EKSKLUZIVE/ U përplas me trajnerin Nica, ja pse mesfushori 25-vjeçar prishi kontratën me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2023 | 8:35

EKSKLUZIVE/ U përplas me trajnerin Nica, ja pse mesfushori 25-vjeçar prishi kontratën me Kukësin

Vjen largimi i parë nga Kukësi ende pa u mbyllur faza e parë. Mesfushori Arbër Basha nuk do të jetë më pjesë e verilindorëve, me klubin dhe vetë lojtarin që kanë lajmëruar ndërprerjen e bashkëpunimit midis tyre. Thuajse në të njëjtën kohë të dyja palët në mesditën e djeshme kanë njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit, nëpërmjet rrjeteve të tyre sociale.

basha

“Falënderoj FK Kukësin për bashkëpunimin! Falënderoj edhe tifozët kuksianë dhe u uroj shumë suksese”, shkruante mesfushori. “FK Kukësi edhe lojtari Arbër Basha kanë mbyllur bashkëpunimin midis tyre! Faleminderit dhe suksese në karrierën tënde Arbër”, shkruhej në reagimin e thatë të klubit për ndërprerjen e këtij bashkëpunimi.

Mjafton të shihet mënyra se si palët kanë lajmëruar “divorcin” për të kuptuar se kanë mbetur të pakënaqura nga njëra-tjetra dhe ndoshta largimin e kanë parë si zgjidhjen e vetme.

PRAPASKENA – Burime të gazetës “Panorama Sport” pranë klubit pohojnë se ajo që i vuri “vulën” ndërprerjes së bashkëpunimit ishte sjellja e lojtarit në sfidën ndaj Egnatias dy javë më parë. Mesfushori u aktivizua në pjesën e dytë në vend të Fluturim Domit, por qëndroi në fushë vetëm 10 minuta.

Për një gabim në lojë, nervozon trajnerin Stavri Nica dhe ky i fundit e largon nga fusha, duke aktivizuar Franko Lamçen. Futbollisti largohet i mërzitur nga loja, ndërkohë që edhe Kukësi në fund humb ndeshjen (edhe pse jo për faj të tij).

U duk se gjithçka u mbyll aty, por lojtari nuk u paraqit më në stërvitje me skuadrën për të sqaruar ndoshta edhe incidentin me teknikun.

Në ndeshjen me Dinamo Sitin nuk ishte madje as në stol. Përplasja me trajnerin në këtë mënyrë i kushtoi edhe largimin nga ana e klubit, në një kohë që ishte një futbollist, i cili po merrte minutat e duhura te kjo skuadër.

AKTIVIZIMET – Ai me blutë u aktivizua në nëntë ndeshje këtë sezon, në gjashtë raste madje edhe si titullar.

Ndërkohë, 25-vjeçari iu bashkua bluve vitin e kaluar ku erdhi nga radhët e ekipit të Kastriotit, por një dëmtim i rëndë në fazën përgatitore e la jashtë fushe për një vit.

Klubi besoi dhe priti një vit dhe këtë sezon shihej si një lojtar i rëndësishëm në mesin e fushës. Mirëpo, kjo aventurë u mbyll në mes ende pa përfunduar faza e parë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"