Ekskluzive/ Berisha: Ju tregoj Rusinë dhe shanset e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2016 | 15:45

Ekskluzive/ Berisha: Ju tregoj Rusinë dhe shanset e Partizanit

Bernard Berisha do të mbahet mend si lojtari i parë nga kampionati shqiptar që transferohet në Superligën ruse.

Bernard Berisha

Bernard Berisha

Mesfushori kosovar kaloi në janar të këtij viti nga Skënderbeu tek Anzhi Makaçkala dhe pas vetëm 8 muajsh aktivizim, është bërë idhull për tifozët e Republikës së Dagestanit.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Berisha rrëfen pritjen që i kanë bërë në Rusi, mosnjohjen e Kosovës nga ky shtet, si dhe pa dyshim sfidën që Partizani do të luajë kundër Krasnodarit.

Bernardi mendon se të kuqtë kanë shumë pak shanse për të eliminuar ekipin rus, por të njëjtën gjë thotë edhe kur pyetet nëse përballë Krasnodarit do të ishte ish-skuadra e tij, Skënderbeu.

Bernard, pas vetëm 8 muajsh tek Anzhi, jeni kthyer në idhull për tifozët. A ka ndonjë sekret ky shkëlqim juaji në kampionatin rus?

Të them të drejtën, në klub kanë besuar shumë tek unë dhe kam punuar fort për të fituar vendin e titullarit. Kam bindur drejtuesit, trajnerin dhe tifozët me atë që kam dhënë në fushë. Mendoj se sekreti është përshtatja e shpejtë me vendin ku jetoj, Dagestan. Këtu është një popull me besim mysliman dhe kjo ma ka bërë më të lehtë, pasi unë jam një besimtar i devotshëm. Më kanë pritur shumë mirë dhe unë i falënderoj të gjithë, pasi ndihem në Dagestan sikur të jem në shtëpinë time.

Gjesti juaj duke mbrojtur tifozin në fushë nga forcat e sigurisë bëri një jehonë të madhe në mediat ndërkombëtare. Na tregoni pak si ndodhi?

Në ndeshjet e fundit që kemi luajtur, tifozët kanë qenë të shumtë në stadium dhe shpesh na kërkojnë si dhuratë fanellat. Mirëpo, sinqerisht jam befasuar nga forcat e sigurisë këtu, pasi i keqtrajtojnë shumë tifozët. Unë jam një njeri shumë i ndjeshëm dhe kur pashë që ai tifoz nuk po trajtohej mirë nga sigurimi, ndërhyra për ta ndihmuar. Ishte më shumë një mosmarrëveshje, pasi u futën disa tifozë në fushë, në një kohë që klubi ka kërkuar të mos e kalojnë rrethimin. Gjithsesi, si një njeri emocional që jam, mendoj se bëra diçka të mirë në atë moment, pasi dua që atë tifoz, por jo vetëm, t’i shikoj të lumtur.

Me këtë ecuri të mirë në kampionatin rus, e shikoni veten në merkato për një largim nga Anzhi? A keni biseduar me drejtuesit?

Menaxheri im, Shkumbin Qorrmemeti, është në dijeni për këto gjëra. Me sa di unë, klubi nuk ka interes për momentin të më shesë. Anzhi kërkon të më mbajë të paktën edhe një vit, pasi gjatë këtij sezoni pretendon të shkojë në Ligën e Europës. Të shohim çfarë do të ndodhë, por besoj se pas përfundimit të këtij kampionati, do të ketë zhvillime.

Të kalojmë te futbolli shqiptar dhe çështja më e diskutuar për momentin. Dy patriotët tuaj te Partizani, Labinot Ibrahimi dhe Ylber Ramadani, nuk po e marrin dot vizën në Ambasadën Ruse, pasi ky vend nuk e njeh Kosovën. Çfarë përshtypjeje ju bën kjo?

Natyrisht nuk më vjen mirë, pasi unë jam vetë nga Kosova. Kjo është një çështje politike dhe një futbollist nuk ia vlen të merret. Dihet tashmë që Kosova është një shtet më vete dhe këtë duhet ta pranojnë të gjithë. Sporti dhe politika nuk kanë asgjë të përbashkët.

OK, por ju si keni shkuar në Rusi?

Unë kam pasaportë shqiptare dhe në Rusi kam ardhur me këtë dokument, jo me pasaportë të Kosovës.

Fakti që Rusia nuk e njeh Kosovën, ju bezdis?

Për hir të së vërtetës, këtu ku jam unë, në Dagestan, nuk e kam ndjerë aspak këtë. Më kanë bërë një pritje fantastike dhe nuk e mohoj dot. Edhe njerëzit në rrugët e qytetit më respektojnë, por kjo nuk ndodh vetëm këtu ku jetoj, por në çdo qytet të Rusisë ku shkojmë për ndeshje. Qoftë në Moskë apo vende të tjera, kam ndjerë vetëm respekt nga kundërshtarët dhe kurrë nuk e kam menduar faktin se Rusia nuk e njeh Kosovën. Në asnjë ndeshje nuk jam ofenduar apo të më kenë përmendur Kosovën. Kundërshtarët më kanë dhënë dorën dhe më kanë respektuar. Pra, jam shumë i lumtur që luaj në kampionatin rus.

Partizani do të luajë kundër Krasnodarit në fazën “play off” të Ligës së Europës. Sa e njihni këtë skuadër?

Unë kam luajtur dy herë kundër këtij ekipi dhe mund të them se Krasnodari është shumë i fortë. Besoj që Partizanit i duhet shumë fat për të kaluar këtë skuadër, që është mes 3-4 më të mirave në Rusi. Krasnodari ka një grup lojtarësh që luajnë prej pesë vitesh së bashku, ashtu si Skënderbeu në Shqipëri. Ka lojtarë shumë cilësorë, por futbollit nuk i dihet, kështu që çdo gjë mund të ndodhë. Unë besoj te forca që ka Partizani, pasi edhe ata janë duke u fuqizuar shumë.

Sa shanse i jepni Partizanit për kualifikim?

Nuk mund të flas me përqindje, por të them të drejtën, Partizani e ka jashtëzakonisht të vështirë të kualifikohet ndaj Krasnodarit. Siç e thashë edhe më lart, i duhet shumë fat për të kaluar më tej.

A ka një pikë të dobët Krasnodari?

Është i vetmi ekip që në këtë start të kampionatit nuk ka treguar asnjë pikë të dobët. Është një skuadër me mbrojtje të qëndrueshme dhe që luan shumë nga krahët. Gjithashtu kanë një sulmues të përkryer si Smolov, që luan edhe me kombëtaren e Rusisë. Ai është i fortë dhe golashënues.

Përveç fatit, që duhet ta ketë me vete ekipi i kuq, si mund t’ia dalë kundër rusëve?

Duhet të mbrohet me shumë forca dhe të vendoset mirë taktikisht, vetëm kështu mund t’ia dalë. Përmes një loje perfekte nga ana taktike, atëherë ka shanse. Duhet të lënë sa më pak hapësira, pasi Krasnodari ka lojtarë të shpejtë, që mund të të shënojnë në çdo moment.

Të flasim pak për Skënderbeun, që këtë vit mbeti jashtë Europës prej pezullimit nga UEFA. A keni komunikuar me miqtë që keni lënë në Korçë?

Kam pasur kontakt me të gjithë lojtarët dhe i kam parë shumë të mërzitur për dënimin. Edhe unë jam i befasuar për vendimin, që mendoj se është i padrejtë. Skënderbeu ka ekip cilësor dhe çdo ndeshje e ka fituar me meritë, por ky ishte fati i tij.

Nëse në vend të Partizanit do të luante Skënderbeu ndaj Krasnodarit, sa shanse i jepnit ekipit korçar?

Do të thosha të njëjtat gjëra për Skënderbeun, ashtu si për Partizanin, pasi Krasnodari ka një ekip shumë të fortë.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"