EKSKLUZIVE/ “Tirana rrezikon, skuadrës i duhet peshë e rëndë”, analiza kritike e Dabullës: Ja pse ka dështuar klubi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 22:04

EKSKLUZIVE/ “Tirana rrezikon, skuadrës i duhet peshë e rëndë”, analiza kritike e Dabullës: Ja pse ka dështuar klubi (E PLOTË)

Rezart Dabulla i kujton Tiranës se rrezikon “Final 4” dhe Kupën e Shqipërisë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi kritikoi lojën e skuadrës, zgjedhjet e klubit si dhe dha alarmin për fundin e sezonit. Sipas tij, skuadra bëri mirë me shitjet, por gabimin e nisi në tetor me vendimin emocional të pezullimit të Orges Shehit.

dabulla

Rezart, Tirana barazoi me Skënderbeun, ndonëse luajti gati 90 minuta me një lojtar më shumë. Çfarë nuk po shkon?

Po çfarë të them… nuk fitoi dot edhe pse luajti 85 minuta me një lojtar më shumë. Kjo tregon se gjendja nuk është e mirë. Se kur mund ta gjesh Skënderbeun në këtë pozitë nuk ka ku të shkojë. Ti pretendon dhe e ke kundërshtar direkt për vendin e katërt dhe nuk e mund dot. Pyetja lind natyrshëm, kur do të mundesh të fitosh? Ishte mënyra më e mirë për të marrë maksimumin e pikëve për të qenë një hap më pranë “Final 4”. Gjendjen nuk e shoh të mirë. Skuadra ka ngërç psikologjik.

Ju thoni ngërç psikologjik, por rastet e skuadrës ishin me pikatore…

Unë them ka ngërç psikologjik. Ndoshta mund të ketë edhe lodhje fizike. Ama po ke lodhje mendore për mua është e vështirë të shkosh te rezultatet. Me atë që ka dhënë deri tani nuk e meriton atë vend. Unë si dashamirës shpresoj që ta kapim katërshen, por me këtë performancë të ndeshjeve të fundit them se janë larg arritjes së objektivit.

Edhe skuadrat e tjera janë aty-aty. Skënderbeu nuk është se ka lojtarë më të mirë se Tirana, po t’i kapësh me emra. Edhe Dinamo është në të njëjtën situatë. Ama në fushë këto skuadra kanë bërë më mirë se Tirana dhe janë aty ku janë. Këtë e tregoi fusha në Korçë, se Tirana me një lojtar më shumë ishte njëlloj me një skuadër me një lojtar më pak…

Si do ta vlerësonit këtë sezon?

Unë nuk di çfarë emri t’i vë. Për mua është dështim. Ky vit është i dështuar. Do të dëshiroja shumë që të merrnim pjesë në katërshe dhe të mendonim dhe shpresonim për të dalë kampionë. Me çfarë kam parë ndeshjet e fundit gjendja ka qenë katastrofë. Tirana nëse nuk kap katërshen apo fiton Kupën është dështim dhe dëm i madh. Dua ta shoh me më të mirat. U gënjyem nga Europa, ekipi dhe buxheti i madh që kishte skuadra.

Tirana do të luajë me Kukësin dy herë dhe me Erzenin. Tirana e rrezikon sezonin në këto tri ndeshje?

Rezultati i Kupës është shumë i vështirë për t’u kthyer me performancën që kanë dhënë në fushën e lojës. Rezultati teorikisht është i kthyeshëm, por nga 2-0, duhet të shënojnë tre gola dhe të mos pësojnë asnjë gol që të kualifikohen.

Përse mendoni kështu?

Skuadra shënon pak, shfaqet pak para portës. Mbrojtja bën të njëjtat gabime që ka bërë gjatë sezonit. Mendoj se sezoni është i rrezikuar për të dy kompeticionet. Përsa i përket kampionatit, Tirana ka fatin që të luajë me skuadrat e fundit që rrezikojnë të bien nga kategoria dhe normalisht kur ndeshjen përballë Tiranës ato japin më shumë se maksimumin. Shfaqim veten dhe të japin më të mirën e tyre që të kenë mundësi të gjejnë një ekip i ri. Për ta do të jetë ndeshja e jetës dhe për të treguar vlerat e tyre. Me këto skuadra është akoma më e vështirë që të fitohet sesa skuadrat e mëdha.

Ju në janar folët për largimin e lojtarëve dhe thatë që klubi zgjodhi paratë, duke reduktuar ekipin. I qëndroni kësaj deklarate?

Kam qenë kritik për performancën e lojtarëve në fushën e lojës. Shumë kritik nuk kam qenë për shitjen e lojtarëve. Teoria ime është e thjeshtë. Nëse merr një lojtar që e paguan mijëra euro dhe nuk të jep asgjë, ose si një lojtar normal nuk është e arsyeshme që të paguhet mijëra euro. Shiti, ul dhe kostot dhe merr lojtarë të tjerë. Gabimi i Tiranës është fakti që ka marrë lojtarë që paguhen shumë dhe nuk i meritojnë ato rroga. Me atë që kanë shfaqur në fushë këta lojtarë nuk meritojnë ato pagesa që kanë marrë. Performanca e tyre ka qenë e dobët.

Ama, Tirana arkëtoi para?

Nga ana e biznesit kur sheh që lojtarët nuk të japin maksimumin në fushë dhe me pagesa të larta klubi do t’i shesë futbollistët. Përveç Hasanit që ishte golashënues dhe i duhej ekipit, të tjerët nuk është se ndryshojnë shumë në skuadër.

Po emërimi dhe shkarkimi i trajnerëve, a kanë ndikuar?

Sigurisht që po. Gabimi nisi që te Shehi që nuk duhej të largohej në atë mënyrë. T’i kthehem asaj historie nuk ia vlen. Forma ishte e gabuar. Edhe nëse e largoje atë trajner, që të kishte nxjerrë kampion dhe nënkampion duhet të merrje një peshë të rëndë. Trajner të afirmuar dhe të konfirmuar, me eksperiencë që i përshtatet staturës së Tiranës dhe klubit. Me trajnerët nuk mund të bësh eksperimente për të parë sesi do të funksionojë njëri apo tjetri.

Unë e shoh Tiranën një makinë të rëndë. Po një makinë e rëndë nuk mund të drejtohet nga një pilot i dobët apo i ri. Nëse je skuadra më e madhe dhe më e titulluar dhe ke lojtarët më të paguar në Superiore, duhet të marrësh lojtarët më të mirë të mundshëm.

Atij duhet t’ia besosh investimin 1.5 milionë eurosh sa është buxheti i këtij viti. Një njeri që jep besim në opinionin sportiv. Trajneri duhet të garantojë investimin dhe të ngrohë tifozët. Eksperimente nuk mund të bësh dhe merr këtë, hiq këtë se nuk ka ndonjë ndryshim.

I kujt është ky gabim?

I drejtuesve. Ata kujtojnë se hiq një dhe vë një tjetër është njëlloj. Njëlloj nuk është. Siç ka lojtarë të dobët ka edhe trajnerë të dobët. Tabu nuk ka dhe trajneri është i kritikueshëm. Prandaj duhet trajner “i rëndë” që të marrë përsipër gjithçka nga ana teknike dhe rezultatet.

Shehi ishte i tillë, ndërsa këta të tjerët jo, dhe nuk e di se çfarë kanë dhënë. Me Shehin skuadra ishte tri pikë larg kreut, tani nuk kap dot katërshen. Drejtuesit gabuan se thanë që ne jemi Tirana. Do të vijë dikush dhe ne do të ecim me emër. Me emër nuk ecet. Më parë ndodhte, por ishte brez dhe kohë tjetër që e bënin historinë edhe pa trajnerë shumë të aftë. Ishin ata të aftë.

Po lojtarët?

Nuk kanë performuar maksimumin. Asnjëri nuk ka arritur në formën maksimale, shto trajnerët që kanë sjellë jo stabilitet. Një eksperiment që nuk mund të bëhet. Kur je me një këmbë brenda dhe një jashtë, çdo gabim të kthehet pas. Kam respekt për Fagun.

Uroj që Fagu të bëjë mirë, por eksperiencën nuk e ka për këtë punë. Djalë i ri, është djalë i mirë, por eksperiencën dhe kohën nuk e ka për të rregulluar situatën. Fagu mund të kishte ardhur më parë. Kujtoni Dinamon dy vite më parë.

Para se të binte nga kategoria Dinamo, mori trajner një italian. Para se të kuptonte situatën, Dinamo mbaroi punë, ra nga kategoria. S’e kam krahasim me Fagun, por e kishim shembullin e Dinamos për të mos gabuar. Drejtuesit kanë gabuar me trajnerët, pasi kanë marrë vendime emocionale. Kjo nuk është Tirana jonë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"