EKSKLUZIVE/ “Laçi është i uritur”, Josa para duelit me Tiranën: Lojtarët të besojnë, ju tregoj pse u riktheva

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2023 | 8:40

EKSKLUZIVE/ “Laçi është i uritur”, Josa para duelit me Tiranën: Lojtarët të besojnë, ju tregoj pse u riktheva

Mirel Josa u largua nga Laçi në prill të vitit 2022, për t’u rikthyer 17 muaj më pas, teksa sot e nis me një ndeshje kundër Tiranës, në orën 14:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Por çfarë e bindi trajnerin 60-vjeçar të pranonte sërish ofertën e presidentit kurbinas, Pashk Laska? Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, rekordmeni i trofeve në futbollin shqiptar flet për gjithçka në këtë rikthim të befasishëm, ndërsa komenton edhe përballjen kundër bardhebluve.

josa

Profesor, nga një largim me pengje në prill të vitit të kaluar te rikthimi në Laç. Si do ta përkufizonit këtë ribashkim?

Puna jonë kështu e ka. Nga momenti që bëhet një largim, duhet të ndahesh mirë me njerëzit, pasi mua personalisht më ka qëlluar shumë herë si trajner që të iki nga një skuadër dhe të kthehem sërish atje. Kjo është puna e trajnerit dhe në momentin që drejtuesit e Laçit kërkuan të bisedonin me mua, unë isha i gatshëm për ta bërë një gjë të tillë. Të jem i sinqertë, unë nuk i kam menduar fare gjërat e kaluara.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Kujt ia priste mendja në momentin që unë u largova nga Laçi në prill të vitit të kaluar dhe më pas shkova te Vllaznia në atë fund sezoni! Fitova Kupën e Shqipërisë pikërisht duke pasur si kundërshtar në finale skuadrën që kisha stërvitur deri në atë moment, Laçin. Kështu e ka futbolli, por ne jemi trajnerë dhe rëndësi ka të jemi të gatshëm për punë, duke e marrë me oreksin e duhur për të plotësuar objektivat e një skuadre. Kjo është e gjitha, nuk ka shumë histori kjo punë. Nuk është mirë të merremi me aludime për të kaluarën dhe atë që është bërë në këtë skuadër nga kolegët e mi. Nuk dua të bëj asnjë krahasim me ekipin që kam pasur kur kam drejtuar për herë të fundit Laçin.

Në gjashtë javë janë ndryshuar dy trajnerë te Laçi. Çfarë skuadre keni gjetur, mos ndoshta edhe vetë grupi i lojtarëve është çorientuar nga këto lëvizje të shpeshta në drejtim?

Skuadra nuk ka pse të jetë e çorientuar fare, pasi pikët i ka. Merre me mend se çfarë do të thoshim nëse ky ekip do të kishte disa pikë më pak pas gjashtë javësh të luajtura. Pretendimi i drejtuesve është që duhet të kishin më tepër pikë pas këtyre 6 ndeshjeve. Ne duhet të fokusohemi vetëm te takimi i radhës, pasi po e shohim se çfarë po ndodh në kampionatin tonë.

Ky grup lojtarësh ju bind, sa besoni se mund të pretendojë për katërshen?

Nga hera e fundit që kam qenë te Laçi, kam gjetur vetëm tre lojtarë nga ata që kam stërvitur. Jam shumë i kënaqur me oreksin që kanë djemtë për punë, janë lojtarë të rinj që duan të ndryshojnë dhe mbi të gjitha kanë cilësi. Në këtë moment dua që ekipin ta rrisim jo vetëm psikologjikisht, por t’i shtojmë sa më shumë besimin. Nuk është problemi se po ndërrohen trajnerët dhe ky grup ka bërë keq, kështu që duhet të rrisim besimin dhe ata të disiplinohen në mënyrën që unë dua të luajë skuadra.

Cili është objektivi i klubit apo kushti që ju keni pranuar për të drejtuar Laçin?

Të përmirësojmë performancën e skuadrës nga java në javë, ky është objektivi që do të kemi. Të rrisim besimin te këta djem, që të mos ketë luhatje, pasi nuk ka mundësi të bëjnë një ndeshje të mirë si ajo me Teutën, e më pas të luajnë si me Dinamon. Lojtarët duhet të kenë besim te vetja e tyre, pavarësisht se kundërshtarët tanë janë shumë të fortë. I vlerësoj të gjitha skuadrat dhe kolegët e mi, kështu që gradualisht skuadra besoj se do të rritet, duke shkuar aty ku dua unë. Nuk jam një trajner që kam pretendime në ajër, por do të shohim në vazhdimësi.

Në këtë rikthim debutoni kundër Tiranës. Më mirë apo me keq që luani kundër tyre, si e keni përgatitur këtë takim?

Do të luajmë një Tirane më të çlodhur, pasi nuk ka luajtur në mesjavë. Cilësia e tyre dihet, nuk ka nevojë të flas. Unë nuk i referohem fare asaj që ka bërë Tirana në ndeshjen ndaj Erzenit, përkundrazi ata do të jenë kundër nesh më të etur për të treguar se çfarë cilësish kanë.

Ju kënaq edhe një pikë në këtë takim?

Nuk mund të them që më kënaq. Unë asnjëherë nuk futem në fushë për të humbur, futboll është dhe të gjitha mund të ndodhin. Dua vetëm që kur të dalin djemtë nga fusha, të jenë të kënaqur me veten tyre dhe të jenë të ndërgjegjshëm se kanë dhënë maksimumin. Çdo gjë do të shkojë në vendin e vet nëse ndodh kështu.

Keni ndonjë shqetësim para kësaj ndeshjeje?

Nuk kam ndonjë shqetësim. Jemi përgatitur mirë dhe nuk do të dalë shumë nga planet e paraardhësve të mi për këtë ndeshje. Gjithsesi, dalëngadalë skuadra do të mësohet me idenë time të lojës.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"