Ernest Muçi te Beshiktashi, feston edhe Tirana. Ja sa përfitojnë bardheblutë nga shitja e sulmuesit të Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2024 | 22:52

Ernest Muçi te Beshiktashi, feston edhe Tirana. Ja sa përfitojnë bardheblutë nga shitja e sulmuesit të Kombëtares

Tiranë-Varshavë-Stamboll. Turqia është ndalesa e radhës në karrierën e Ernest Muçit sepse dje, në ditën e fundit të merkatos për këtë kampionat, iu bashkua gjigantëve të Beshiktashit.muci

Një shqiponjë te skuadra e shqiponjave, ashtu siç e ka epitetin klubi turk. Muçi u transferua për 10 milionë euro që i kalojnë Legias. Ka qenë vetë presidenti i Beshiktashit Hasan Arat që ka udhëtuar drejt Varshavës me avion privat për të marrë Ernest Muçin. Futbollisti i Kombëtares shqiptare firmosi një kontratë 3 vite e gjysmë dhe do të përfitojë rreth 1.8 milionë euro në vit si rrogë.

“Është arritur një marrëveshje me të dhe klubin e tij në lidhje me transferimin e futbollistit profesionist Ernest Muçi. Një tarifë totale e transferimit prej 10,000,000 Euro do t’i paguhet klubit të Legia Varshavës. Me lojtarin është arritur marrëveshje për 3.5 sezone deri në fund të sezonit 2026-2027. Përveç kësaj, 10% e fitimit neto nga shitja e radhës do t’i paguhet klubit të tij të mëparshëm si tarifë transferimi”, ishte njoftimi zyrtar i Beshitashit.

Muçi do të jetë menjëherë gati që në ndeshjen e radhës dhe do të mbajë në fanellë numrin 23. Ndërkaq, te skuadra e Beshiktashit do të gjejë edhe Milot Rashicën. Muçi qëndroi për tri vite në Poloni ku luajti për 114 ndeshje dhe shënoi 21 gola. Në ndeshjet e grupit në Ligën e Konferencës, 22- vjeçari tregoi klasin e tij në përballjet me Aston Vilën, ku iu shënoi 3 gola. Në aventurën e re, Muçi do të vihet nën urdhrat e Fernando Santosit, ish-trajnerit të Polonisë që u shkarkua pas humbjes me Shqipërinë në kualifikuese dhe që tani drejton Beshiktashin. Ernesti bëhet transferimi i tretë më i shtrenjtë nga kuqezinjtë pas Kumbullës dhe Asllanit.

FLET MUÇI- Pas zbarkoi në Stamboll dhe u prit në aeroport nga tifozë dhe media, Muçi dha edhe një prononcim të shkurtër për këtë kalim surprizë. Ai u shpreh se është shumë i lumtur që është pjesë e një klubi legjendar në Turqi si Beshiktashi. “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Është një ëndërr e kthyer në realitet për mua që të luaj për një klub kaq të madh. Mezi po pres të përshëndetem me të gjithë tifozët, të takoj lojtarët, trajnerin. Mezi po pres të filloj. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi legjendar në Turqi”, tha Muçi mes emocionesh. Transferimi?

“Ndodhi shpejt sipas mendimit tim. Ndodhesha në hotel, sepse do të luaja ndeshjen e radhës me ish-klubin tim. Kështu që ndodhi shumë shpejt. Në mëngjes udhëtova drejt Varshavës që të isha këtu. Ndodhi shumë shpejt dhe jam shumë i lumtur që u krye ky transferim. Është një nder i madh për mua që të jem pjesë e një klubi kaq të madh”, ishin fjalët e para të Muçit.

PËRFITON TIRANA- Në vitin 2021 Tirana e shiti te Legia e Varshavës Ernest Muçin për 500 mijë euro. Sulmuesi ishte lojtar shumë i talentuar dhe për këtë bardheblutë ruajtën 10 % në kontratë për shitjen e radhës dhe tani, pas tri vitesh do të përfitojnë 1 milionë euro nga kalimi i sulmuesit te Beshiktashi.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"