Firmos Pero Pejiç: Ja pse zgjodha Kukësin. Skënderbeun do ta padis në FIFA për borxhin

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Qershor 17, 2014 | 9:05

Firmos Pero Pejiç: Ja pse zgjodha Kukësin. Skënderbeun do ta padis në FIFA për borxhin

Gjici dhe Pejic firmosin kontratenPero Pejiç është lojtar i Kukësit. Sulmuesi kroat ka firmosur dje një kontratë 1-vjeçare me skuadrën verilindore me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Mësohet se 31- vjeçari do të përfitojë rreth 80 mijë euro në vit. Por, këtë shumë, Pejiç do ta përfitojë të plotë nëse arrin të shënojë më shumë se 15 gola dhe klubi arrin të realizojë objektivat e sezonit. Kroati ka mbërritur dje në orën 15:00 në aeroportin “Nënë Tereza” dhe është pritur nga menaxheri i tij shqiptar, Elton Marini, të cilët janë takuar menjëherë me presidentin e Kukësit, Safet Gjici. Palët kanë arritur akordin përfundimtar dhe më pas palët kanë nënshkruar kontratën. Sot, kroati do të udhëtojë drejt Ohrit për t’iu bashkuar skuadrës. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, Pejiç rrëfen gjithçka, nga zgjedhja për të veshur fanellën e Kukësit, refuzimin e Partizanit dhe borxhin që i detyrohet Skënderbeu. “Realisht si fillim kam pritur Skënderbeun, me të cilin kam kaluar dy sezone të mrekullueshme. Kontrata me korçarët më skadoi më 31 maj, por nuk mund të firmosja kontratë të re pa më shlyer detyrimet e kaluara. Ata më mbajtën me fjalë e premtime, ku më thoshin: ‘eja se do të shlyhesh’. Por, nuk më pëlqeu kjo zvarritje, prandaj vendosa të shqyrtoj ofertat e tjera”, thotë ndër të tjera Pejiç.
Pero, të dielën keni nënshkruar me Kukësin, si ndiheni?
Po, kam arritur akordin me drejtuesit e Kukësit dhe në fund kam firmosur për një vit me këtë ekip. Menjëherë do t’i bashkohem skuadrës në fazën përgatitore që po kryen në Maqedoni dhe më pas do të kontribuoj për ekipin fillimisht në Ligën e Europës dhe më pas në kampionat. Por, nuk mund të luaj në ndeshjen e parë me Kukësin, pasi do të vuaj kartonin e kuq që kam marrë para një viti me Skënderbeun.
Përveç Kukësit, keni qenë në bisedime edhe me Partizanin. Çfarë ju shtyu që bëtë këtë zgjedhje?
Realisht si fillim kam pritur Skënderbeun, me të cilin kam kaluar dy sezone të mrekullueshme. Kontrata me korçarët më skadoi më 31 maj, por nuk mund të firmosja kontratë të re pa më shlyer detyrimet e kaluara. Ata më mbajtën me fjalë e premtime, ku më thoshin: “Eja një herë se pastaj do të shlyhesh”. Por, nuk më pëlqeu kjo zvarritje, prandaj vendosa të shqyrtoj ofertat e tjera. Kam pasur oferta nga Partizani, Kukësi, apo ndonjë ekip tjetër, por në fund vendosa për Kukësin.
Pse?
Zgjodha këtë klub, pasi në dy sezonet e fundit kanë treguar gjendje të mirë dhe kanë një ekip të kompletuar dhe pretendent. Nuk ia vlen të diskutosh se sa më dha Partizani e sa Kukësi, këto janë çështje personale dhe rëndësi ka që unë tani do të luaj për Kukësin, ku do të jap më të mirën time.
Sa ju detyrohet Skënderbeu dhe si do të veproni që t’i merrni?
Skënderbeu më ka një borxh të vjetër prej 15 mijë eurosh. Realisht në dy vite ia kam kaluar shumë mirë në Korçë, ku kam fituar gjithçka dhe ata kanë qenë korrektë me mua. Por, për sa i përket këtij borxhi, ata më kanë zvarritur, kështu që nuk mund të vijoja sërish atje, pa më shlyer. Nuk kam asgjë me ekipin apo tifozët, me të cilët ia kam kaluar shumë mirë në dy vitet e fundit dhe i falënderoj për gjithçka dhe u uroj suksese. Unë paratë e mia do t’i kërkoj në të gjitha mënyrat dhe nëse Skënderbeu nuk më shlyen, atëherë unë do t’i drejtohem FIFA-s dhe UEFA-s.

Kontratat te veriorët, ja kriteret e reja
Kukësi nuk do të përsërisë më gabimet që mund të jenë bërë më parë në merkato. Klubi ka vendosur kritere të forta edhe për ata që duan të provohen te ky ekip, por edhe për ata që do mund t’u bashkëngjiten skuadrës pa provë. Në zyrat e klubit kanë vërshuar shumë kërkesa nga menaxherë dhe lojtarë për t’u provuar, por pas shqyrtimit nga ana e stafit teknik, shumë prej kërkesave kanë marrë përgjigje negative. Përveç aftësive të lojtarëve që do vijnë, ndaj tyre stafi mjekësor do të bëjë të gjitha ekzaminimet për të parë gjendjen e tyre shëndetësore. Dhe nëse kanë kaluar testin e lojës dhe atë shëndetësor, ata mund të jenë më pas pjesë e bisedimeve për kontrata. “Ne do të bëjmë merkato të kujdesshme dhe nuk do të ngutemi për t’i hapur derën çdokujt që kërkon të vijë te ne. Trajneri Canaj dhe drejtori teknik, Shkëlqim Muça, janë përgjegjës për përzgjedhjet dhe vetëm ata kanë autoritetin e duhur për të përzgjedhur lojtarë. Ne nuk kemi ndër mend të bëjmë edhe shpenzime për lojtarë që vijnë në provë dhe nuk i fitojnë ato. Kush mendon se mund të përfaqësojë Kukësin me objektivat që ka, mund të vijë”, është shprehur Gjici në prononcimin e tij.

Bratiç drejt rikthimit, por do testohet gjendja
Mbërritja e parë në Ohër për provë pritet të jetë kroati Davor Bratiç. Ish-mesfushori i Skënderbeut dhe Flamurtarit ka qenë pjesë e Kukësit sezonin e kaluar gjatë fazës së parë, por nuk ka dhënë atë që pritej për shkak edhe të dëmtimeve dhe zëvendësimeve që ish-trajneri Naxhi Shensoi bëri për sa u përket lojtarëve të huaj. Bratiç momentalisht ndodhet në Kroaci për pushime dhe në fazën e dytë ishte pjesë e Kastriotit pas largimit nga Kukësi. Klubi ka zhvilluar kontakte me të dhe pritet të mbërrijë në Ohër, por jo për kontratë, por për të parë se cila është gjendja e tij. Bratiç njihet mirë nga drejtori teknik i skuadrës, Shkëlqim Muça dhe trajneri Agim Canaj, por ai do të testohet në gjithë elementët dhe në atë shëndetësor, pasi sezonin e kaluar shfaqi probleme. Pas verifikimit nga afër të gjendjes së tij në kompleks dhe nëse ai përmbush kriteret që ka klubi, atëherë do ulet në tavolinën e bisedimeve për kontratë. Gjithashtu, një shtysë më tepër që kroati mund të bëhet pjesë e skuadrës nëse kalon provën, është edhe fakti që Pero Pejiç është tashmë pjesë e verilindorëve. Drejtuesit e Kukësit synojnë të krijojnë një ekip cilësor për kampionatin e ardhshëm.
Jonuz Hallaçi

 






www.minuta90.com