“Ekipi në rrugën e duhur, është ruajtur mentaliteti fitues”, Akuah: Teuta për titull, ja si e mundim Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2021 | 15:04

“Ekipi në rrugën e duhur, është ruajtur mentaliteti fitues”, Akuah: Teuta për titull, ja si e mundim Tiranën

Reuben Akuah, mesfushori ganez që mbylli sezonin e shkuar me Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci, është kthyer në një nga pikat referuese të Teutës në këtë pjesë të parë të kampionatit. Ai ka luajtur më herët edhe në Austri me Ried dhe Lask, por për një sezon, 2016-2017, ka kontribuar edhe te Tirana, kundërshtari i radhës i Teutës në kampionat. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Akuah foli për sfidën e radhës me ishskuadrën e tij. Ai pohoi se barazimi ndaj Kukësit nuk ishte prioritet i Teutës, por tashmë ajo ndeshje duhet lënë pas dhe fokusi është te Tirana. Mesfushori afrikan beson se Teuta do t’ia dalë për të marrë fitoren në këtë duel.

REUBEN AKUAH 1

U shpallët lojtari i ndeshjes ndaj Kukësit, si ndihet Akuah te Teuta?

Normale që është një vlerësim për mua, por nuk duhet të kënaqem me kaq. Duhet të punoj akoma më shumë për të dhënë maksimumin për skuadrën, ku jam ambientuar mjaft mirë.

Sa i kënaqur jeni me barazimin ndaj Kukësit, mendoni se meritonit më shumë në këtë takim?

Barazimi kundër Kukësit ishte diçka që nuk ishte në planin tonë, sepse objektiv kishim që ta fitonim ndeshjen. Por tani ky takim i përket së shkuarës, kështu që ne do të shohim përpara për të bërë më të mirën në ndeshjet në vijim.

A është gati Teuta të përballet me Tiranën?

Mendoj që po, jemi gati sepse duhet të luajmë një ndeshje të mirë. Së pari, duhet ta fitojmë këtë ndeshje për objektivin tonë. Së dyti, duhet të tregojmë që ekipi ka dëshirë dhe grintë.

Me Tiranën a ju mjafton barazimi apo keni synim tjetër në këtë transfertë?

Kur luajnë dy ekipe rivale çdo gjë është e mundur. Ne do të japim më të mirën tonë, siç e japim në çdo ndeshje. Shpresoj të marrim më të mirën, por në futboll asnjëherë si dihet. Mund të humbasim, barazojmë apo fitojmë, por ne hyjmë në çdo ndeshje për fitore.

Është kjo Teutë më e fortë se e vitit të kaluar ku u fitua titulli?

Duke parë ecurinë e deritanishme nuk mund të flas. Çdo lojtar ka momentet e tij të karrierës, siç i kishin vjet disa futbollistë që dhanë maksimumin dhe u shpallën kampionë. Edhe ne që kemi ardhur sivjet te Teuta jemi munduar që t’i plotësojmë ata që janë larguar duke ruajtur mentalitetin e fituesit. Shpresoj të jemi serish në rrugën e duhur për t’u shpallur kampion për të dytin sezon me radhë..

Kush mendoni se mund ta bëjë diferencën në ndeshjen ndaj Tiranës?

Diferencën do ta bëjë fryma e grupit. Vjet fryma e grupit ka bërë që Teuta ka ecur. Teuta e ka treguar që s’ka pasur ndonjë individ me cilësi të jashtëzakonshme dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu me frymën e grupit, të mbështesim njëritjetrin dhe të marrim tri pikë ndaj Tiranës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"