Esat Ademi: Të ndryshojë vendimi për shpërblimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2014 | 13:46

Esat Ademi: Të ndryshojë vendimi për shpërblimin

ademi-esatIsh-presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, u shpreh i emocionuar për triumfin kuqezi në Kazakistan të Daniel Godellit dhe Romela Begajt. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, ish-kreu i shtangës kuqezi për disa mandate, njëherësh ish-anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Botërore, tha se seria e trofeve nuk njeh limite. Por ishpresidenti Ademi e vë theksin te ngërçi i shpërblimit financiar në stilet teke, sipas të cilit e ka kërkuar me kohë ndryshimin e vendimit të Këshillit të Ministrave. “Garat i ndoqa me shumë emocion dhe fundi na gëzoi të gjithëve, sikurse në të kaluarën. Edhe një herë tjetër shtanga po rikonfirmohet si sport elitar në arenën ndërkombëtare dhe numri i trofeve sa vjen e shtohet. E ardhmja është optimiste, peshëngritja po bën shumë progres. Në fakt, do të kisha shumë dëshirë t’i ndiqja nga afër, por nuk mund të qëndrosh gjithë jetën në një funksion. Patjetër që stafeta kalon në një staf tjetër drejtuesish dhe që duhen përgëzuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm, e shpërblyer me rezultate të larta”, deklaroi fillimisht ish-presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. I pyetur nëse është normale që një sportiste të shpallet kampione bote dhe një vendim i Këshillit të Ministrave e përjashton nga premtoja, Ademi u përgjigj që jo. “Vendimi aktual i Këshillit të Ministrave përcakton vetëm medaljen dhe nuk është i specifikuar nëse është i vlefshëm në stilet respektive apo në dygarësh. Në kohën që unë kam drejtuar federatën, e kam kërkuar gjithnjë, duke mos reshtur për asnjë moment, në institucionet përgjegjëse për ta ndryshuar këtë vendim, duke u dhënë prioritet edhe medaljet e fituara ën njërin stil. Në gjykimin tim, duhet me çdo kusht që ky vendim të ndryshojë. Kurrsesi këta sportistë nuk duhen diskriminuar, sepse në fund të fundit nuk kemi shumë të këtij rangu në arenën ndërkombëtare, por me kokrra”, përfundoi deklaratën e tij për gazetën Esat Ademi, ishnumri një i pedanës me shumë kontribute në sport, por edhe në ditët e sotme, edhe pse i shkëputur disi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"