhuratë, diçka artistike, një kupë në argjend të cilën e ruaj edhe sot. Nuk të jepnin shpërblim financiar, por të blinin p.sh. stofra, copa të ndryshme”.

Intervistoi UVIL ZAJMI

Ismail Rama, ai që çmendi sovjetikët

Në një poligon të bukur në periferi të Xhakartës, do të zhvillohen garat e qitjes barkas me 60 fishekë dhe Shqipëria do të përfaqësohet me qitësin Ismail Rama Mjeshtër i Sportit, si dhe Rexhep Rrapushi. Për Ramën ishte një konkurrim i vështirë, përtej emocioneve, pasi duhet të përballonte rivalitetin, presionin e krijuar, temperaturat e larta dhe mosnjohjen e poligonit. Madje, ai u ndodh përpara disa situatave të paparashikuara, të krijuara nga drejtuesit e delegacionit sovjetik, nën pretekstin se qitësi Rama po vazhdonte garën në kundërshtim me rregulloren. Por, me kërkesë të përgjegjësit të ekipit shqiptar, detyroi anëtarët e jurisë ta kontrollonin, të verifikonin pretendimet e sovjetikëve. Ata konstatuan se qitja ishte kryer krejtësisht në kushte normale. Një manovër si një përpjekje për të skualifikuar qitësin shqiptar, pasi ai kishte krijuar epërsi me pikë me atë sovjetik. Në përfundim, Ismail Rama u rendit i dyti me 582 pikë, me 6 më pak se kinezi Le I, fitues i medaljes së artë. Vendin e tretë e zuri qitësi sovjetik me 2 pikë pas Ramës.

Qitësi Ismail Rama në garë

Qitësi Ismail Rama në garë

MEDALISTËT, FITUES EDHE TË ANKETËS “10 SPORTISTËT MË TË MIRË”
Në dhjetor, në anketën tradicionale të gazetës “Sporti Popullor”, ndër 10 sportistët më të mirë të vitit 1963, figurojnë edhe protagonistët e Lojërave të Ganefos, shoqëruar me një koment të shkurtër për secilin. Ismail Rama – “Qitës, mjeshtër sporti, anëtar i SHNUM-it të Tiranës. Një nga qitësit më të mirë të vendit, me suksesin e madh që arriti në Ganefo ku u rendit i dyti. Ai fitoi medaljen e argjendit, me një rezultat të lartë në shkallë botërore, me 582 pikë nga 600 të mundshme”.

RAMAZAN DRIZA – “Atlet, mjeshtër sporti i 17 Nëntorit. I dalluar për rezultate të kënaqshme në shtytjen e gjyles dhe flakjen e diskut, duke thyer 11 rekorde kombëtare. Në Xhakarta fitoi dy medalje bronzi në këto gara”. Rahmi Sadushi: “Boksier i ri i KS Partizani, që nga viti 1959 ka zhvilluar 70 ndeshje nga të cilat ka fituar 66. Veçanërisht me sukses konkurroi në GANEFO, ku diskutoi medaljen e artë me koreanin Han Jong Ho, duke zënë vendin e dytë e marrë medaljen e argjendtë”.

VASO SHAKA – “Basketbollist, Mjeshtër Sporti, i 17 Nëntorit dhe ekipit kombëtar, pjesëmarrës në Lojërat e GANEFO-s. Një nga basketbollistët më të mirë të vendit, i dalluar si shënues në këto veprimtari”. Lumturi Markolaj – “Atlete e Dinamos, rekordmene e vrapimit në 800 m me rezultatin 2’18.3″. Atlete e re, ka konkurruar me sukses të dukshëm në Lojnat Ballkanike ku theu rekordin kombëtar dhe në Lojërat e GANEFO-s u rendit e pesta në këtë garë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"