EKSKLUZIVE/ Vetëm 73 minuta aktivizim, Skënderbeu largon sulmuesin xhamajkan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2023 | 10:00

EKSKLUZIVE/ Vetëm 73 minuta aktivizim, Skënderbeu largon sulmuesin xhamajkan

Sulmuesi Zhurdën Fleçer mund të quhet “blofi” i parë i merkatos verore të Skënderbeut. Nga dje, 25-vjeçari nga Xhamajka nuk është më pjesë e skuadrës, duke u larguar pa lënë gjurmë në Korçë, me vetëm 73 minuta aktivizim në total, teksa luajti si zëvendësues në katër ndeshjet ndaj Dinamos, Tiranës, Teutës dhe Kukësit.

flecer

I afruar me bujë rreth dy muaj më parë, Fleçer qëndroi gjatë gjithë kohës jashtë grupit, nisur nga forma jo e mirë fizike që kishte. Ai nuk u përshtat me ekipin, edhe pse mori një program individual për të ardhur sa më shpejt në formë dhe të ndihmonte skuadrën.

Mesa duket, në periudhën para se të arrinte akordin me Skënderbeun, lojtari kishte pushuar më shumë seç duhej, në një kohë që për herë të fundit kishte luajtur më 13 qershor me skuadrën Mount Pleasant Academy, ku dhe u shpall kampion në Xhamajkë.

Duke parë formën jo të mirë dhe faktin që trajneri Ivan Gvozdenoviç po bën plane me të tjerë sulmues, ditët e fundit drejtuesit e klubit i kërkuan Fleçerit zgjidhjen e kontratës.

“Panorama Sport” mëson nga burime brenda klubit se fillimisht Fleçer ka pasur një takim me trajnerin, të cilit i ka kërkuar të tregojë pozicionin e tij në skuadër. Pasi ka marrë informacionin se për momentin është zgjedhje e fundit nga pesë sulmuesit që ka Gvozdenoviç në dispozicion, atëherë Fleçer ka kërkuar zgjidhjen e kontratës për këtë kërkuar një tjetër sistemim.

Natyrisht, kjo ka qenë edhe në interes të klubit Skënderbeu, duke qenë se lojtari ishte shumë larg pritshmërive që kishin drejtuesit. Mësohet se kontrata është zgjidhur në mënyrë konsensuale mes palëve, me klubin korçar që ka parë gjithçka në detaje.

TITULLARË 2 PRAPASKENAT

Pas largimit të Fleçer duket se fshihet nigeriani Uçe Sebastine. Sulmuesi që u afrua nga Skënderbeu vetëm para dy javësh, po djeg shpejt etapat, duke fituar besimin e trajnerit si zgjedhje e parë për këtë repart.

Ai debutoi me fanellën bardhekuqe në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit dhe mësohet se gëzon një formë të mirë fizike. Bëhet fjalë për një qendërsulmues tipik, që do të shërbejë si pikë referimi në repartin e avancuar, ku deri më tani kanë luajtur si titullarë Ardit Nikaj dhe Ermir Rashica.

Pra, atë që Fleçer nuk arriti ta bënte, duke mos u përshtatur me skuadrën, po e bën në një kohë të shpejtë nigeriani Uçe. Pikërisht sinjalet pozitive nga ky i fundit kanë larguar Fleçerin, por në të njëjtën kohë po vendosin në “presion” trajnerin për ndryshimin e modulit të lojës.

Uçe po lufton për të kapur shumë shpejt një pozicion titullari, edhe pse Nikaj e Rashica po bëjnë mirë deri më tani. Për trajnerin kjo është një situatë pozitive, sepse rrit konkurrencën në sulm dhe shton alternativat, për më tepër që nga stoli është i gatshëm edhe nigeriani tjetër i ardhur nga Turbina, Franklin Ahanonu.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"