EKSKLUZIVE/ “Si erdha në Shqipëri dhe 6 muajt pa luajtur”, Mensah: Më frymëzon Drogba, Skënderbeu më zbuloi kur luaja për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2020 | 0:12

EKSKLUZIVE/ “Si erdha në Shqipëri dhe 6 muajt pa luajtur”, Mensah: Më frymëzon Drogba, Skënderbeu më zbuloi kur luaja për…

Alfred Mensah ësh të kthyer në një lojtar i rëndësishëm për Skënderbeun. Sulmuesi ganez i korçarëve, për shkak të të dhënave mjaft premtuese, është një nga të besuarit e trajnerit Ilir Daja në majën e sulmit. Pas dëmtimit të Blerim Krasniqit, kreu i pankinës përshtati aty Gripshin, por më pas u bind për t’i besuar Mensah. Për ganezin ky është një moment i mirë që do të kërkojë ta shfrytëzojë në maksimum.Mensah

Goli i parë në karrierën e tij si futbollist profesionist erdhi me fanellën e Skënderbeut në ndeshjen e dy javëve më parë ndaj Luftëtarit. Lojtari që ka edhe nënshtetësi holandeze është 23 vjeç. Deri më tani ai ka luajtur në ligat e ulëta holandeze me Almere Sitin. Dje, në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi tregon ecurinë e tij deri në këtë moment dhe pritshmëritë për të ardhmen.

Mensah, jeni kthyer në një pikë të rëndësishme te Skënderbeu. E prisnit të bëheshit protagonist kaq shpejt?

Po dhe për këtë jam shumë i lumtur. Stafi po më jep hapësirën e duhur dhe po mundohem që ta shpërblej në maksimum. Jam duke kaluar një moment të mirë dhe diçka të tillë duhet ta vë në dispozicion të ekipit, atje ku skuadra ka më shumë nevojë.

Në fillim erdhët si një i panjohur te Skënderbeu. Sa e vështirë ka qenë përshtatja?

Të them të drejtën, fillimi ka qenë paksa i vështirë, pasi kisha nevojë të përshtatesha dhe ndryshimi ishte i madh nga aty ku kisha luajtur më parë. Kam qëndruar gjashtë muaj në Korçë duke u stërvitur, por nuk kam qenë pjesë e ekipit në dy fazat e para. Më pas prej janarit situata ndryshoi për fat të mirë, pasi unë u federova dhe ja ku jam këtu.mensah

Pozicioni i qendërsulmuesit është natyral apo luani në një vend tjetër më mirë?

Jam një sulmues që mbuloj të gjithë fazën ofensive te një ekip. Kam luajtur edhe në krah, edhe në qendër kur isha në Ganë. Por, ndihem mirë këtu në këtë pozicion ku luaj te Skënderbeu. Për më tepër që ka lojtarë mjaft cilësorë që më ndihmojnë shumë të përmirësoj lojën.

Për ata që ju njohin pak, ku ka luajtur Mensah në të kaluarën?

Kam nisur të luaj me ekipet e të rinjve në Ganë dhe më pas për disa vite kam luajtur në Holandë. Fillimisht në kampionatin e moshave në këtë vend dhe më pas në klube të kategorive të ulëta. Më pas kam kaluar te Skënderbeu si një lojtar i lirë.

Çfarë ju lidhi me Skënderbeun? Si erdhi ky transferim këtu?

Skënderbeu dhe drejtuesit e tij më pikasën gjatë një kompeticioni me ekipin U21 të Ganës në Afrikë. Atje u futëm në bisedime. Unë në atë kohë isha një lojtar i lirë dhe menjëherë arritëm akordin.

Cili është lojtari shembull për ju?

Kam shumë, por nga mënyra e lojës dhe aftësitë fizike më ka pëlqyer gjithmonë Drogba dhe Henri. Le të përqendrohemi te kampionati shqiptar.alfred mensah

Jeni në vendin e tretë tani, është ky pozicioni i duhur për Skënderbeun?

Unë kam dëgjuar këtu që pozicioni i përshtatshëm për ekipin janë vendet e sipërme të renditjes. Është një ekip i kompletuar dhe funksionon mjaft mirë në të gjitha drejtimet si klub. Jemi të sigurt se do ta mbyllim sezonin në pjesën e parë të renditjes.

Këtë javë luani ndaj Partizanit, që është kampioni në fuqi. Si e parashikoni këtë takim?

Janë duke kaluar një moment jo të mirë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë diçka të tillë. Në bazë të udhëzimeve që kam dëgjuar, do të luhet pa tifozë dhe kjo besoj se është një plus më shumë për ne. Gjithsesi, ne kemi treguar se ekipi është mirë dhe po tregon lojëra të qëndrueshme. Besoj se gjithçka do të shkojë më së miri.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"