“Elbasani u dënua prej vetëm 30 personave”. Festa e ngjitjes pa tifozë, drejtori Guranjaku: E apeluam vendimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2024 | 18:32

“Elbasani u dënua prej vetëm 30 personave”. Festa e ngjitjes pa tifozë, drejtori Guranjaku: E apeluam vendimin

Duket si një ironi e pakëndshme e fatit, por të paktën kështu do të duhet të ndodhë tani. Elbasani mund të festojë ngjitjen në mënyrë matematikore këtë javë ndaj Apolonisë, pa praninë e tifozëve. Thuhet kështu, pasi verdheblutë janë të dënuar me katër ndeshje pa spektatorë nga Komisioni i Disiplinës, si brenda dhe jashtë fushës dhe për momentin kanë shlyer një, atë ndaj Korabit.

elbasani feste

Vetëm nëse kryejnë të paktën gjysmën e dënimit, mund të paguajnë gjobën, gjë që i privon për momentin ta aplikojnë këtë gjë ndaj Apolonisë. Megjithatë, shpresat nuk janë humbur ende për të pasur tifozë ndaj fierakëve, sepse klubi ka apeluar vendimin.

DREJTORI – Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, drejtori Elton Guranjaku, pohon se me Apoloninë kishin menduar edhe një festë dhe i vjen keq që për 30 tifozë dënohet i gjithë qyteti. “Më vjen keq, pasi nuk mund të dënohet një stadium apo qytet i tërë prej 30 personave që thyejnë rregullat. Më vjen keq, sepse ndeshja me Apoloninë me shumë mundësi mund të sigurojë matematikisht edhe hyrjen e skuadrës në Superiore dhe ne kishim menduar të bënim një festë me tifozët tanë në stadium”, u shpreh fillimisht Elton Guranjaku në lidhje me këtë vendim të Komisionit të Disiplinës.

APELIMI – Në vijim të fjalës së tij, drejtori pohon se klubi ka apeluar dënimin dhe pret një tjetër vendim që të mos penalizojë një qytet. Ai jep edhe raste analoge që bëhet në vende të tjera, duke mos sjellë penalizime në masë. “Klubi ka bërë një apelim ndaj këtij vendimi dhe jemi në pritje. Ne mendojmë që normalisht një klub, një tifozeri apo qytet, nuk duhet të dënohet për 30 vetë, sepse pjesa tjetër e stadiumit nuk po bënte kore ndaj kundërshtarit. Ishte një pjesë e vogël dhe ndoshta ajo pjesë mund të dënohet dhe kemi raste të ndryshme në të gjithë botën. Ai sektor dënohet dhe nuk vjen në stadium. Gjithsesi, ne presim vendimin këto ditë dhe shpresojmë që t’i kemi tifozët në stadium për ndeshjen me Apoloninë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën drejtori i klubit elbasanas. Duhet thënë, se deri tani verdheblutë janë skuadra që në futbollin shqiptar kanë pasur prezencën më të madhe të tifozëve në shkallët e stadiumit dhe në momentin më kulminant të festës, rrezikon t’i ketë ata jashtë stadiumit.

  Gjobat

Disiplina, 9 ndëshkime për verdheblutë

Elbasani është dënuar në nëntë takime të këtij sezoni me gjobë, në tetë prej tyre për shkak të sjelljes së tifozëve dhe një për problem të organizimit. “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim të gjitha ndeshjeve që klubi është penalizuar me gjobë dhe në total janë 4 milionë lekë të vjetër që do të dalin nga arkat e klubit si shkak i këtyre problemeve. Praktikisht në 1/3 e ndeshjeve të këtij sezoni, Komisioni i Disiplinës në FSHF ka penalizuar verdheblutë, ku më i rëndi ishte pikërisht ky i fundit, jo vetëm sa i përket gjobës në vlerë monetare, por edhe penalizimit të tifozëve. Kujtojnë se klubi u dënua për koret ofenduese të tifozëve ndaj trajnerit të Lushnjës, Gugash Magani dhe djalit të tij, Endrien Magani, futbollist i Lushnjës.

 NDESHJA    GJOBA (lekë)    ARSYEJA

Elbasani–Vora   50 mijë + dëmshpërblim i stadiumit   Sjella e tifozëve

Lushnja–Elbasani     25 mijë    Sjella e tifozëve

Elbasani–Apolonia    50 mijë    Sjella e tifozëve

Elbasani–Korabi 50 mijë    Sjella e tifozëve

Elbasani–Flamurtari  25 mijë    Sjella e tifozëve

Bylis–Elbasani  50 mijë    Sjella e tifozëve

Besa–Elbasani   25 mijë    Sjella e tifozëve

Kastrioti-Elbasani   25 mijë    Mungesa e fanellave

Elbasani–Lushnja     100 mijë + 4 ndeshje pa tifozë Sjella e tifozëve

Totali     400 mijë lekë  

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"