EKSKLUZIVE/ “Humbja me Vllazninë rëndoi”, mbrojtësi i Skënderbeut: Vit i mbarë në tërësi, por ja “pengu” i 2023-shit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2023 | 9:25

EKSKLUZIVE/ “Humbja me Vllazninë rëndoi”, mbrojtësi i Skënderbeut: Vit i mbarë në tërësi, por ja “pengu” i 2023-shit

Skënderbeu meritonte më shumë në sezonin aktual në dy fazat e para të kampionatit.

prenci

Ky është pengu i Elvis Prençit në këtë pjesë të parë të sezonit. Edhe përse quan pozitiv vitin 2023 që po mbyllet, mbrojtësi i Skënderbeut nuk harron pikët e lëna me Kukësin në shtëpi dhe në transfertë, por edhe ndeshje të tjera të këtij sezoni, që nëse do të ishin interpretuar më mirë, mund të sillnin tjetër situatë në kampin bardhekuq. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Elvis Prençi komenton gjithë vitin, duke u ndalur kryesisht te dy fazat e para të sezonit.

“Nëse analizojmë të gjithë vitin, mund të themi se ka qenë një vit i mbarë për ne, duke pasur parasysh rikthimin në Superiore dhe ecurinë e përgjithshme në këto dy faza të para të kampionatit. Jemi në gjysmë të rrugës dhe mund të them se jemi brenda objektivave. Kjo është kryesorja. Normalisht që si çdo ekip, edhe ne kemi ‘pengjet’ tona për sa i përket kësaj ecurie, pasi mendoj se meritonim të kishim më shumë pikë të grumbulluara. Kur them kështu, u referohem dy ndeshjeve që kemi lënë pikë me Kukësin, ndeshjen me Teutën në transfertë dhe pse jo takimit me Laçin në shtëpi. Janë gabime, sidomos me Kukësin, që mund t’i kishim evituar nëse do të bënim një menaxhim më të mirë të ndeshjes. Për këtë na vjen keq, por ky është futbolli dhe kështu ndodh nëse nuk je i përqendruar maksimalisht”, theksoi fillimisht mbrojtësi i Skënderbeut.

VLLAZNIA – I ndalur më pas te humbja më e thellë e sezoneve të fundit, ajo në Shkodër me Vllazninë, për Prençin është një ndeshje që mund t’i ndodhë çdo ekipi, ndaj është e mira që të kalohet dhe skuadra të reagojë pa lënë shenjë të kësaj humbjeje.

“Humbja me Vllazninë është një moment i keq për ne dhe me të vërtetë na ka rënduar shumë. Ishte një goditje e madhe dhe të gjithë ishim shumë të mërzitur pas ndeshjes, saqë nuk mundëm të bisedonim. Kur u kthyem në stërvitje folëm dhe jemi të vendosur që ta kthejmë në forcë këtë që na ndodhi. Ishte diçka e çuditshme, pasi deri në minutën e 75-të ekipi ishte në lojë dhe nuk po tregonte inferioritet. Më pas erdhën ato gola për gabime në pasime të thjeshta dhe përfundoi ashtu siç e dimë”, vijoi mbrojtësi bardhekuq.

MBROJTJA – Mbase është një nga repartet që ka më shumë eksperiencë brenda ekipit, ndaj edhe për këtë Prençi është i bindur se do të jetë një pikë e fortë për të mbështetur edhe pjesën tjetër të ekipit, që janë kryesisht djem të rinj, por shumë të talentuar.

“Mbrojtja po, është një nga repartet, ku jemi lojtarë me më shumë eksperiencë. Normalisht që na takon ne të mbajmë një peshë të madhe të këtij grupi dhe të mbështesim të rinjtë. Besoj se e kemi bërë mirë një gjë të tillë, por sigurisht që gjithmonë ka vend për më shumë”, mbylli prononcimin e tij mbrojtësi i Skënderbeut, Elvis Prençi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"