EKSKLUZIVE/ “Xixa” në Vlorë, administratori sulmon legjendën kuqezi. Idrizi “thumbon” Kushtën: Hesht për interesa vetjake

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 14:17

EKSKLUZIVE/ “Xixa” në Vlorë, administratori sulmon legjendën kuqezi. Idrizi “thumbon” Kushtën: Hesht për interesa vetjake

Sinan Idrizi ndien keqardhje që Sokol Kushta hesht për padrejtësitë që i bëhen Flamurtarit. Administratori i klubit uron që heshtja e legjendës vlonjate të mos lidhet me interesa meskine. Idrizi mendon se bashkëpunimi që Kushta ka me FSHF-në për ndërtimin në Vlorë të një qendre sportive, ia ka mbyllur gojën.

sokol-kushta-sinan-idrizi

Për “Panorama Sport”, Idrizi thekson se nëse ai nuk do të financonte sot te Flamurtari, Bashkia e Vlorës nuk do të kishte kryer asnjë investim këtë vit, pasi buxheti që derdh në klub, është sa zëri i investimeve të bashkisë. “Gjëja që realisht më plogështon dhe më mërzit është mosreagimi qytetar i anëtarëve të Këshillit Bashkiak, sidomos i atyre që vijnë nga sporti. Ata reagojnë vetëm në fund të qershorit kur është koha që bëjnë kërkesën e radhës për ta shtyrë edhe një vit kontratën, për të ndihmuar bashkinë nga rëndesa e taksave. Nëse këtë vit ata nuk do të kishin ndihmën time për Flamurtarin, të jeni të sigurt se Bashkia e Vlorës do ta kishte zero mundësinë e investimit në qytet.

Sot çuditërisht nuk ndihen. Unë jam fans i madh i Sokol Kushtës, por ai nuk flet. Nuk flet pas ndeshjes me Elbasanin, nuk flet për organizimin e garës. Thotë pse duhet të flas unë. Ti duhet të flasësh sepse ti je etaloni i Vlorës. Je ai që na ke nderuar. Fanella jote është me peshë të jashtëzakonshme. Unë jam thjesht një financues i klubit. Kurse ti je një emër i qytetit. Emri yt është më i madh nga të gjithë emrat tanë. Nuk duhet të heshtësh, larg qoftë të themi për arsye meskine. Mund të bëjë një marrëveshje shumë të mirë me FSHF-në, mund të bëjë investime. Është problemi i tij çfarë bën me FSHF-në. Madje do të jetë një gjë shumë e bukur. Unë jam nga të parët që them, që nëse më krijohet mundësia edhe mua, mund të hyjë në rolin e investitorit pa kërkuar aksione te projekti ‘Kushta Center Sport’, nuk e di është një diçka e tillë.

Kjo është një marrëdhënie shumë e mirë që Koli mund të ndërtojë me federatën. Por kjo nuk do të thotë që ti me emrin që ke krijuar te Flamurtari të heshtësh. Pastaj në fund, në qershor do të thuash që janë në Kategori të Dytë këta, harxhojnë lekë, por nuk dinë se si i harxhojnë. Do ndodhi siç ndodhi vjet me Dinamon, siç ndodhi edhe këtë vit. Këto janë të gjitha bashkë. Kërkoj pak më tepër përgjegjësi qytetare. Këto personazhe nuk flasin. Nuk i di arsyet, nuk i kuptoj dot. Unë shoh që janë të kufizuar emrat që dalin dhe prononcohen në gazetë. Kjo nuk është marka ime, është e të gjithë qytetit”, shprehet fillimisht Idrizi.

SUPERIORJA – Sinan Idrizi thekson, se Superiorja është objektivi final, por i druhet prapaskenave si një vit më parë. “Qëllimi ynë final është që të tentojmë të hyjmë më Superiore këtë vit. Gjatë këtij rrugëtimi këto gjëra do të ndodhin. Ne nuk duhet që ta braktisim fushën. Të tjerat pastaj i kemi kundër, i kemi, por…Lojtarët e kanë të qartë dhe e dinë.

I kemi kundër nuk mund të them, por nuk ka një strukturë asnjanëse në organizimin e garës. Kjo strukturë asnjanëse është lënë në dorën e disa zotërinjve që bëjnë ato, siç bënë në Elbasan. Ato që bënë në Burrel në fazën e parë. Po të analizosh shumatoret e gjendjes së ekipit, do të shohësh të paktën që vetëm me këto ndeshje kemi humbur shumë pikë, që po t’i kishim do të mbanim një vend tjetër”, shprehet kreu i klubit.

ECURIA – Pavarësisht dy ndeshjeve jo të mira me Burrelin dhe Lushnjën, Sinan Idrizin e kënaq puna e skuadrës dhe trajnerit Eqerem Memushi. “Flamurtari ka bërë dy ndeshje jo të mira, ka qenë Burreli, ka qenë edhe Lushnja. Në ndeshjet e tjera ekipi ka qenë në harmoni. Unë jam besimplotë në punën e ekipit. Në atë që është duke bërë ekipi. Unë e kuptoj këtë historinë që…Vajti kohë e gjatë që Flamurtari nuk është në Superiore, njerëzit e ndiejnë dhe unë i mirëkuptoj ata.

Por duhet të kemi pak më tepër besim dhe durim te stafi i njerëzve tanë. T’i japim më shumë vëmendje, të çojmë durimin në vend të parë sesa historinë e tifozëve të mërzitur. Edhe unë mërziten si gjithë të tjerët, por në fund fare nuk kemi çfarë t’u themi. Unë jam i kënaqur me punën e profesor Eqeremit. Mbi të gjitha të profesor Mond Liçajt, të stafit, të profesor Ferkos dhe të gjithë të tjerëve me radhë, djemve të ekipit. Ndodhin këto në futboll. Janë gjëra krejt normale”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"