E PLOTË/ Rrëfehet sulmuesi që po mahnit korçarët, Oto Xhon: Do jem si Drogba te Skënderbeu

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 24, 2018 | 23:02

E PLOTË/ Rrëfehet sulmuesi që po mahnit korçarët, Oto Xhon: Do jem si Drogba te Skënderbeu

S kënderbeu nuk arrin dot të dalë me tri pikë nga ndeshja e javës së pestë kundër Tiranës, pavarësisht lojës dhe rasteve të krijuara. Gjithsesi, korçarët vijojnë të mbajnë ritmin dhe njëkohësisht vendin e parë në renditje. Një gjë e tillë nuk ka si të mos e gëzojë kampin bardhekuq dhe sidomos Oto Xhonin që në dy ndeshjet e fundit ka arritur të realizojë dy gola për Skënderbeun.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Xhon flet me superlativa për ekipin e Skënderbeut që, megjithëse është i ri në moshë, ka shumë dëshirë për të bërë mirë, ndërsa nga ana tjetër nuk pranon ta krahasojnë me Ali Souenë.

oto xhon

Xhon, një barazim me Tiranën a ju kënaq plotësisht?

Skënderbeu asnjëherë nuk kënaqet me rezultat tjetër, veç fitores dhe ju këtë e dini më mirë se unë. Unë kam pak kohë këtu, por filozofia e këtij ekipi është vetëm suksesi. Gjithsesi, përtej çdo gjëje mbetet një rezultat pozitiv, pasi morëm pikë në një fushë pa tifozë dhe ndaj një ekipi me emër si Tirana.

Nga kjo ndeshje Skënderbeu humbi dy pikë apo fitoi një pikë?

Nëse e shohim në këndvështrimin që ishim në disavantazh, keni të drejtë të mendoni se fituam një pikë. Por unë flas në raport me lojën dhe rastet e krijuara dhe them se kemi lënë dy pikë. Tirana nuk na rrezikoi asnjëherë veç golit, ndërsa ne patëm shumë raste për shënim. Na vjen keq që nuk ia dolëm dot.

Gjithsesi, ju arritët të shënonit. A ju kënaq ky gol?

Është i dyti radhazi për mua dhe jam shumë i lumtur. Do t’ju tregoj diçka që nuk e dini. Te Skënderbeu është shumë e thjeshtë të japësh më të mirën. Ky grup është tejet i mirë dhe të jep siguri që në momentin e parë që vjen në fushë. Nga ana tjetër, jemi si një familje e madhe dhe të gjithë këtu tregojnë respekt për njëri-tjetrin. Klima është e përshtatshme sepse nuk ka presion. Të gjitha këto të bëjnë të ndihesh komod dhe të mos mendosh asgjë tjetër veç fushës.

Me dy gola në dy ndeshje dhe sërish nuk jeni titullar. A ju shqetëson kjo?

Aspak, pasi e di se gjithmonë bëhen zgjedhjet më të mira të mundshme. E thashë në një ditë më parë se nuk është problem formacioni, pasi atë e vendos trajneri. Unë mund të them se ndihem mirë dhe do të vijoj të jap gjithmonë maksimumin me shpresën se herët a vonë do të kem më shumë hapësira në ekip. Megjithatë, ndihem pjesë e rëndësishme e ekipit dhe kjo më bën të jem më shumë i motivuar.

Në Korçë gjithnjë e më shumë të krahasojnë me Souenë…?

Personalisht, nuk dua të më krahasojnë me asnjë. Soue ka qenë një lojtar që ka dhënë shumë në këtë ekip, ndërsa unë nga ana tjetër dua të lë shenjën time si Oto Xhon. Nuk them se jam zëvendësuesi i Souesë pasi kemi karakteristika të ndryshme, por do të mundohem të plotësoj kërkesat e ekipit deri në limitet e mia.

Nëse nuk pranoni të quheni pasardhësi i Souesë, atëherë kush është sulmuesi që ju motivon?

Janë shumë, për të mos folur për cilësitë e Mesit dhe të Ronaldos, mund të them se jam rritur duke admiruar forcën e Drogbasë dhe aftësinë e shënimit të Samuel Etosë. Janë dy sulmuesit e mi më të preferuar. Por që gjithsesi e përsëris, unë jam Oto Xhon dhe dua të le shenjë këtu.

A jeni përshtatur me jetën në Korçë?

Ndihem shumë mirë, kam krijuar mjaft miq dhe persona që më qëndrojnë pranë. Pjesën më të madhe të kohës e kaloj me shokët e ekipit. Korça është një qytet i ngrohtë për sa u përket njerëzve dhe kjo na e bën më të thjeshtë punën.

LLAZI SARO






www.minuta90.com