EKSKLUZIVE/ “Golat erdhën në sfidën e duhur”, Montenegro pas fitores me Partizanin: Tani nuk ndalemi, Egnatia e ndërtuar për titull (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 20:23

EKSKLUZIVE/ “Golat erdhën në sfidën e duhur”, Montenegro pas fitores me Partizanin: Tani nuk ndalemi, Egnatia e ndërtuar për titull (E PLOTË)

Egnatia mori një fitore të florinjtë të dielën kundër Partizanit në kryendeshjen e javës së 31-të.

Montenegro duke festuar një nga golat e shënuar kundër Partizanit

Montenegro duke festuar një nga golat e shënuar kundër Partizanit

Vendësit iu falën një dopiete të shënuar nga Jurguens Montenegro në pjesën e parë, për ta bërë të pavlefshëm finalizimin e Xhuliano Skukës. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, heroi i takimit shprehet se kjo ishte një fitore e rëndësishme, që tregon forcën e Egnatias. Sulmuesi nga Kosta Rika theksoi se skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova do të bëjë gjithçka për të fituar të dy trofetë këtë sezon.

Jurguens, shënuat dy gola dhe i mundësuat Egnatias fitoren kundër Partizanit, si ndiheni?

Jam i lumtur që ndihmova skuadrën të marrë tri pikë kundër një prej rivalët tanë direkt në këtë sezon. Donim të tregonin se jemi këtu me meritë dhe besoj se e shfaqëm potencialin që kemi. Më gëzon fakti që shënova, por më shumë më kënaq fitorja. Luajtëm me dëshirë dhe grintë, edhe pse kishim mungesa të rëndësishme. Fuqia e Egnatias është grupi dhe dëshmuam se jemi një skuadër me kualitet, edhe pse përballë kishim Partizanin, kampion në fuqi. Ia dolëm dhe festuam të gjithë, pasi vinim pas një humbjeje dhe kërkonim me patjetër një rezultat pozitiv.

Kujt ia dedikuat golin e parë, pasi festa ishte e veçantë?

Festa ishte me biberon për të përshëndetur nga larg vajzën time, që ndodhet në Kosta Rika. Të gjithë golat e mi ia dedikohen asaj, pasi vajza është motivi për të cilin jetoj dhe luftoj. Edhe pse jam ndierë mirë këtu, më mungon familja dhe nëpërmjet futbollit kërkoj t’i përshëndes ata.

Sa e rëndësishme është kjo dopietë për ju, pasi kishit 10 ndeshje pa shënuar?

Golat për një sulmues janë shumë të rëndësishëm. Kisha krijuar një rëndesë psikologjike, pasi nuk po mundesha të zhbllokohesha prej javësh. Jam i kënaqur që shënova kundër Partizanit dhe tani shpresoj të mos ndalem më, pasi kam ardhur këtu për të arritur gjëra të mëdha me Egnatian. Unë i njoh cilësitë e mia dhe ndihem me fat që kam besimin e të gjithëve në klub. Kjo më frymëzon të jap gjithnjë maksimumin. Duhet të vazhdojmë të shohim përpara për t’i përgatitur ndeshjet një e nga një.

Sa i arritshëm është titulli kampion për Egnatian?

Për titullin kam ardhur këtu. Firmosa në janar, pasi drejtuesit më shprehën objektivat e tyre. Ne i kemi të gjitha shanset për të fituar trofeun në fund të sezonit dhe kam përshtypjen që në këto 31 javë kemi treguar se jemi këtu me meritë. Mendoj se kualiteti ynë është një garanci për të synuar edhe Kupën, pasi jemi vetëm 90 minuta nga finalja. Ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë këtë sezon historik për ngjyrat e klubit.

Cilin ekip e shikoni si rivalin kryesor në këtë garë?

Rivalë kemi ekipet, të cilët janë pozicionuar pranë nesh në tabelë, pasi edhe formula na mundëson ta diskutojmë me ta fatin e titullit. Fati i titullit do të përcaktohet me ndeshje teke, që do të thotë se na duhet të jemi perfekt. Do të luajmë kundër ekipeve me traditë në futbollin shqiptar dhe natyrisht që nuk është aspak e lehtë.

Cili është objektivi juaj personal në ndeshjet e mbetura?

Objektivi im që prej momentit kur kam ardhur këtu është të vrapoj dhe të ndihmoj skuadrën të arrijë objektivat. Do të bëj gjithçka bashkë me shokët e ekipit që të nderoj veten dhe të gjithë këta njerëz që punojnë çdo ditë për një qëllim. Jam i lumtur që ndihem mirë fizikisht dhe kjo më jep mundësinë të shprehem ashtu siç dua në fushën e lojës.

Çfarë i premtoni tifozërisë rrogozhinase?

Festova me ta kur dola nga stadium. Na pritën edhe te hoteli, siç bëjnë zakonisht kur fitojmë. Jam familjarizuar me njerëzit këtu, mundohem të mësoj shqip dhe arrij t’i kuptoj kur më flasin. I premtoj që do të bëj gjithçka që ata të festojnë, siç bëmë kundër Partizanit. I falënderoj që na përkrahin gjithmonë, edhe kur nuk kemi fituar. Këta tifozë meritojnë titullin, që do të jetë i pari në historinë e Egnatias. Jemi të fokusuar për ta bërë realitet këtë ëndërr të tifozëve tanë.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"