EKSKLUZIVE/ “Josa më i miri”, ish-kapiteni Beqiri flet nga Kanadaja: Vllaznia për titull, sezoni i duhur për kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 21:13


EKSKLUZIVE/ “Josa më i miri”, ish-kapiteni Beqiri flet nga Kanadaja: Vllaznia për titull, sezoni i duhur për kampion

Elvin Beqiri është nga ata ish-futbollistë shkodranë që është shpallur kampion i Shqipërisë për herë të fundit me Vllazninë në sezonin 2000- 2001. Dy dekada më pas, kuqeblutë kërkojnë të rikthejnë titullin dhe për ish-mbrojtësin, që prej dy muajsh është zhvendosur me familjen në Kanada, ky është sezoni i duhur me Mirel Josën në krye të pankinës. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 41- vjeçari komenton atë që e pret Vllazninë këtë kampionat, duke shprehur besimin maksimal, se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të dy trofetë.

 

elvin-beqiri

Elvin, jeni larg Shkodrës fizikisht, por afër me shpirt dhe zemër…

Pavarësisht se tashmë ndodhem në një kontinent tjetër, largësia nuk më bën që të mos informohem rreth asaj që ndodh në Shkodër dhe për më tepër ecurisë së ekipit të zemrës, Vllaznisë. Nëpërmjet rrjeteve sociale apo edhe me miqtë që kam në Shkodër, informohem rreth gjërave të reja që ndodhin ne ekip.

Për të gjithë ata që ju njohin, me çfarë po merreni në Kanada?

Jam zhvendosur para dy muajsh me familjen këtu në Toronto dhe deri tani gjërat po shkojnë mirë. Gjithmonë do të jem afër futbollit, sepse është oksigjeni im, që është kultivuar që në moshë të vogël dhe e kam të vështirë të ndahem prej tij. Për momentin kam filluar punë në një nga akademitë e qytetit, por njëkohësisht kam pak javë që kam hapur edhe një akademi private dhe natyrisht jam i fokusuar këtu.

Thatë që jeni informuar hollësisht për Vllazninë, çfarë prisni nga ekipi këtë sezon kur duhen edhe pak ditë nga starti i kampionatit?

E kam ndjekur me vëmendje ekipin që në Europë, por edhe çdo përgatitje tani para kampionatit. Më pëlqen përkushtimi maksimal, duke filluar nga presidenca dhe stafi administrativ, për të vazhduar me stafin teknik, që për mendimin tim është nga më të zgjedhurit që ka kampionati shqiptar me Josën në krye. Natyrisht, nuk mund të lë pa përmendur futbollistët, që janë po aq cilësorë sa ata që ishin në kampionatin e kaluar, ndërsa afrimet e fundit kanë shtuar konkurrencën dhe kualitetin te kjo Vllazni.

A mund të na bëni një krahasim me skuadrën e sezonit të kaluar?

Për të dhënë një mendim të qartë për këtë pjesë, sigurisht që duhet kohë. Duhet të shohim të paktën fazën e parë të kampionatit, për të bërë njëfarë krahasimi. Gjithsesi, Vllaznia që me ardhjen e presidentit Xhaferi, është rikthyer ajo skuadër e dikurshme që luftonte për të dy trofetë dhe kështu besoj do jetë edhe sivjet.

Çfarë ju pëlqen më tepër deri më tani dhe a ka diçka që ju ka lënë shije jo të mirë?

E përmenda edhe pak më lart, që më pëlqen angazhimi i të gjitha hallkave që ka klubi. Pra, përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre, përveç euforisë së madhe që krijohet në klub pas një fitoreje. Këtu i referohem eksperiencës time në këtë klub, si djalë i këtij qyteti, por edhe asaj që kaloi ekipi në dy vitet e fundit. Vetë qyteti e ka shumë të theksuar këtë pjesë, sepse është i dashuruar me futbollin. Patjetër që entuziazmi është i nevojshëm për një skuadër, por jo të kalohen limitet. Vazhdimësia pozitive në rezultate të bën të arrish tek objektivi dhe këtë klubi duhet ta menaxhojë me shumë kujdes.

Mendoni se mund të bëhej më mirë sa i përket merkatos, duke parë edhe lëvizjet e deritanishme?

Nuk mund të jap një ide të qartë për momentin se ku mund të ishte bërë më shumë pa parë disa ndeshje të Vllaznisë në kampionat. Gjithsesi, nëse shikon përbërjen, nuk mendoj se skuadra ka shumë nevojë për afrime të tjera. Natyrisht, e mira s’ka fund, por nëse vjen një lojtar që vërtet bën diferencën, sidomos një golashënues tipik, do të ishte i mirëpritur për çdo klub në botë. Kjo është pjesa më e rëndësishme e një ekipi, pra finalizimi. Skuadra ka nevojë për sulmues që e njohin portën dhe shënojnë rregullisht gjatë një sezoni.

E shikoni Vllazninë pretendente kryesore për titull?

Patjetër që Vllazninë e shoh pretendente për të dy trofetë. Ajo tashmë ka marrë formë si një skuadër që për çdo kundërshtar do jetë një kockë e fortë. Te ky ekip shoh çdo repart të kompletuar dhe me alternativë.

Të shtunën Vllaznia e nis kampionatin ndaj Erzenit të rikthyer në elitë. Ju jeni një ndër ish-lojtarët e kuqebluve që kanë luajtur dy dekada më parë në fushën e Shijakut, duke provuar humbje dhe fitore aty…

Kam shumë besim që Vllaznia këtë vit do të jetë ndryshe dhe më e pjekur si skuadër. Shpresoj që ekipi të ketë nxjerrë mësime nga kampionati i kaluar, duke mos pasur më oscilacione në rezultate. Ndeshja me Erzenin do të jetë një provë e mirë në këtë drejtim. Shpresoj dhe i uroj ta fillojnë me këmbë të mbarë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL