Elbasani, ekspert i përmbysjeve në shtëpi. Verdheblutë ia kanë dalë 4 herë të fitojnë nga disavantazhi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2024 | 12:15

Elbasani, ekspert i përmbysjeve në shtëpi. Verdheblutë ia kanë dalë 4 herë të fitojnë nga disavantazhi

Elbasani është kthyer në një skuadër eksperte të kthimit të rezultatit këtë sezon në Kategorinë e Parë. Të dielën, ndaj Luzit ishte hera e katër këtë sezon për verdheblutë, të cilët duket se janë mësuar me situatat e kësaj natyre.

elbasani

Trajneri Nevil Dede e ka vënë shpesh theksin te golat që pëson skuadra, një sëmundje që vijon të jetë nga starti i këtij edicioni. Gjithsesi, për aq kohë sa ekipi gjen forcat për të reaguar, gabimet e ndodhura shuhen. Jo rastësisht, në katër ndeshje pasi skuadra ka pësuar gol e para, ia ka dalë ta kthej rezultatin. Ndërsa në një rast tjetër, pikërisht ndaj Vorës në transfertë e ka mbyllur në barazim.

PËRMBYSJET –Bie në sy fakti që Elbasani di të përmbysë ndeshjet vetëm kur luan në “Elbasan Arena”, motivuar ndoshta edhe nga mbështetja e publikut. Për t’i marrë me radhë, të besuarit e trajnerit Dede e kanë nisur serinë e përmbysjeve që në dy ndeshjet e para në shtëpi, fillimisht përballë Vorës dhe më pas kundër Apolonisë. Në të dyja rastet sfida është mbyllur në shifrat 3-2 dhe Elbasani ia ka dalë të kthejë avantazhin vetëm në minutat shtesë.

Për të vijuar më pas edhe me Korabin po në shtëpi, ku pësonin gol të parët, dhe më pas gjenin forcat për të siguruar tri pikët. Asgjë nuk duket rastësore, pasi e njëjta gjë ndodhi edhe me Luzin këtë fundjavë. Elbasanasit e Dedes treguan se kur skuadra ndihet nën presion, e kanë më të thjeshtë të shkojnë te goli dhe të marrin rezultatin. Ndërsa në transferta, ekipit nuk i ka ndodhur asnjëherë që ta kthejë rezultatin, përpos një barazimi 1-1 që ka marrë me Vorën. Në të dy rastet Elbasani ka dalë i mundur, përballë Korabit dhe Flamurtarit të luajtura në transfertë, ku vetëm kanë ngushtuar diferencat.

Edhe pse ekipi në fund ka koleksionuar fitoret, Elbasani është një skuadër që të bën me zemër dhe në klub duan ta evitojnë sa më shumë këtë aspekt dhe të mos i vënë më në diskutim fitoret, për më tepër kur luajnë në shtëpinë e tyre. Ndeshjen e radhës elbasanasit do ta luajnë në transfertë ndaj Besës së Kavajës, sfidë që është programuar të luhet në stadiumin e Luzit. Në dy përballjet e kaluara, elbasanasit ia kanë dalë të marrin pikët e plota, ndaj me këtë synim do të futen edhe në këtë ndeshje.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"