EKSKLUZIVE/ Drejtuesit e kuq në kërkim të një sulmuesi, Partizani i hedh sytë nga… Bjellorusia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2022 | 14:54

EKSKLUZIVE/ Drejtuesit e kuq në kërkim të një sulmuesi, Partizani i hedh sytë nga… Bjellorusia

Për një sezon të gjatë plot pengesa e perip eci vetëm Xhuliano Skuka në majë të sulmit nuk mjafton. Partizani është në kërkim të alternativave të tjera në sulm, ku pas largimit të Zhuniorit dhe Malës kanë mbetur shumë hapësira. Vetëm braziliani kontribuoi në 19 gola në Superiore në sezonin e shkuar, çka tregon qartë se Partizanit i duhet një tjetër goleador për të mbuluar hapësirën e lënë nga 30-vjeçari.

andrej solovej

Burime ekskluzive për “Panorama Sport” bëjnë me dije se një lojtar i pëlqyer nga drejtuesit e kuq është Andrej Solovej. Ai vjen nga Bjellorusia, ku ka kaluar edhe gjithë karrierën e tij deri më tani.

27-vjeçari është analizuar nga drejtuesit e të kuqve, që e kanë pëlqyer profilin e tij dhe po studiojnë terrenin për të mbërritur tek ai.

VËSHTIRËSITË Gjithsesi, nuk është aspak e lehtë. Për të treguar se me çfarë operacioni kemi të bëjmë, mjafton fakti që shifra e Solovej në merkato sipas portalit “Transfermarkt” është 850 mijë euro.

Me gjithë dëshirën e madhe të Partizanit për të firmosur me një lojtar të një kalibri të tillë, paga e lartë e Solovej është problemi kryesor në gjithë këtë çështje, por jo i vetmi.

Aktualisht Solovej është pjesë e Shaktar Soligorsk, ku së fundmi është transferuar Ardit Krymi. Ai i është bashkuar këtij klubi në janar të 2022-shit dhe ka edhe dy vite kontratë.

Gjithsesi, fakti që në gjashtë muajt e fundit nuk ka qenë titullar, e shtyn të largohet. Që nga janari, Solovej ka luajtur vetëm 11 ndeshje në kampionat me Soligorsk dhe ka shënuar vetëm 1 gol. Por, në një kohë kur klubi ende nuk është kompletuar me sulmues, nuk e sheh të arsyeshme ta lërë të lirë 27-vjeçarin. Gjithsesi, në javët në vazhdim pritet të ketë zhvillime të reja.

ECURIA Solovej, përveç faktit që është një ekspert i kampionatit bjellorus, numëron edhe 8 paraqitje me kombëtaren e Bjellorusisë dhe 2 gola të shënuar. Ndërkohë, 6 muajt e fundit ishin më të dobëtit në tri sezonet e fundit, kur ka shënuar minimalisht 13 gola. Në vitin e shkuar me ekipin e Gomel, Solovej shënoi plot 18 herë.

Në rast të transferimit te Partizani, 27-vjeçari do të ndërtonte një dyshe mjaft interesante me Skukën.

Gjithsesi, ai mund të luajë edhe në anën e majtë të ofensivës, si dhe si sulmues i dytë, çka është një avantazh i madh për të personalisht, por edhe për trajnerin Mehmeti, i cili mund të ketë një “xhol” në repartin e sulmit, ku mungojnë alternativat.

solovej

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"