EKSKLUZIVE/ “Si i ‘hymë’ Egbosë nga gardhi”, ish-sulmuesi Bejzade: Partizani favorit në derbi, ja kush është “çelësi” i të kuqve (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2023 | 12:22

EKSKLUZIVE/ “Si i ‘hymë’ Egbosë nga gardhi”, ish-sulmuesi Bejzade: Partizani favorit në derbi, ja kush është “çelësi” i të kuqve (E PLOTË)

Partizani luan nesër në 19:00 derbin e radhës ndaj Tiranës, një ndeshje, që pavarësisht çdo gjëje, mbetet më e madhja e futbollit shqiptar. “Demat” vijnë pas një ecurie shumë të mirë, me vetëm një humbje në këtë sezon, ndërsa bardheblutë kanë pasur probleme dhe kjo u duk edhe në humbjen ndaj Erzenit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-bomberi i kuq, Skerdi Bejzade, i ka bërë një analizë të hollësishme derbit të së dielës dhe dy ekipeve të kryeqytetit.

bejzade

Partizani fitoi titullin vjet dhe po bën mirë edhe në këtë sezon. Mendoni se mund të krijojnë një cikël fitues?

Edhe mund ta bëjë, por nuk më pëlqejnë këto ndryshimet e shumta pas çdo sezoni, kur largojnë 10 veta dhe marrin 10 të tjerë. Mund të dalësh kampion, por nuk e krijon dot stabilitetin dhe kjo edhe është dukur. Nuk e kanë pasur stabilitetin, që duhej të kishte një ekip kampion. Kur dolën kampion, patën shumë ndryshme. Ikin lojtarë, ndërrohet trajneri dhe sa të stabilizohen të gjitha hallkat, është e vështirë. Ekipet shqiptare e kanë si sëmundje këtë. Strategjia duhet të jetë më e qëndrueshme, jo vetëm për Partizanin, por për të gjitha. Nuk e kam vetëm me Partizanin në këtë rast.

Ku ndryshon ky Partizan me Tiranën e këtij sezoni?

Siç thashë më lart për Partizanin, kështu ka ndodhur edhe me Tiranën, që ndryshoi gjithë ekipin në verë dhe largoi edhe trajnerin së fundmi. Sa i përket përbërjes, Partizani zhvilloi ndeshje të mira në Europë. Më pas u përballën me Laçin, ku unë isha trajner. Ishte ndeshja që ne pësuam një gol në minutën e fundit. Ishte një ndeshje për barazim, shënuan me një goditje standarde, diçka që e kanë bërë edhe më parë. Nuk ishin një ekip i “skalitur” 100%, dukej që kishin probleme. Ne kishim shumë raste për të kaluar në avantazh. Dhe kur shënon, është e vështirë ta përmbysësh rezultatin. Partizani duket që ofensivisht është shumë i fortë, shumë i shpejtë. Ka lojtarë, që pasi fitojnë dyluftimet në mesfushë, largohen shumë shpejt në fazën sulmuese. Ndërsa difensivisht, siç i kam parë unë, kanë probleme. Mund t’i rrezikosh nëse i sulmon vazhdimisht. Tiranën e kam ndjekur, edhe prej shoqërisë me Julian Ahmatajn. E urova kur u emërua trajner. I kam parë në stadium në një ndeshje me Vllazninë në Kukës. Ka nevojë për kohë. Trajneri i ri do kohën e vet. Ata kanë shumë kualitet. Kur po luanin në Europë kam menduar se në kampionat Tirana do të jetë thuajse “e pathyeshme”. Por më pas kanë pasur shumë probleme. Humbën me Erzenin së fundmi dhe më parë me të tjerat. Këto probleme Tirana e mëparshme nuk i ka pasur, as në kohën kur unë isha ende lojtar. Ky kampionat është i çuditshëm, sepse e ka bërë edhe vetë varianti i formulës. Lojtarët, sado të mundohet trajneri, i fusin një “gjumë” dhe thonë se e kapim vendin e 3-4 dhe aty do t’i japim forca. Kështu mendoj unë se është psikologjia e këtyre skuadrave pretendente.

Kush është lojtari më i rëndësishëm i Partizanit?

Partizani është një skuadër me shumë lojtarë të rrezikshëm, por unë po them një, që në ndeshjen kur unë i pata përballë, më ka prishur mjaft punë. Në mesfushë dhe sulm janë shumë të fortë, por ai që më shqetësoi më shumë, lojtari që ne na mundi jo vetëm prej golit, është Maget. Ai gjatë gjithë lojës ishte pika kryesore e tyre, që na thyente çdo aksion. Po të kalonim Magetin, kishim mundësi të shënonim shumë herë. Kur kaloje Magetin, me 99% aksioni mund të përfundonte me goditje në portë ose me rast të pastër. Flas për ndeshjen time dhe them se ai na ka thyer aksione të rëndësishme.

Si ka mundësi që pas ikjes së Zekiçit, ekipi vijoi të ecte mirë?

Së pari, unë mendoj se Zekiçi është trajner shumë i mirë. Ishte realist, fliste atë që ishte. Nuk dinte të bënte lajka, apo të hidhte fajin diku tjetër, siç mund të bëjë shumica, për ta shtyrë sa më shumë. Abilaliaj dhe Zekiçi e kanë bërë së bashku ekipin në verë dhe pas rokadës në pankinë, mendoj se punohet me të njëjtat ide. Të paktën kështu duhet të funksionojë. Ata kanë punuar bashkë për lojtarët që kanë ardhur dhe skuadrës që kanë formuar. Është ndryshe kur vjen drejtor tjetër dhe trajner tjetër. Por unë jam shumë i sigurt që Partizani do të kishte të njëjtat rezultate, siç i kanë pasur me Arbrin. Zekiç për mua ishte më i miri i Superiores.

Kush është ekipi favorit në derbin e së dielës?

Gjithmonë, në asnjë derbi nuk ka favoritë. Edhe nëse skuadrat do të ishin njëra në fund e tjetra në krye, derbi asnjëherë nuk është i lehtë. Por duke u bazuar nga stabiliteti dhe ecuria që ka pasur, më favorit është Partizani. Është një ndeshje që duhet vlerësuar dhe duhet fituar nga ana e Partizanit, sepse atë ndeshje tifozët e duan më së shumti. Nuk i intereson shumë sesi po ecën po nuk fitove derbin. Këtë element e kanë njësoj edhe në anën e Tiranës, padiskutim. E tregon vetë fakti që mbushet stadiumi dhe bëhet një ndeshje e bukur. Tradita vazhdon.

Po dëmtimet, si ndikojnë te Partizani?

Ky është një problem, sepse kanë pasur shumë mungesa prej lëndimeve. Kur ka shumë dëmtime, mendoj se duhet parë mirë fusha ku stërvitet skuadra. Ata stërviten me bar artificial dhe kjo krijon probleme. Partizani duhet t’i krijojë vetes kushtet që të stërvitet në fushë me bar natyral të paktën 2-3 herë në javë. Mendoj se pjesa më e madhe e dëmtimeve prandaj vijnë. Nuk mendoj se ka lidhje me përgatitjen fizike apo gjëra të tilla. Nuk di të them çfarë cilësie është fusha, sepse nuk jam ekspert i cilësisë së tapetit. Duket mirë, por aq mirë sa duhet nuk mendoj se është.

Keni luajtur shumë derbe në karrierë. Cili është momenti më i bukur që ju kujtohet në ato përballje?

Derbi më i bukur për mua ka qenë një ndeshje që kemi fituar 3-1 ndaj Tiranës. Në portën e tyre ishte Egboja. Ai më kujtohet që kishte dhënë një deklaratë para ndeshjes, ku thoshte se i kishte vënë drynin portës. Në atë ndeshje ka shënuar Klod Duro një gol nga 35 metra me ence, drejt e në trekëndësh. Pastaj pas ndeshjesh ne bënim shaka dhe shkruanim se ai i kishte vënë drynin portës, por në i hymë nga gardhi. I futëm golat nga gardhi. Ajo ka qenë ndeshje e bukur.

Drejtuat Laçin për disa javë në fillim të sezonit. Si ju duket ecuria e tyre në këto sfidat e fundit?

Laçi e ka grupin me limite. Janë djem të ri. Kur mungojnë 2-3 lojtarë, krijohen probleme të mëdha. Nuk i zëvendëson dot titullarët. Si skuadër, ata janë çuna të rinj dhe luajnë mirë futboll. Rezultatet mendoj se do të vijnë, është sezon i gjatë. Në këtë sezon, duke parë renditjen, mund të synojë çdo skuadër vendin e katërt. Jo vetëm Laç, por çdo skuadër që është në garë. Laçi varet shumë nga lojtarët që janë të gatshëm. Këtu është edhe ndryshimi me Tiranën, Egnatian dhe Partizanin, që kanë një 22- she të kompletuar. Partizanit i mungojnë shumë lojtarë, por i ka të gjithë titullarë. Duhet stol cilësor ose shumë fat, që të mos kesh kartonë e dëmtime.

Pas largimit tuaj, u përfol për një “thyerje” me presidentin Laska. Cila ishte arsyeja e ikjes nga Laçi?

Nga Laçi jam larguar vetë. Kur e pashë që gjërat nuk shkojnë siç unë i arsyetoj, mendova më mirë të hap krahun. Unë me presidentin kam shkuar shumë mirë dhe shkoj ende shumë mirë. Nuk kemi dhe as kemi pasur asnjë lloj grindjeje, çka mund të jetë përfolur. Ishte dëshira ime për tu larguar. Ndikoi edhe largësia ime me familjen, pasi emërimi te Laçi erdhi papritur.

DENIS LALA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"