EKSKLUZIVE/ Fatjon Andoni një mister te Dinamo, mungon në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2024 | 13:20

EKSKLUZIVE/ Fatjon Andoni një mister te Dinamo, mungon në stërvitje

Prej së mërkurës Dinamo ka nisur stërvitjen për ndeshjen e radhës me Skënderbeun, me synimin e qartë për të bërë kthesën. Blutë vijnë pas disa ndeshjesh të mira në nivel loje, por me vetëm 1 pikë të marrë, çka ka ndikuar në humbjen e terrenit në klasifikim.

WhatsApp Image 2024-03-23 at 14.53.27

Disfata në derbi i ka vënë kryeqytetasit në pozita pune, klubi ka kërkuar që skuadra të reflektojë këto ditë dhe çfarë është me e rëndësishme, të kthehet te fitorja ndaj korçarëve më 30 mars. Zona e “Final 4” është ende e arritshme, pasi në lojë janë edhe 27 pikë për 18 herë kampionët e vendit. Nëse Dinamo arrin të fitojë tri ndeshjet e radhës me Skënderbeun, Teutën dhe Kukësin, futet bindshëm në garën e 4-she së parë.

MESFUSHORI – Gjatë këtyre ditëve ka munguar në stërvitje mesfushori Fatjon Andoni. Ai nuk luajti në derbin me Tiranën për shkak të një infeksioni në sy, por fakti që nuk ka dalë ende në stërvitje e bën situatën disi misterioze. Që nga ndeshja e fundit kanë kaluar 5 ditë të tjera dhe lojtari duhej ta kishte kaluar shqetësimin shëndetësor. Mbetet për t’u parë, nëse është vetëm çështja shëndetësore, apo ka ndonjë arsye tjetër që e mban Andonin larg skuadrës kryeqytetase. Dyshimet për ndonjë fërkim të mundshëm mes lojtarit dhe stafit teknik apo klubit mbeten. Pas derbit të fundit vetë Andoni tregoi se nuk luajti për shkak të infeksionit në sy. Situata pritet të qartësohet në ditët në vijim. Andoni është një nga afrimet e rëndësishme të Dinamos së këtij sezoni. Falë eksperiencës së tij të gjatë në Greqi, ai shihej si një nga lojtarët që do të bënin liderin në skuadër. Futbollisti 32-vjeçar ka munguar në disa ndeshje për shkak dëmtimi, ndërkohë ka shënuar 2 gola në këtë kampionat.

TESTI – Duke qenë se deri në ndeshjen me Skënderbeun janë edhe shumë ditë në dispozicion, stafi teknik i bluve ka programuar për sot një ndeshje testuese brenda familjes. Trajneri Mehmeti do ta shohë grupin e futbollistëve përballë Dinamos U19, të drejtuar nga trajneri Bledi Kadiu. Ndeshja do të luhet në orën 11:00, në kompleksin stërvitor të bluve në Arbanë. Stafi do të shohë gjendjen fizike të gjithë futbollistëve që janë në dispozicion. Me grupin janë bashkuar që në ditën e parë të stërvitjes së kësaj jave Gudiabi dhe Bardhi, dy futbollistët që kanë pasur probleme fizike dhe munguan në ndeshjen e së dielës së kaluar.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"