Ecuria me oshilacione, Apolonia ka humbur shkëlqimin në 2024-ën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2024 | 23:41

Ecuria me oshilacione, Apolonia ka humbur shkëlqimin në 2024-ën

Apolonia e ka humbur plotësisht shkëlqimin e saj në vitin 2024, qoftë me mënyrën e lojës së zhvilluar, por edhe pikët e arkivuara. Me rezultatet e fundit, Apolonia ka lëshuar jo pak terren, por ka ngecur edhe në renditje. Skuadra fierake është duke zhvilluar një sezon me luhatje dhe të paqëndrueshëm.

apolonia

Vetëm një javë më parë, fierakët arritën të përfitonin nga ndalesa e rivalëve, kur fituan ndaj Luzi 2008, ndërsa këtë fundjavë dolën pa pikë nga transferta e Bylisit. Disfata e radhës e fierakëve bëri që rivalët, si Vora dhe Flamurtari, të shkëputen respektivisht me 9 dhe 6 pikë. Apolonisë i mungojnë pikët me rivalët direkt dhe në një kampionat me 2 faza, ku përballjet me secilën prej tyre janë vajtje-ardhje, ato shndërrohen në pikët më vendimtare që vendosin në një “luftë” të ashpër sportive, qoftë për zonën “play off”.

Në krahasim me rivalët direkt që renditen më lart në tabelë, skuadra e drejtuar nga Artan Mërgjyshi është ajo që numëron më pak fitore deri në këtë moment të kampionatit. Gjetja e ekuilibrave është një nga pikat ku trajneri Mërgjyshi dhe stafi i tij janë ndalur më së shumti në seancën e djeshme stërvitore. Për të shmangur luhatjet dhe ulje-ngritjet, numri një i pankinës fierake ka kërkuar nga të tijtë më shumë përgjegjshmëri. Ai është fokusuar veçanërisht te lojtarët me eksperiencë mbi supe, për të nxjerrë ekipin nga momentet e errëta dhe paniku i lojës.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"