EKSKLUZIVE/ “Unë detyrat i kam bërë”, Halili: Ndoshta nuk janë lojtarët që do stafi, prisja më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2023 | 23:55

EKSKLUZIVE/ “Unë detyrat i kam bërë”, Halili: Ndoshta nuk janë lojtarët që do stafi, prisja më shumë

Refik Halili është i qartë. Priste më shumë nga Tirana e tij në Europë, ndërsa nga ana tjetër beson te kualifikimi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, presidenti pranoi se skuadra është e dubluar, paçka emrave dhe dëshirave të stafit, merkatoja është e mbyllur, por nëse trajneri kërkon lojtarë të tjerë është i hapur për afrime. Në fund Halili pranoi se është i bindur që Tirana e tij do të jetë perfekte në fushën e lojës.

halili

Zoti Halili, Tirana barazoi me Batumin, por si e patë ju ndeshjen me Dinamon?
Që të themi është një skuadër e re, mund ta themi. Skuadra ime ka goxha lojtarë të larguar nga sezoni i kaluar, por edhe lojtarë të ardhur së fundmi. Ka edhe disa lojtarë që kanë qenë pjesë e skuadrës sonë dhe nga ata që kanë luajtur në kampionatin shqiptar. Në këto kushte ndeshja ishte e mirë.

Ju jeni i kënaqur me atë që skuadra dha në fushën e lojës ndaj gjeorgjianëve?
Realisht prisja që të bënim më mirë në këtë ndeshje. Ndoshta problemi është që janë skuadër e re. Sapo kanë filluar të stërviten bashkë dhe të jenë ekip. Këtë do ta shohim në vazhdim. Nga ana tjetër, nuk dua që të justifikohem me këto që them.

Mendoni se Tirana ka shpresa për t’u kualifikuar në turin tjetër të Konferencë Ligës?
Tani nuk kam çfarë të them më. Duhet të vazhdojmë punën tonë. Të vazhdojmë rrugën tonë. Atë rrugë që kemi planifikuar. Kualifikimin në turin tjetër.

Keni një vlerësim për atë që ka bërë kjo Tiranë këtë verë dhe çfarë presim nga kjo skuadër?
Unë gjërat e mia i kam bërë. Kam sjellë futbollistët në skuadër. Ndoshta nuk janë ata që do stafi, por mendoj se kemi bërë një merkato të kujdesshme dhe të mirë. Rolet i kemi të gjitha të dubluara. Shpresoj që nga dita në ditë, kjo skuadër të jetë më e bashkuar dhe e lidhur me lojën e tyre. Edhe stafi do të punojë mirë. Besoj që do të rrisim nga dita në ditë lojën dhe performancën, duke luajtur më mirë se sot(dje).

Tirana barazoi me Batumin 1-1, por çfarë duhet të bëjë ndryshe nga ajo që bëri për të marrë kualifikimin? 
Gjatë kësaj jave të jenë të kujdesshëm. Të vazhdojnë të punojnë siç kanë punuar. Të mos kemi dëmtime dhe të shkojmë në Gjeorgji sa më freskët. Atje të bëjmë një ndeshje të kujdesshme, pse jo edhe për të fituar.

Tani mund të themi se merkatoja e Tiranës është mbyllur apo do të ketë të tjera afrime?
Nuk e besoj që do të kemi më afrime. Nëse do të ketë lojtarë që do të kërkohen nga stafi do t’ia plotësojmë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL