Flamurtari pa busull, por Idrizi konfirmon trajnerin e ri në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2019 | 16:30

Flamurtari pa busull, por Idrizi konfirmon trajnerin e ri në Vlorë

Sinan Idrizi konfirmon për të disatën herë Julian Ahmatajn si trajnerin e ri të Flamurtarit. Por pavarësisht kësaj, në Vlorë nuk ka asnjë datë e asnjë ditë zyrtare për prezantimin e trajnerit.

Idrizi-750x430

Në Vlorë mungon edhe një datë për grumbullimin e ekipit. Vetëm pak ditë më parë, administratori Idrizi u shpreh për gazetën se do të prezantonte ekipin e ri me lojtarë vlonjatë, më 30 ose 31 korrik. Këto data përkojnë me ditën e sotme dhe të nesërme, por nga klubi mungon një njoftim zyrtar, nëse në këto dy ditë të fundit të këtij muaji do të ketë zhvillime.

Të gjitha gjasat janë që të mos ketë. Administratori Sinan Idrizi për “Panorama Sport” tha dje se nuk do të ketë asnjë surprizë, pasi e ka vendosur përfundimisht se Ahmataj do të jetë trajneri i ri, që do të pasojë Ilir Dajën.

ahmataj

“Julian Ahmataj do të jetë trajneri i ri i Flamurtarit. Nuk do të ketë asnjë ndryshim. Ahmataj është 100% trajneri ynë. Ai bashkë me stafin e tij pritet që në ditët në vijim të nisin punën me ekipin”, tha Idrizi. Por pavarësisht se Idrizi konfirmon për të disatën herë Ahmatajn si trajnerin e ri, në Vlorë gjithçka është pezull. Nuk ka një axhendë se kur do të bëhet prezantimi i trajnerit të ri, por nuk ka asnjë datë se kur do të nisë stërvitja.

SITUATA

Në Vlorë situata është më shumë se alarmante. Nuk kanë mbetur lojtarë edhe ata që janë në kontratë, nuk plotësojnë as gishtat e njërës dorë. Nga titullarët “veteranë”, ishin shpresat që të qëndronte të paktën Franc Veliu. Por, gjasat janë që ai nuk mund të qëndrojë dhe thuajse është i larguar nga Flamurtari. Vetë lojtari ka konfirmuar për gazetën dje vijimin e bisedimeve me Gjilanin në Kosovë, që drejtohet nga trajneri vlonjat, Gentjan Mezani.

“Jam në bisedime me Gjilanin”, tha Veliu. Mbrojtësi vlonjat ka disa kohë që po negocion me klubin kosovar, por duket se tani gjërat janë në finale dhe zyrtarizimi i Veliut te Gjilani është çështje orësh. Si lojtarë me kontratë aktualisht te Flamurtari kanë mbetur vetëm Amarildo Rrapaj, Mateo Qarri, Ardit Ziaj dhe Sokol Ymeraj. Por, asnjëri prej tyre nuk është njoftuar që të ketë një datë për grumbullimin e ekipit.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"