EKSKLUZIVE/ Kukësi i pret biletën, mbrojtësi spanjoll vjen të hënën në Tiranë
Ashtu siç kishte paralajmëruar “Panorama Sport” në numrin e sotëm të gazetës, mbrojtësi spanjoll Alberto Serran Polo pritet të jetë goditja e madhe e Kukësit në merkaton e verës. 32-vjeçari që ka luajtur në Spanjë me Espanjolin, por edhe në Championship (liga e dytë angleze) me Suonsi Sitin, pak minuta më parë ka marrë konfirmimin nga klubi i Kukësit për biletën e ardhjes në Tiranë.

Burime të sigurta në klubin kampion treguan për gazetën se lojtari mbërrin të hënën në Shqipëri për të zyrtarizuar marrëveshjen me Kukësin,. Ai do të firmosë për 1 vit me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Spanjolli ka luajtur në Qipro në tre sezonet e fundit, me skuadra si AEK Larnaka, Anorthosis Famagusta dhe së fundmi Doksa Katokopia.
Trajneri Ernest Gjoka e ka pëlqyer mbrojtësin dhe ka dhënë OK-in. Njeriu që ka bërë të mundur këtë transferim është menaxheri i njohur shqiptar, Kostandin Grillo. Alberto Serran Polo shihet si zëvendësuesi ideal i Albi Allës, duke formuar dyshen me Ylli Shametin në qendër të mbrojtjes. Pasi të firmosë kontratën, pritet që lojtari të bëjë prezantimin zyrtar me Kukësin të hënën.













