“Është bërë si sëmundje ky komandimi i garës”, shpërthen trajneri i Kukësit: Tallje me kampionatin, këto gabime s’janë njerëzore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2023 | 18:54

“Është bërë si sëmundje ky komandimi i garës”, shpërthen trajneri i Kukësit: Tallje me kampionatin, këto gabime s’janë njerëzore

Pak javë më parë Kukësi shpalli “non grata” disa gjyqtarë dhe delegatë, me shpresën se gjykimet nuk do t’i kishin më kundër,duke pretenduar drejtësi. Mirëpo, e kanë parë veten sërish në një situatë ku u kanë hyrë në hak me vendimet e tyre dhe rasti më i fundit është ai ndaj bardhebluve të Tiranës. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, reagon trajneri Stavri Nica, i cili, si gjithnjë i drejtpërdrejtë, shprehet se nuk bëhet më fjalë për gabime njerëzore.

nica

Tekniku i bluve theksonse nuk po bëjnë aspak viktimën, ndërsa shprehet i bindur se kjo po kthehet në një sëmundje për futbollin shqiptar që duhet shëruar. Ai zbulon edhe diçka që u ka thënë lojtarëve tëtij: “Ua kam thënë lojtarëve që të mos merren më me arbitrat sepse i kanë kundër”.

Nica, Kukësi ka ankesa për gjykimin me Tiranën. Çfarë pretendoni?

Po më bën realisht shumë përshtypje kjo puna e arbitrave. Kolegu im mban shënim dhe kundërshtari bën 16 faulle rresht nuk merr asnjë të verdhë, ndërsa lojtari ynë me tri faulle del me të kuq pas dy të verdhëve. Nuk janë gabime njerëzore këto, sepse bëhet një herë apo dy, por jo kaq shumë.

Disa mund të mendojnë se po bëni viktimën…

Ndoshta nga të tjerët po dukemi sikur po bëjmë viktimën dhe nuk është ky qëllimi, e them sinqerisht. Por, realisht ashtu jemi, duke parë atë që po na ndodh me arbitrat. Kjo gjë të bën të mendosh se ata mbështeten diku, kanë siguri diku arbitrat.

Çfarë do të thotë kjo?

E kam thënë edhe herë të tjera dhe po e përsëris sërish. Është bërë si një sëmundje ky komandimi i kampionatit në këtë mënyrë. Për mua është gabim i madh që ndodh kështu. Kjosëmundje nuk e di se në vesh të kujt do të shkojë për tëgjykuar drejt një ndeshje.

Si mund të shërohet meqë e quani sëmundje?

Dihet se si bëhet shërimi. Njerëzit kanë vuajtur kur kanë luajtur futboll, kanë derdhur djersë, kanë thyer kockat dhe këmbët apo edhe kanë humbur jetën në fushë. Atyre (arbitrave) nuk u hyn shumë në sy kjo gjë dhe u duket futbolli vetëm lojë me top. Nuk i dinë këto sakrificat e mëdha që njerëzit luajnë me jetën. Pra, ata nuk e kanë vuajtur dhe nuk e ndiejnë, prandaj vazhdojnë kështu dhe janë kaq të ftohtë në marrëdhënie me futbollin.

Duke qenë se u bënë shumë raste, mos ndoshta Kukësi duhet të luajë sikur do t’i ketë gjithnjë kundër arbitrat?

Ua kam thënë lojtarëve që të mos merren më me arbitrat,sepse i kanë kundër. Edhe ata nuk reagojnë. Kanë marrë edhe urdhër, por edhe nuk kanë se çfarë të bëjnë, se nuk do të zihen me arbitrat.

Megjithatë, me Tiranën për pak mund ta fitonit ndeshjen edhe pse me një gjykim kundër?

Edhe mund ta fitonim ndeshjen, ishim afër. Sakrificë e madhe, lodhje e madhe, por kush i gjykon këta. Këta sikur nuk janë prindër vetë, sepse unë i gjykoj si fëmijët e mi. E di sakrificën që bëjnë dhe nuk mund të tallesh. Kjo ka kaluar në tallje, me kampionatin, me lojtarët dhe nuk e di pse janë kaq trima këta arbitrat.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"