“Fitojmë në Kukës dhe rikthejmë qetësinë”, Lloci: Forca e Teutës është se nuk ka ndonjë individ me cilësi të jashtëzakonshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2024 | 18:36

“Fitojmë në Kukës dhe rikthejmë qetësinë”, Lloci: Forca e Teutës është se nuk ka ndonjë individ me cilësi të jashtëzakonshme

Teuta nuk arriti të fitojë me Vllazninë në “Niko Dovana”, ku u ndal në barazim pa gola. Mesfushori i Teutës, Matias Lloci, qëndron me këmbë në tokë sa i përket ndeshjeve dhe rezultateve në javët e mbetura.

lloci

Lloci, në një intervistë për “Panorama Sport”, shprehet se skuadra duhet të mos entuziazmohet shumë dhe se ndeshja me Kukësin kërkon vlerësim maksimal, teksa tri pikët janë detyrim. Mesfushori shprehet se pavarësisht se Teuta nuk fitoi kundër Vllaznisë, ekipi tregoi se është në rritje. Lloci tregohet altruist jo vetëm në fushë, por dhe kur pyetet për ndeshjen ndaj Kukësit, sipas tij, rendësi ka që ekipi te marrë fitore, përtej aspektit personal.

Vetëm barazim kundër Vllaznisë. Mendoni se meritonit më shumë?
Ndeshja nisi mirë për ne, shpërdoruam disa raste. Normalisht që na vjen keq që nuk arritëm të fitonim. Në fraksionin e parë edhe kundërshtari kishte shanset e veta. Vetëm në pesë minutat e fundit dominuam ne. Edhe në pjesën e dytë hymë në fushë më të motivuar dhe arritëm të krijonim shanse, por që nuk fituam dhe humbëm një mundësi që do të na jepte akoma më shumë qetësi për vazhdimësinë.

Me çfarë morali shkoni ndaj Kukësit dhe cili do të jetë synimi për këtë sfidë?
Morali është në nivelin e duhur, pasi edhe në ndeshjen e fundit morëm një barazim kundër Vllaznisë, që renditet e dyta. Për më tepër treguam rritje të konsiderueshme në lojë. Gjithsesi, na duhen me patjetër tri pikët për të fituar më shumë vetëbesim. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Loja fitohet në fushë, jo duke bërë parashikime për ndeshjen ndaj Kukësit. Duhet të jemi gjithë kohës me motivim maksimal. Na duhet akoma më shumë përqendrim.

Çfarë prisni nga ndeshja me Kukësin?
Jemi futur në fazën vendimtare të kampionatit dhe tani duhet të tregojmë cilësi, konsistencë dhe pjekuri për të marrë rezultatet që duam. Kukësi meriton respekt, mirëpo të dielën ne shkojmë për të fituar tri pikët.

A mendoni se ky është momenti i Teutës për pikët e qetësisë?
Nëse ne duam që të realizojmë objektivat dhe të arrijmë atje ku ne duam, duhet të fitojmë edhe ndeshjen ndaj Kukësit. Jo vetëm për të na dhënë më shumë qetësi, por një fitore ndaj këtij rivali mendoj se vlen 6 pikë.

Kush mendoni se mund ta bëjë diferencën në ndeshjen ndaj Kukësit?
Diferencën do ta bëjë fryma e grupit, sepse dhe vjet ky element ka ndihmuar Teutën për të bërë përpara. Teuta e ka treguar që s’ka pasur ndonjë individ me cilësi të jashtëzakonshme dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu, me frymën e grupit, duke mbështetur njeri-tjetrin dhe të marrim tri pikë ndaj Kukësit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"