EKSKLUZIVE/ “Lushnja zhgënjim, Tomori u forcua nga… lushnjarët”, Artan Bano: Ja cilat skuadra ngjiten direkt në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2021 | 22:45

EKSKLUZIVE/ “Lushnja zhgënjim, Tomori u forcua nga… lushnjarët”, Artan Bano: Ja cilat skuadra ngjiten direkt në Superiore

Artan Bano i bën “skanerin” Kategorisë së Parë, terren që e njeh më së miri. Ish-trajneri i njohur i Lushnjës, Tomorit, Egnatias, por edhe Shkumbinit, rikthehet të flasë pas një periudhe shtatëmujore për “Panorama Sport”. Ai zgjedh Dinamon dhe Tomorin si fituese të grupeve në fund të këtij kampionati, ndërsa mendon se ekipi i tretë që do të ngjitet në elitë do të diskutohet mes Korabit dhe Besës, duke lënë jashtë Egnatian. Ai zbërthen edhe arsyet pse verdhejeshilët luftojnë për mbijetesë, ndërsa hapur thotë që mbeti i zhgënjyer.

Bano Artan ne ndeshjen ndaj Lacit

U mbyllën dy fazat e para në Kategorinë e Parë dhe u ndanë minigrupet, si e vlerësoni sezonin deri në këtë pikë?

Duhet pranuar se ky sezon ka qenë intrigues dhe ka shkaktuar jo pak surpriza sa i përket renditjes pas dy fazave të para. Duke marrë parasysh çrregullimet që solli pandemia, mungesën e tifozëve në stadiume dhe mbi të gjitha pauzat e shumta, niveli ka qenë i kënaqshëm.

Cila është surpriza pas ndarjes së minigrupeve?

Do ta nis nga “play out”- i, ku Besëlidhja dhe Erzeni në Grupin A dhe Elbasani, Flamurtari e Lushnja në Grupin B janë zhgënjimet më të mëdha. Mungesa e tyre në luftën apo betejën për Kategorinë Superiore nuk i shërben aspak futbollit.

Çfarë prisni nga faza e tretë?

Skuadrat fituese në katër vendet e para të çdo grupi meritojnë të vlerësohen. Ato kanë arritur atë çka kanë dhënë realisht në fushë dhe për mua, si trajner dhe specialist, e kanë merituar plotësisht këtë renditje. Në të dyja grupet parashikoj garë të fortë dhe me rivalitet të madh deri në javën e fundit, ku të gjitha ekipet pa përjashtim janë të denja për të kërkuar ngjitjen në Superiore.

Kë shihni një hap para?

Unë do të bëja këtë prognozë sa i përket ngjitjes në fund të këtij sezoni dhe me gjithë vlerësimin maksimal që kam për skuadrat pretendente dhe kolegët e mi që drejtojnë: Në fund do të jenë Dinamo dhe Tomori ato që do të fitojnë të drejtën e ngjitjes direkte në elitë.

Pse pikërisht ato?

Jo vetëm për shkak të cilësisë që kanë këto dy skuadra në përbërje, por edhe ambicien e madhe në emër të traditës dhe historisë që mbartin. Meritojnë realisht të jenë në elitë, edhe pse kanë disa avantazhe më të mëdha në raport me rivalët e tyre. Për vendin e dytë që të jep mundësinë e ndeshjes shtesë me të tetën e Superiores, parashikoj Korabin dhe Besën, që besoj se do t’i shfrytëzojnë maksimalisht dhe si duhet avantazhet e tyre në kalendar, por edhe mundësitë që kanë realisht.

Ju parashikoni fitues të grupeve Dinamon dhe Tomorin dhe përmendni edhe avantazhet e tyre në raport me rivalët. Cilat janë më konkretisht?

Po e zbërthej idenë time. Këtu flitet jo vetëm për histori dhe traditën e madhe, që kanë të dyja skuadrat, por më së shumti edhe pse në mes është një avantazh, infrastruktura, dhe askush më mirë sesa Dinamo dhe Tomori nuk i plotëson këto kushte. Të parët kanë siguruar të luajnë në “Selman Stërmasi”, ndërsa beratasit kanë një nga stadiumet më të mira në vend. Besoj se këtë e ka parasysh edhe institucioni më i lartë i futbollit, që do të kishte dy probleme edhe më të mëdha në rast se dy skuadra pa stadium do të lëviznin sa andej këtej për të siguruar një fushë dhe do të kishin shpenzime marramendëse për shkak të mungesës së fushës. Edhe debati i hapur së fundi në media dhe studio televizive me të drejtë shtron se ku do të luajnë skuadrat pa stadiume!

Bano

Të flasim pak për skuadrën tuaj të vendlindjes, Lushnjën. Këtë vit do të luajnë për mbijetesë….

Si çdo lushnjar, nuk kam si ta fsheh zhgënjimin. Megjithatë, unë dua të jem sa më objektiv dhe ta gjykoj realitetin ashtu siç është. Qysh në fillim të sezonit u parashikua që do të kishte shumë vështirësi. Nuk kanë munguar zërat që Lushnja do të ishte për mbijetesë. Largimi i futbollistëve tanë më cilësorë, që gjetën kushte dhe vlerësimin monetar e moral më shumë dhe më mirë në Berat sesa në vendlindjen e tyre, sigurisht që ishte një gabim i madh dhe me pasoja, të cilin jemi duke e vuajtur të gjithë pa përjashtim. Sa i takon elementit të ri dhe me perspektivë, sado që të punosh me ta, kur ke mungesë të kushteve të stërvitjes, në infrastrukturë, nuk ke si e ndihmon skuadrën për të dalë nga situata.

A e rrezikojnë rënien?

Megjithatë, e konsideroj pozitiv rezultatin ndaj Flamurtarit në shtëpi dhe uroj ose jam i bindur që Lushnja nuk do të rrezikojë rënien. Ky sezon i dështuar duhet të shërbejë si një mësim për të marrë masa dhe të riorganizohet skuadra në çdo aspekt për sezonin e ardhshëm. Kjo, edhe në respekt të tifozërisë sonë të mrekullueshme, e cila po e vuan pafundësisht këtë gjendje kritike.

Sa po ju mungon aktualisht fusha dhe ku do ta shikojmë Artan Banon sezonin e ardhshëm?

Profesioni im si trajner është i tillë, që nuk njeh pushim në asnjë moment. Unë jam i angazhuar në punë duke stërvitur moshat dhe duke i shërbyer së ardhmes dhe elementit të ri me perspektivë. Për sa i përket sezonit të ardhshëm, sigurisht që jam në pritje e me telefon në dorë dhe për të qenë i sinqertë nuk më mungojnë ofertat në të tria kategoritë. Thjesht jam duke menduar qysh tani për të bërë përzgjedhjen e duhur që plotëson më së miri ambiciet e mia sportive. Siç dihet, personalisht kam pretenduar gjithnjë që të drejtoj në skuadra që kanë sa grintën sportive që i përshtatet karakterit tim, por edhe të jenë me pretendime për të synuar majat e renditjes.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"