EKSKLUZIVE/ Boshnjaku flet haptazi: Dua trofe, prandaj jam te Vllaznia! Rinovimi? Jam në bisedime…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 10:03

EKSKLUZIVE/ Boshnjaku flet haptazi: Dua trofe, prandaj jam te Vllaznia! Rinovimi? Jam në bisedime…

Vllaznia ka një nga formacionet më solide të këtij kampionati dhe jo më kot mban vendin e dytë në renditje.

gfjfgj

Pjesë e 11-shes titullarë të ekipit shkodran është edhe mesfushori Lorik Boshnjaku. Pas ndeshjes me Partizanin, në një prononcim për “Panorama Sport”, ai vlerësoi pikën e fituar në kryeqytet:

“Rezultati ishte i drejtë, duke parë rrjedhën e lojës. Patëm raste dhe duhej të ishim më cinikë përpara portës kundërshtare. Në tërësi jemi më lart Partizanit, por tani na duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Ka ndeshje deri në fund dhe duhet të jemi më të vëmendshëm. Na mungon fitorja në këto javët e fundit, por nuk është diçka që duhet të na brengosë, sepse ekipi ka dhënë maksimumin. Shpresoj që me Laçin të shkojmë te fitorja. Ndaj një rivali direkt, si Partizani, përqendrimi është më i madh dhe skuadra iu përgjigj mirë kundërshtarit”.

E ARDHMJA – “Kam edhe këto dy muaj me Vllazninë. Jemi në bisedime me klubin dhe të shohim se çfarë do të bëjmë. Do të isha shumë i kënaqur po ta mbyllja me trofe, sepse ka qenë synimi im që kur kam ardhur këtu. E dija që vij në një klub që lufton për trofe”, ka shtuar më tej Boshnjaku.

LAÇI – Në fund mesfushori i Vllaznisë ka dhënë një mendim edhe për ndeshjen e kësaj fundjave me Laçin: “Duke parë ecurinë e kampionatit deri në këtë moment, me rezultate të befasishme, do të thosha se nuk ka ndeshje të lehta. Laçi ka ekip të mirë, por na favorizon pak fakti që ndeshja do të luhet në Shkodër. Mendoj se po të kemi të njëjtin përqendrim si në ndeshjen me Partizanin, do të fitojmë. Duhet të shohim punën tonë, jo se çfarë bëjnë të tjerët”.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"