EKSKLUZIVE/ “Hapa të sigurt, Dinamo s’bën çmenduri”, trajneri Mehmeti: Ju tregoj planet e merkatos dhe objektivat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2023 | 22:05

EKSKLUZIVE/ “Hapa të sigurt, Dinamo s’bën çmenduri”, trajneri Mehmeti: Ju tregoj planet e merkatos dhe objektivat

Pas 10 ditëve të para të përgatitjeve verore, trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, mund të bëjë një “bilanc” paraprak. Në skuadër janë bërë lëvizje, kanë ikur dhe kanë ardhur disa lojtarë, priten edhe të paktën 3 të tjerë nga ata që mund të bëjnë diferencën, sidomos për mesfushën dhe sulmin.

dritan mehmeti

Trajneri kryeqytetas, në një intervistë për “Panorama Sport”, shprehet i kënaqur me punën e deritanishme, kushtet dhe angazhimin e lojtarëve dhe klubit, veçanërisht presidentit Adrian Bardhi, i cili është gjithmonë e më pranë skuadrës. Sa i takon sezonit, Mehmeti shprehet se Dinamo synon të ecë me hapa të vegjël, por të sigurt, duke siguruar fillimisht qëndrimin në Superiore për të përgatitur më mirë të ardhmen.

Mehmeti, jeni në javën e dytë të përgatitjeve të sezonit të ri. Si është gjendja e Dinamos në këtë moment?

Po, jemi në fillimin e përgatitjeve dhe puna ka ecur mirë. Mund të them se jam i kënaqur me kushtet dhe me angazhimin e të gjithëve te Dinamo. Do të veçoja presidentin Bardhi, i cili është shumë i interesuar për mbarëvajtjen e skuadrës, po na qëndron shumë afër çdo ditë, po na ndihmon shumë, jo vetëm për krijimin e kushteve në klub, por edhe për skuadrën e sezonit të ri.

Ka pasur lëvizje, lojtarë të larguar dhe disa afrime. Deri në çfarë mase është plotësuar grupi?

Jemi në ndërtim e sipër si skuadër. Ka pasur disa largime, ndërkohë që kemi afruar edhe disa lojtarë të mirë në merkaton që mbetet e hapur. Po shohim me shumë kujdes për të mos bërë veprime të nxituara edhe në këtë drejtim. Po ashtu, kemi edhe disa të rinj të talentuar që synojmë t’i rrisim, pasi ky është edhe një nga objektivat e klubit për sezonin e ardhshëm. Gradualisht do të tentojmë të krijojmë edhe një fizionomi loje që t’i ngjajë asaj që Dinamo ka pasur.

Mos është pak vonë profesor për goditjet e rëndësishme në merkato, pasi me kalimin e kohës ka më pak shanse për të gjetur lojtarë me kualitet?

Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën, por dihet që në merkato ka edhe vështirësi. Nuk mund të bëjmë çmenduri, por punojmë dhe presim disa lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Bëhet fjalë për lojtarë, të cilët do të përforcojnë mesfushën dhe sulmin e Dinamos dhe që shpresoj t’i kemi në skuadër së shpejti. Presidenti dhe klubi po punojnë në këtë drejtim.

Mehmeti Dinamo

Po tregohemi shumë të matur në lëvizjet që po bëjmë. Ne synojmë që të ecim me hapa të vegjël, por të sigurt, të mos bëjmë gabimet e së kaluarës. Sezonin e ardhshëm duam që Dinamo ta ketë të sigurt qëndrimin në Superiore dhe pastaj më vonë të shohim për më lart. Pra, në njëfarë mënyre do të jetë një sezon që do t’i shërbejë më shumë atij pasardhës, duam të kemi një skuadër të konsoliduar që ta rrisë nivelin gradualisht.

Çfarë zgjidhjesh po kërkohen për sulmin, që është edhe pjesa më e vështirë e merkatos?

Po, është e vërtetë, por kjo vështirësi është kudo, jo vetëm te Dinamo dhe jo vetëm në Shqipëri. Ne po shohim alternativa që të përshtaten me grupin që kemi. Kemi afruar Kaçorrin dhe po kërkojmë një sulmues tjetër me kualitet, por që të ketë natyrën të kombinojë me këtë futbollist. Duhet vërtet një nga ata që bëjnë diferencën dhe i shërbejnë skuadrës.

Mund të afrojmë edhe një “uinger”, një sulmues krahu. Të shohim, çdo gjë do të duket me kalimin e kohës dhe pas ndeshjeve miqësore që do të zhvillojmë gjatë fazës përgatitore. Pozitive është që ka një angazhim serioz për të bërë më të mirën.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL