Elbasani përmbys Trenin e Luzit, trajneri Dede: Rëndësi kanë pikët, nëse rrëshqisnim…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 13:36

Elbasani përmbys Trenin e Luzit, trajneri Dede: Rëndësi kanë pikët, nëse rrëshqisnim…

Elbasani bën detyrën në shtëpi duke mundur minimalisht Luzin në shifrat 2-1 në startin e fazës së tretë. Të parët ishin miqtë që kaluan në avantazh me anë të Trenit, por Melo barazoi pas 5 minutash. Në të dytën verdheblutë ia dalin të shënojnë golin e fitores pas penalltisë së shndërruar në gol nga Lila, ndërsa më herët ishte Hila ai që gaboi nga pika e bardhë.  

elbasani

Ndeshja –Elbasanasit vihen menjëherë në kërkim të golit dhe është Ardit Hoxhaj që për pak shënon. Miqtë përpiqen më shumë të mbrohen dhe nuk lënë shumë hapësira mbrapa, ndonëse kur dalin në sulm me Trenin dhe Mandelën krijojnë panik. Hila tenton të zërë në befasi portierin me një gjuajtje në kufijtë e zonës, por pret portieri Mati. Atëherë kur nuk pritej, në të 35-ën Luzi goditet Elbasanin.

Pas një aksioni të bukur, Treni në kufijtë e zonës së rreptësisë godet saktë dhe shënon. Shokohen verdheblutë që nisin të zgjohen dhe vihen në kërkim të golit të barazimit. Zgjat 5 minuta avantazhi i Luzit, pasi Leo Melo rikthen baraspeshën me një ‘predhë’ nga 35 metra, me topin që i shpëton nga duart portierit. E para mbyllet në shifrat 1-1. Fraksioni i dytë nis menjëherë me një mundësi shënimi për verdheblutë. Një ndërhyrje ndaj Grecës në zonë sjell penallti për Elbasanin në të 51-ën.

E merr përsipër Hila, por grushton mrekullisht gardiani mik, duke mos lejuar prekjen e rrjetës. Dede bën menjëherë tri zëvendësime, duke futur në lojë Hasanin, A. Kasën dhe Fernandesh për t’i dhënë një tjetër impuls sulmit. Në të 60-ën elbasanasit fitojnë sërish penallti, pas një tjetër ndërhyrje në zonë. E merr përsipër kësaj here Lila dhe nuk gabon, duke kaluar në avantazh verdheblutë.

Ndeshja ka ritëm, sepse miqtë nuk dorëzohen dhe ushtrojnë presion lart, por Elbasani ka kualitetet që të qetësojë lojën dhe mbajë larg kundërshtarin. Greca dhe Bobi kanë mundësi të mira shënimi të mbyllin ndeshjen, por Mati është në lartësinë e duhur duke evituar gola të sigurt. Gjithsesi, në fund Elbasani siguron tri pikët dhe ruan hapin e pretendentit.

NEVIL DEDE

“Rëndësi kanë pikët, nëse rrëshqisnim…”

Pas ndeshjes për “Panorama Sport”, trajneri i Elbasanit, Nevil Dede, pohoi se e kënaqin pikët. “Mbi të gjitha dua të falënderoj djemtë për kontributin që dhanë. Nëse ne do të rrëshqisnim sot (dje), teorikisht dhe praktikisht përgjegjësia do të binte mbi mua, por në fund fare ia dolëm.

Komplimente për tri pikët, për sakrificën që bën djemtë, por kam një falënderim të veçantë për të gjithë lojtarët që u futën si zëvendësues, pasi i dhanë një tjetër impuls skuadrës. Janë ndeshje të vështira kur luan me vendet e fundit. Nuk duhet të marrim gol dhe kjo më shqetëson realisht, pasi ne punojnë çdo ditë për tu përmirësuar.

Në fund fare, në këtë pikë ku është kampionati, më shumë rëndësi kanë pikët, sesa loja. Shpërdoruam shumë dhe në disa situata tranzicioni duhet të bënim më mirë”, u shpreh Dede.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"