EKSKLUZIVE/ “Vllaznia s’ka dhurata, por çalon loja”, legjenda Zmijani: Egnatia është prova e së vërtetës, shkodranët po bëhen të frikshëm (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 21:20

EKSKLUZIVE/ “Vllaznia s’ka dhurata, por çalon loja”, legjenda Zmijani: Egnatia është prova e së vërtetës, shkodranët po bëhen të frikshëm (E PLOTË)

“Mjeshtër i madh”, Hysen Zmijani ka vlerësuar atë që po bëhet deri tani te Vllaznia.

zmijani

Ecurinë e skuadrës ia dedikon një serie faktorësh. Rezultatet e deritanishme janë meritë e stafit drejtues dhe e gjithë lojtarëve pa përjashtim. Ndërkohë, në intervistën për “Panorama Sport”, ai ka komentuar edhe shortin e Kupës, ku e shikon si një “përleshje”, mes më të mirave momentalisht të sezonit. Të dy ekipet do të matin forcat, sipas Zmijanit para se të diskutojnë mes tyre edhe kampionatin.

Zmijani, një Vllazni që s’po di të ndalet, apo jo?

Ishte diçka që pak kujt mund t’i kishte shkuar ndërmend që kjo Vllazni, të ketë një ecuri të tillë. Mund të them se askush si ka falur gjë, askush nuk i ka bërë asnjë favorizim, por gjithçka deri tani e ka, të vetën me meritën e plotë. Një meritë e stafit teknik dhe kryesisht e gjithë lojtarëve.

Ka shumë harmoni, shumë punë e përkushtim, disiplinojnë në lojë dhe nuk po mungon as fati që mesa duket tani është në anën e tyre. Nuk mund të themi se po bën një lojë nga më të mirat, por po merr maksimumin dhe kjo mbyll gjithçka. Nuk mund të thuhet se po luan atë që ne presim, por mund të them se edhe rastësisht rresht 12 rezultate pozitive në kampionat me 10 fitore. Dy barazime nuk të lënë për të thënë asgjë negative në atë që po bën dhe si po funksionin kjo skuadër.

A mund të quhet tani çështja e katërshes e kryer?

Mund të them se për katërshe as që bëhet më fjalë. Gjithçka mund të ndodhë, por nuk duket se ka vend më për të diskutuar për këtë gjë. Ku do të jetë, pritet që të shihet. E thashë edhe më lart, kjo Vllaznia ka bërë gjithçka mirë dhe jo rastësisht. Askush s’e ka falur apo toleruar deri tani, vetëm i është dhënë haku.

Çfarë mund të na thoni për çështjen e titullit kampion?

Është ende herët që të flitet për titull me këtë formulë të “Final 4”. Megjithatë shanset janë dhe nuk mungojnë.

Vllaznia është vetëm dy pikë larg Egnatias së vendit të parë…

Kam thënë edhe më herët, që për mua i vetmi ekip që ka bërë mirë ka qenë Egnatia. Ka treguar se është një skuadër dhe të them të drejtën në këto javët e fundit nuk më duket më ajo e para. Megjithatë, Egnatian e shoh para të tjerave këtu fus edhe Vllazninë. Ndërsa të tjerat nuk i shikoj se kanë gjë më shumë se Vllaznia, për të mos thënë se nisur nga shifrat qëndrojnë më poshtë sesa ajo.

Për Kupë shorti në gjysmëfinale ka vënë pikërisht Egnatian e Vllazninë…

Mund të them se është një provë force për të skuadrat para kampionatit. Janë dy skuadrat që janë në krye dhe do të kenë dy ndeshje që pavarësisht se janë për Kupë do të vlejnë si një shprehje “force” ndaj njëra tjetrës.

Sipas jush, a do të vijojë kjo ecuri e Vllaznisë?

Çdo skuadër mund të ketë edhe ndalesat e veta. Por mendoj se me këtë entuziazëm, me këtë lojë dhe përkushtim e dëshirë që kanë gjithë lojtarët i shoh si një skuadër që është e vështirë për t’u mundur. Nuk mund të thuash që tani po çalon mbrojtja, po çalon mesfusha apo sulmi. Të gjithë po funksionojnë si një. Vllaznia po tregohet e frikshme, pavarësisht se e theksova edhe më herët, loja nuk është më e mira si ne presim, por Vllaznia po luan dhe merr maksimumin. Prandaj kjo është Vllaznia që të lë të shpresosh nëse do të vijojë me këtë ritëm.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"