Ecuria në 28 javë kampionat, askush si verdheblutë në futbollin shqiptar. Rruga e Elbasanit drejt Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 17:32

Ecuria në 28 javë kampionat, askush si verdheblutë në futbollin shqiptar. Rruga e Elbasanit drejt Superiores

Elbasani i ka dhënë tonin këtij sezoni në Kategorinë e Parë dhe pse jo në futbollin shqiptar në tërësi. I mbeten edhe pak ditë nga zyrtarizimi për ngjitjen në Superiore. Verdhebluve i duhet vetëm një barazim me Apoloninë për t’u rikthyer aty ku mungon prej një dekade.

elbasani feste

Përpara se klubi të kremtojë kurorëzimin me sukses të këtij edicioni, “Panorama Sport” përpiqet të tregojë rrugëtimin e verdhebluve në shifra. Bëhet fjalë për shifra që aktualisht e bëjnë atë rekordmene të këtij sezoni në futbollin shqiptar, duke nisur nga pikët, golat apo edhe seritë e ndeshjeve pa humbje.

66 – Pikë ka grumbulluar në 28 ndeshjet e luajtura. Mesatarisht i bie që të ketë marrë 2.35 pikë për ndeshje, një mesatare shumë e lartë. Askush nuk ka bërë më mirë, duke llogaritur edhe ekipet e elitës.

63 – Gola kanë shënuar elbasanasit në kampionat. Një tjetër tregues për atë që kanë bërë këtë edicion, duke dhuruar praktikisht edhe spektakël. Mesatarisht verdheblutë shënojnë 2.25 gola për ndeshje, si askush tjetër.

20 – Seria e ndeshjeve radhazi pa humbje në kampionat këtë sezon. E fundit daton më 21 tetor të vitit të kaluar ndaj Flamurtarit me rezultatin 2-1. Praktikisht i bie afro gjashtë muaj që nuk e ulin ritmin, si askush tjetër në futbollin shqiptar.

13 – Lojtarë kanë gjetur rrugën e rrjetës këtë edicion në kampionat. Tregues i një grupi që shënojnë të gjithë. Kanë edhe golashënuesin e kampionatit, Bedri Greca me plot 15 gola të shënuar deri më tani.

2 – Numri i humbjeve këtë sezon, më pak se çdo skuadër tjetër e elitës dhe së Parës dhe që jo më kot i ka dhënë mundësinë ekipit të jetë në krye. Synimi është që kjo shifër të mos ndryshojë deri në fund.

0 – Humbje përgjatë vitit 2024 në kampionat, si askush tjetër në futbollin shqiptar. Zero humbjeve i shtohet edhe fakti që në shtëpinë e tyre në “Elbasan Arena”, nuk janë mundur asnjëherë që kur janë krijuar si skuadër me emrin “AF Elbasani”.

7000 – Numri i tifozëve që kanë qenë të pranishëm në ndeshjen me Bylisin, një rekord këtë sezon në këtë kategori. Mesatarisht janë mbi 2500 të pranishëm në ndeshje deri më tani, ku mbështetja nuk mungon as në transferta.

 PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"