Erdhi nga Greqia në Ballsh, Laert Papa: Bylisi, trampolina e së ardhmes sime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 13:33

Erdhi nga Greqia në Ballsh, Laert Papa: Bylisi, trampolina e së ardhmes sime

Besa do të jetë malorja e radhës për Bylisin në transfertë. Skuadra e Arian Bellait do të jetë e plotë dhe stafi gjatë javës stërvitore është marrë me detajet në çdo repart. Ballshiotët do të shkojnë për të bërë lojën e tyre dhe për të marrë pikët maksimale.

bylis papa

Një nga lojtarët titullarë të Bylisit, mesfushori Laert Papa, që shënoi gol në debutim ndaj Apolonisë, në fitoren 3-1, synon që ta shfrytëzojë këtë eksperiencë për të veshur fanellën kuqezi, si dhe një trampolinë për karrierën. Në një prononcim për “Panorama Sport”,  21-vjeçari ka deklaruar: “Debutimin me Bylisin në Kategorinë e Parë e kam bërë me gol ndaj Apolonisë, takim të cilin e fituam në shtëpi. Kam luajtur me kombëtaret e moshave nga U-15 deri U-19 dhe dua që të luaj edhe me U-21.

Tani jam më i pjekur dhe po luaj si titullar, por këtë sfidë me kavajasit duhet që ta fitojmë dhe të ruajmë vendin e parë në klasifikim. Kemi disa sfida delikate, kështu që duhet që të jemi shumë të qetë dhe të punojmë për të ruajtur këtë formë. Kalendari është i vështirë, sepse luajmë dy takime jashtë dhe më pas presim Elbasanin në fushën tonë dhe e mbyllim fazën e dytë.

Pra, do të luajmë tri sfida që janë si finale për ne, me skuadra shumë të forta. Bylisin e shikoj si trampolinë për të ardhmen time. Unë vij nga klubi grek i AEK-ut, por e njoh Bylisin sepse këtu lojtarët që duan të promovohen ecin mirë. Kushtet janë mjaft të mira dhe klubi i ka prioritet lojtarët e rinj. Jam i bindur që nga Bylisi do të shkoj sërish në Europë”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"